in

Papa që erdhi nga të ftohtit

In memoriam
Gjon Pali II  – 1920-2005
Karol Vojtila, njeriu dhe papa. Betejat, arritjet dhe dështimet e një personazhi historik

Luante me top, shkruante poezi, i pëlqente vallëzimi. Dashuronte pa masë teatrin, ku luante role mbretërish, keqbërësish e donzhuanësh. E nuk donte të bëhej prift. “Do të hyni në seminar djalosh?”, pyeti një ditë liceistin tetëmbëdhjetëvjeçar Vojtila, kryepeshkopi i Krakovias, Adam Sapieha, i mahnitur nga fakti që i riu zotëronte shumë mirë latinishten. “Jo, shkëlqesi, dua të studioj letërsinë polake”.

Karol Vojtila, djali i ardhur nga Vadovice, nga provinca e thellë galiciane, nuk kishte ndër mend të ndiqte meshtarinë, megjithatë u bë Papa i parë polak i Kishës së Shenjtë Romake. Nuk donte të merrej me politikë, por u bë prijësi shpirtëror i sindikatës së pavarur polake, Solidarnosc, që hapi të çarën e parë në perandorinë komuniste, duke shkaktuar më pas shembjen e plotë të Perdes së Hekurt.

Vojtila ka qenë njeriu i kontradiktave të forta. Në seminar ëndërronte heshtjen mistike të Karmelitanëve, por bota e njohu si maratonin e Zotit, ofruar turmave në të pestë kontinentët në skenografi hollivudiane. Profet mediatik dhe njeri i dhënë trup e shpirt pas lutjes. Faraon i palëkundshëm përballë murmurimave të një pjese të kishës dhe zëdhënës i flaktë i të drejtave të njeriut. Adhurues i zemërbutë i Mëmës së Madhe Qiellore dhe kundërshtar i ashpër i Gruas Moderne, që lufton për të drejtën e administrimit të Të Shenjtës dhe të seksualitetit të vet.

Krahasuar me kohët e ngadalta të Kishës, ngjitja e tij ishte shumë e shpejtë. Lindur më 1920, bir i një oficeri polak që i kishte shërbyer perandorit austriak Francesco Giuseppe para se Polonia të fitonte pavarësinë, Vojtila 26 vjeç ishte prift, 38 vjeç peshkop, 42 merrte pjesë në koncilin Vatikani II, 43 ishte kryepeshkop i Krakovias, 47 kardinal, 58 Papë. Shkollimi i tij ishte krejtësisht kundër rrymës. Ai nuk ishte klerik i edukuar në seri, nuk ishte shkolluar në seminar që në moshë të njomë. Përkundrazi, Lolek, siç e thërritnin shokët, ishte nxënës i shkëlqyer i një shkolle shtetërore. Besimtar por jo fanatik, sportist, kavalier me bashkëmoshataret e veta, anëtar i lidhjes kundër alkoolit, por jo nazeqar sa të mos pranonte një gllënjkë alkooli gjatë ekskursioneve. Mbi të gjitha dashuronte teatrin. Shprehimia dhe vetëbesimi prej aktori nuk do t’i mungonin as kur hipi në fronin e Pietrit.

Në fëmijërinë e tij gërshetohen përvoja që e dallojnë nga pararendësit e tij. Që nga kohët e Pietrit asnjë papë tjetër nuk ka patur kontakte kaq të forta me qarqet hebraike. Në Vadovicë një e treta e popullsisë ishte e besimit izraelit. Ishte hebre i zoti i shtëpisë, hebrenj shokët e tij të klasës, hebrea fqinja e tij “Xhinka”, hebrenj të afërmit e shokëve që përfunduan në Aushvic.

Lidhja e ngushtë me bijtë e Abramit, përforcuar më tej nga mizoritë e pushtimit nazist, shpjegon pse Gjon Pali II kapërceu – papa i parë në absolut – pragun e Sinagogës së Romës dhe më vonë njohu shtetin e Izraelit.

Pushtimi gjerman i Polonisë gjatë luftës së dytë botërore e detyroi Vojtilën të punonte, fillimisht në gurore e më pas në një fabrikë kimike. “Papa çifut”, siç do ta thërritnin njëzëri në Amerikën Latine, ka njohur rraskapitjen e turneve, kafshërimin e punës së përsëritur të krahut, zemërimin, inatin për vdekjet në punë. Kur u bë Papë e quajti këtë stinë “nder të madh të jetës time” e deri në fund paditi “ideologjinë e kapitalizmit radikal”, që nuk përfill dinjitetin e punëtorëve.

Lufta, pushtimi nazist, regjimi stalinist i frymëzuan Vojtilës neveri të thellë ndaj dhunës dhe totalitarizmit. Nuk mori pjesë në Rezistencë, iu kundërvu asaj me armën e kulturës, duke organizuar pjesë teatrore klandestine. I mungoi përvoja e një Rezistence si ajo e Europës perëndimore: shkollë e jashtëzakonshme bashkëpunimi mes njerëzish me vizione të ndryshme për botën. Dhe kjo doli në dukje kur u bë papë me moskuptimin e tij të plotë të teologjisë së liberalizimit e angazhuar kundër diktaturave të Amerikës latine. Nga marksizmi njohu vetëm versionin sovjetik në salcë polake me të cilin u mat me vendosmëri kur ishte kardinal në Krakovia.

papaberishanenetereza.gifSekreti i gjurmës që ai lë në imagjinatën e bashkëkohësve qëndron në të mosqenit asnjëherë “klerikal”. Kur mbrëmjen e 16 tetorit 1978 e gjithë bota – dhe Kremlini i alarmuar – mori vesh zgjedhjen e një pape nga Lindja, populli në sheshin e Shën Pietrit perceptoi instinktivisht se kishte përballë një papë-njeri. Të aftë për të bërë shaka: “Po të bëj gabime në gjuhën tuaj, tonën, do të më korrogjoni”. Dhe spontan, si në meshën e inaugurimit: “Mos kini frikë… hapini krejtësisht dyert Krishtit!”. Gjon Pali II ka qenë njeriu për të cilin Kisha kishte nevojë pas krizës së gjatë pas Koncilit. Një udhëheqje e sigurt për të rivendosur autoritetin. Vojtila nuk kishte komplekse ndaj kulturës laike në krizë që nuk mbështetej më nga feja e progresit të pafund. Nuk i ndruhej marksizmit që në vitet ’70 ishte shtyllë mbajtëse në Perëndim dhe në vendet e Botës së Tretë: e ndiente dobësinë e nëndheshme – ideale dhe praktike – që kishin regjimet e krijuara nga BRSS.

Tradicionalist në fushën e doktrinës, ai ka qenë reformist në planin shoqëror. Në planin klerikal, edhe pse shkallë-shkallë, ka përhapur në çdo nivel të botës katolike mësimet e Koncilit.

Në një çerek shekulli Gjon Pali II i ka dhënë hov rolit të Kishës së Romës, duke e kthyer në pikë referimi për çështje etike dhe humanitare edhe përtej kufijve të katolicizmit. Kur mori rrugën për herë të parë për të shkuar në Meksikë në vitin 1979, në Kurie asnjë nuk mund të imagjinonte se do të mbretëronte në lëvizje të vazhdueshme, me një rekord prej mëse 100 udhëtimesh. E dinte se nuk mund të qeveriste një miliard besimtarë mbyllur brenda dhomave të Vatikanit. “Po të rrija në Romë e të shkruaja enciklika – i tha një miku të Krakovias – do të më lexonte vetëm një grusht njerëz. Duke udhëtuar takoj shumë vetë që nuk do të vinin kurrë tek unë. E do të më dëgjojnë”.

Me qindra milionë e kanë dëgjuar. Në Afrikë dhe në Azi, në Europë, në të dyja Amerikat dhe në Oqeani, nga pyjet e Amazonës deri në xhunglat filipine, masa të pafund besimtarësh dhe laikësh kanë dëgjuar një papë të aftë të bashkonte Lajmin e Mirë të Krishtit me kërkimin e të drejtave themelore të njeriut. Në metropolet e Perëndimit ka sulmuar egoizmin e të pasurve. Në qytetet e kasolleve të Botës së Tretë u ka dhënë gojë “të pagojëve”.

Ka predikuar duke hedhur poshtë racizmin e çdo lloji, duke ngritur lart lirinë, pajtimin mbi rrënojat e diktaturave, pa harruar të padisë diktatorët e vendeve ish koloniale. Në Amerikën latine ashtu si edhe në Filipine, puna e Kishës ka qenë shumë e rëndësishme për rivendosjen e demokracisë.

Duke pararendur globalizimin, Vojtila e bëri global mesazhin e Kishës katolike. Më shumë me praninë e tij se me enciklikat. Deri edhe “fabrika e të shenjtëve”, që i është kritikuar, ka shërbyer për të mbushur planetin me heronj të krishterë për t’u nderuar.

Udhëtimi i parë në Poloni në vitin 1979 tronditi psikologjikisht vendlindjen e tij dhe mbarë Lindjen. Për dhjetë ditë, në një vend socialist u zhdukën partia, policia dhe flamujt e kuq. Kisha dhe Kombi mbizotëruan në Poloni. Një vit më pas, elektriçisti Lech Valesa themeloi Solidarnosc-in, sindikatën katolike ku u regjistruan deri 12 milion vetë. Kur më 13 dhjetor 1981 gjenerali Jaruzelski do të shpallte ligjin e luftës, në Moskë Byroja politike kishte pranuar në fshehtësi pamundësinë e pushtimit të Polonisë.

Ishte faza e parë e një procesi që do të arrinte kulmin e tij më 1981 me rënien e murit të Berlinit. Për një dhjetëvjeçar të tërë Gjon Pali II luftoi me ngulm dhe epshmëri kundër Kremlinit. Në Lindjen europiane, por edhe në Amerikën latine ku luftoi pa mëshirë lëvizjet marksiste dhe grupet katolike të gatshme për t’u lidhur me to në emër të luftës kundër diktaturave vendase. Në ato vite, rruga e Papës u kryqëzua me atë të presidentit amerikan Ronald Reagan në emër të konvergjencës strategjike kundër “perandorisë të së keqes”, konvergjencë që pati strumbullarin e saj në udienca shumë të fshehta dhënë nga Gjon Pali II, shefit të CIA-s, Bill Casey. Edhe pse Vojtila ruante të pandryshuar mosbesimin e tij ndaj materializmit dhe individualizmit të shoqërisë amerikane.

Atentati që pësoi nga terroristi Ali Agca më 13 maj 1981 në sheshin e Shën Pietrit, dhe siguria e tij se kishte shpëtuar nga vdekja falë ndërhyrjes hyjnore së Shën Mërisë, e bindën që misionin ia kishte bësuar Providenca.

Megjithatë, edhe pse u çlirua Europa e Lindjes dhe u zhduk Bashkimi Sovjetik, Gjon Pali II nuk do të krenohet asnjëherë për rolin e tij. “Pema ishte e kalbur, i dhashë vetëm një të shkundur”, ishte komenti i tij. E shqetësonte fakti që nuk po bëhej realitet ëndrra gorbaçiviane (e tij) i një sistemi të ri ndërkombëtar bazuar në parime të forta morale. “Tani që u shkatërrua regjimi i Jaltës – u rrëfye në mënyrë profetike pas vitit 1989 – ka rrezik të kthehet regjimi i Versajës” me pasojat e konflikteve etnike dhe nacionalizmave të rinj. Ashtu si ndodhi me të vërtetë në Lindjen europiane.

Në rrëmujën e një ekzistence krejtësisht mediatike, janë të paktë ata që kanë njohur Vojtilën intim, mistikun që zhytej për gjashtë, shtatë orë në ditë në thellësitë e lutjeve aq sa të rënkonte e të kërcëllinte dhëmbët. Shpesh lutej duke u hedhur mbi dysheme me krahët hapur në formë kryqi. Lutej ndërsa shkruante enciklikat e tij. Lutej në avion apo në makinë teksa shkonte nga një vend në tjetrin.

Vojtila është personalitet i rritur nën hijen e vdekjes. Nga nëntë vjeç deri në njëzetenjë ai humbi nënën, vëllanë dhe babanë. Maria u bë nëna e tij hyjnore ndaj edhe shkroi mbi stemën e tij Totus Tuus, I tëri yti. Frymëzimi mistik vazhdoi ta mbështeste gjatë viteve të gjata të fundit të pontifikatit, me trupin peng të Parkinsonit dhe rrëgjuar nga operacionet e njëpasnjëshme. Shumëkush e pyeti nëse Papa do të jepte dorëheqjen. “Krishti nuk zbret nga kryqi”, u përgjigj ai. Për të vuajtja ishte pjesëmarrje në Pasionin e Krishtit.

Me vdekjen e tij, Gjon Pali II lë pas një trashëgimi triumfesh napoleonike. Por edhe një Vaterlo: humbja që pësoi në zemrat e miliona e miliona katolikëve, që hodhën poshtë obsesionin e tij kundër divorcit, ligjit për abortin, antikonçecionalëve dhe furinë e tij kundër lidhjeve homoseksuale.

Kundërshtimi i tij ndaj priftërinjve të martuar, kundërshtimi i tij diktatorial edhe ndaj shqyrtimit të mundësisë së shugurimit të grave priftëresha, ndalimi i rreptë i dhënies së kungimit njerëzve të ndarë dhe të martuar për së dyti, e kanë larguar Kishën nga shtresa të gjera besimtarësh.

Shtypja e dhunshme ushtruar ndaj teologëve kritikë, kundër të cilëve vitet e fundit ringjalli shkishërimin (si në rastin e priftit çingalez Tissa Balasuriya) ka ndalur kërkimin teologjik duke detyruar mendjet më të ndritura të punojnë në klandestinitet. Në planin ekumenik ngurtësia e tij doktrinore ka ndaluar afrimin konkret mes Kishave të krishtera, edhe pse njerëzisht Vojtila është treguar gjithmonë bujar me gjeste vëllazërimi. Me sprapsje të papritura, si shumë i kundërshtuari dokument Dominus Jesus që përshkruan katolicizmin si të vetmen Kishë në kuptimin e plotë të fjalës.

Në çka lë pas mbetet gur i rëndë çështja e pazgjidhur e “kolegjialitetit”, pra e nisjes së një demokratizimi të Kishës katolike, e fundit monarki absolute në botë. Gjon Pali II nuk ka dashur të dëgjojë asnjëherë ata kardinalë e peshkopë që kanë propozuar një shpërndarje graduale të përgjegjësive.

Pontifikati i Karol Vojtilës ka qenë, pas atij të Papës Pio IX, më i gjati në historinë e Kishës. Perëndimi i tij i ngadaltë, i shënjuar nga brishtësia e trupit, ka diçka heroike brenda. Sa më shumë trupi dukej i rrëgjuar aq më jetik ka qenë hovi i tij në drejtimin e barkës së Pietrit. Ka sunduar skenën botërore si i vetmi prijës i madh i kalimit të shekujve. Duke luftuar për drejtësinë dhe të drejtat e njeriut në çdo kontinent. Duke kundërshtuar idhujt e kapitalizmit të egër. Duke bërë thirrje, në epokën e fondamentalizmit, për bashkëpunimin mes besimeve fetare të mëdha për paqen dhe bashkëjetesën, sepse është blasfemi – ka predikuar pa pushim – të pretendosh në emër të Zotit. Duke parapërshkruar (si bëri në një asamble të paharrueshme ndërfetare në Assisi, më 1986) një botë ku besimtarët do t’i luten së bashku vëllazërisht Zotit, gjithkush sipas ritit të vet.

Ndërsa ishin të shumtë ata që mendonin se kish arritur koha të jepte dorëheqjen, Papa i guximshëm e tregoi veten të aftë për strategji të mëdha. Në vitin jubilar 2000 shprehu në mënyrë solemne në Shën Pietër mea culpa-n, kërkoi falje, për gabimet dhe mizoritë e kryera nga Kisha ndër shekuj. Asnjë nuk do të harrojë hapin e tij të dridhur drejt Murit të Vajtimit në Jeruzalem për të futur mes gurëve antikë lutjen e pendimit për antisemitizmin e krishterë.

Beteja e tij e fundit ka qenë kundër Uashingtonit, lëshuar në aventurën e luftës në Irak. Në emër të ligjshmërisë ndërkombëtare, Papa ka mbrojtur paqen dhe rolin e OKB-së si instanca e vetme, e ligjshme dhe supreme, e popujve të botës. “Bushi – deklaruan për Papën ditën e fillimit të luftës në Bagdat – do të përgjigjet përballë Zotit, ndërgjegjes së tij dhe historisë”. Fjalë të një madhështie mesjetare.

Kishës së tij, Gjon Pali II i lë edhe një parandjenjë të fundit. Nevojën urgjente të rishikimit, së bashku me Kishat e tjera të krishtera, të rolit të papatit.

Kështu ai ka salduar të shkuarën me të ardhmen, duke u ngulitur në imagjinatën e miliona vetëve si shtegtari i paqes dhe dëshmitari i shpresës dhe i kujtimit. Ndaj edhe shumëkush e quan që tani Vojtila i Madh.

Përgatiti redaksia

Bota shqiptare 127 – prill 2005

Fotot: Jubileu 2000; nga vizita e Papës në Shqipëri më 25 prill 1993 (Gjon Pali II ishte papa i parë që zbriste në Shqipëri në gjithë historinë e Kishës); nga takimi në Vatikan i një grupi shqiptarësh me Papën më 23 prill 2003; nga varrimi më 8 prill 2005

 

kater_sibilla.gif

Na ishte njëherë një kaike në det…

Më 8 prill Ilir Zefi paraqet ‘PaintingJazz-In’ në Sallën Santa Rita në Romë