in

Parulla kundër shqiptarëve në Grosseto

Edhe në Toskanën e kuqe parulla kundër emigrantëve. “Rumunët e shqiptarët në zjarr” është shkruar në një mur pak metra nga një qendër tregtare në Grosseto. Durim Mema, sekretar i Shoqatës kulturore shqiptare Hëna denoncon me fotografi këtë fakt dhe kërkon që të fshihet sa më parë: “Kështu provokojnë ndjenjat e shqiptarëve të ndershëm”

Romë 3 tetor 2012 – “Rumeni Albanesi a rogo” e shkruar me një italishte të çalë, e shoqëruar nga një kryq celtik, simbol fashist intolerance, në një mur pranë qendrës tregtare në zonën Cittadella të Grossetos ka shtyrë sekretarin e shoqatës Hëna, Durim Mema, të ngrejë zërin në emër të shqiptarëve dhe t’u drejtohet gazetave për t’i kërkuar administratës publike që ato fjalë të fshihen sa më parë. “Atë parullë nuk e meritojnë as shqiptarët as rumunët. Po të na e lejojnë e fshijmë vetë” thotë ai i revoltuar dhe shpjegon se shoqata e tij me karakter fetar e kulturor ka 400 anëtarë, shqiptarë jo vetëm nga Shqipëria.

“E shkruara është në një vend të rrahur nga shumë kalimtarë e klientë të qendrës tregtare, në një qytet si Grosseto ku komuniteti i shqiptarëve nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia dhe ai i rumunëve janë të mëdhenj. – shpjegon për shqiptariiitalise.com – Ka dy muaj që e shoh e duket se Komuna as e vë ujin në zjarr që ta fshijë”. E sipas tij duhet bërë sa më parë sepse një e shkruar e tillë, “provokon ndjenjat e shqiptarëve të ndershëm” nënvizon Mema, që kujton “kemi fëmijë që kur lexojnë gjëra të tilla mund të ndihen fajtorë përpara shokëve të tyre italianë, kur nuk kanë asnjë faj”.

Një të shkruar të ngjashme Mema thotë të ketë parë para ca kohësh edhe në një mur të qytezës së studentëve. Këtë frymë racizmi që ndihet në atmosferë e shpjegon me krizën ekonomike që ka mbërtyer vendin: “Në këtë situatë që po kalon Italia, edhe ne Grosseto sa vjen dhe shtohet racizmi. Kështu nëse një vend pune i jepet një të huaji e jo një vendasi, edhe ky fakt kthehet në motiv diskutimesh e debati. Por kjo nuk është tjetër veçse një luftë mes fukarenjve”.

Shqiptari i Italisë

 

Dorëshkrimi i ‘Dimrit të vetmmisë së madhe’ i kthehet Kadaresë

Tridhjetë universitete italiane prezantohen në Tiranë