in

Pas vizitës së kryeministrit Rama në Romë

Të zhgënjyer me vizitat në Romë të përfaqësuesve të lartë të qeverive shqiptare, për të cilat shpesh vihej në dukje buzëqeshjen e stampuar në fytyrë e përuljen e tyre ndaj palës italiane, vizita e fundit të kryeministrit Rama këtu pritej edhe me kureshti të përzier me paragjykim.

Shpresohej të mos vepronte si të tjerë që e kanë paraprirë, që vinin, të merrnin mendjen në konferencën e shtypit me një sërë shifrash që aty për aty askush nuk i kuptonte e nuk mund të verifikonte vërtetësinë, por që duhet të dëshmonin për marrëdhëniet e shkëlqyera Itali-Shqipëri, thonin gjithnjë “po, po” para bujtësit pa ditur të mbanin njëherë qëndrim as përballë ndonjë broçkulle apo batute bajate, si ajo e Berlusconit mbi vajzat e bukura që u justifikua madje nga Berisha me një “epo kemi gazetare të bukura ne”.

Rama, qoftë në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun e tij Letta, qoftë në takimin me sipërmarrësit italianë, dha idenë e një kryeministri karizmatik dhe pragmatik, që e di mirë ç’kërkon e që shpreh qartë idetë e tij para çdo auditori, që ka sensin e humorit e të batutës, që njeh politikën e aktualitetin italian e u përgjigjet me tonin e merituar kujtdo. Natyrisht këto janë përshtypje. 

Takimi i tij i parë në kryeqytetin italian ishte me sipërmarrësit në Confindustria ku u prit nga Alberto Baban, nënpresident i Confindustrias, që drejtoi takimin e kryeministrit shqiptar me sipërmarrës italianë. Në takim ishin të pranishëm edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik Arben Ahmetaj, ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri, ambasadori italian në Tiranë Gaiani dhe ai shqiptar në Romë Ceka si edhe një sërë sipërmarrësish, një pjesë e të cilëve kishin aktivitet privat në Shqipëri.

Takimi u hap nga Baban që u kujtoi të pranishmëve rëndësinë e Shqipërisë për sipërmarrjet italiane që dëshirojnë ndërkombëtarizimin. Një vend fqinj për të cilin Italia mban vendin e parë në shkëmbimet ekonomike, të parin për investime me mëse 400 sipërmarrje të pranishme.

Fjala iu dha menjëherë kryeministrit Rama që me pak fjalë tha qëllimin e vizitës së tij: “duam që t’ju nxisim të vini të investoni te ne”. Renditi disa nga përparësitë e sistemit Shqipëri mbi Italinë si kosto më e ulët e punës, sistem fiskal i thjeshtë dhe i ulët. Por Shqipëria nuk është pa probleme, ndaj premtoi që qeveria e tij do të vërë në dispozicion të sipërmarrjeve struktura të reja, do të ngrejë një one stop office në mënyrë që “të përshpejtojë sa më shumë realizimin e ideve të sipërmarrësve duke i lehtësuar ata në maksimum”, “duke krijuar mundësi që  çdo sipërmarrës të jetë i mbështetur”.

Rama e mbylli fjalën e tij duke kujtuar që “historia e këtyre 20 vjetëve dëshmon që në Shqipëri, jo thjesht mund të bëhet biznes, por mund të bëhet biznes i mirë” dhe duke ftuar hapur sipërmarrësit: “Është koha që të emigroni në Shqipëri”.

Të gjithë buzëqeshën hidhur me batutën e Ramës duke kujtuar krizën e thellë që ka zënë Italinë, ndërkaq Baban sqaroi “Ju falënderojmë për flesën, por ne duhet të gjejmë ekuilibrin e duhur mes vendit tonë dhe fitimit”.

Më pas e morën fjalën sipërmarrës të ndryshëm që treguan eksperiencat e veta në Shqipëri e i drejtuan pyetje konkrete kryeministrit shqiptar. Një sipërmarrës puljez prej vitesh me aktivitet në Shqipëri tha mes të tjerash që “në Tiranë ndihet si në shtëpi të tij”, Stefano Fiori i Federturismo pyeti “ç’turizëm kërkon vendi juaj?”, dikush tjetër vuri theksin mbi rëndësinë e peshkimit dhe lënien mbrapa të këtij sektori në Shqipëri, Franco Pecci, president i Blue Panoramës u ankua se kish hasur vështirësi për marrjen e lejeve të fluturimeve edhe pse kompania e tij i kish ardhur në ndihmë menjëherë Shqipërisë në çastin e vështirë të falimentimit të Belle Air-it (shpëtimtari i kombit!!!), Giuseppe Braccini i përgjegjës i Planifikimit dhe Biznesit të RAI Way u ofrua për bashkëpunim me Shqipërinë për digjitalizimin tv, një funksionar i Ministrisë së Mbrojtjes kërkoi të dinte nëse Shqipëria do të vazhdojë bashkëpunimin me ministrinë që përfaqësonte, Paolo Franceschetti që në Shqipëri drejton prej kohësh një kompani energjetike vuri theksin mbi nevojën “e mbrojtjes dhe të të drejtave” që sipas tij interesojnë më shumë se tatimi i lartë apo i ulët.

Përgjigjen e parë Rama ia dha Peccit, në mënyrë të prerë: “Kompania Belle Air ka falimentuar prej tre javësh dhe Blue Panorama fluturon prej thuajse tre javësh në Tiranë. Nuk më duket se diku tjetër do të kishit marrë lejen e fluturimit më shpejt se kaq”. E ka të drejtë Rama, ka qenë e diel në darkë kur Belle Air deklaroi pezullimin e të gjitha fluturimeve e të martën në mëngjes të javës që nisi avionët Blu Express  filluan të ulen në Rinas.

Por veç përgjigjes dhënë vërejtjes së presidentit të Blue Panorama, Rama përmendi edhe kompanitë e tjera që këto javët kanë nisur të lidhin Shqipërinë me aeroportet italiane, si Alitalia e Air One, shprehu gatishmërinë e qeverisë së tij për të gjithë ata që duan të hyjnë në këtë treg, por ngriti një tjetër problem: “Shpresoj që i njëjti interes të tregohet për transportin detar. Ka vetëm dy anije që lidhin dy brigjet e Adriatikut, jemi kthyer në kohën e Shqipërisë së izoluar. Dhe  mbani parasysh, – shtoi duke qeshur – nuk mjaftojnë nëse do të doni të emigroni te ne”. E me të qeshur u deklaron: “Shqiptarët udhëtojnë, dhe shumë. Kush investon në udhëtimin e shqiptarëve del me fitim”.

Duke iu referuar sipërmarrësit që më shumë se për taksat ankohej për të drejtën e tutelën, Rama pranon që “në Shqipëri nuk kanë qenë kurrë problem taksat, por paparashikueshmëria, pasiguria juridike. Normat fiskale në vendin tonë kanë ndryshuar 78 herë në 8 vjet”.  E ka premtuar sërish thjeshtëzim të procedurave përmes përmbledhjes të së gjithave në një etapë të vetme por ka shpjeguar edhe që do të ngrejë nga 10 në 15% tatimin me fitimin: “Këtu e keni pak më të lartë” ka shtuar me shpoti, duke e ditur mirë që në Itali është shumë më i lartë.

Funksionarit të lartë të RAI-t iu përgjigj: “Transmetimi në digjital tokësor në Shqipëri ekziston edhe më parë se këtu te ju, falë një djali të ri që sot nuk jeton më. Ajo për të cilën sot kemi nevojë është kuadri i rregullve të qarta”.

Me përgjigjen e prerë për përfaqësuesin e ministrisë së Mbrojtjes “Nuk kemi ndërmend të blejmë armë” u zgjat për të treguar një nga prioritetet e qeverisë së tij: “Duam të zgjidhim më parë problemin e borxheve ndaj sipërmarrjeve të trashëguara nga qeveria tjetër dhe që i kemi futur në borxhin publik, sepse të tilla janë. Borxhet konsistojnë në punë të kryera për shtetin e të papaguara, në shërbime të marra e të papaguara, TVSh e paguar me tepri dhe e pakthyer”.

“Duam të arrijmë tre gjëra në marrëdhëniet shtet-sipërmarrje private. – ka sqaruar – E para: dialog të vazhdueshëm dhe pa të papritura. E dyta, secili të ketë përgjegjësinë e vet: sipërmarrësit të vënë idetë, të hapin vende pune, të paguajnë detyrimet, shteti të jetë korrekt me ta. Është e paimagjinueshme që nga një anë të kërkojmë ndershmëri, nga tjetra të mos paguajmë atë çka u detyrohemi sipërmarrjeve. Së treti duam një partnershim mes sipërmarrjeve dhe qeverisë, sepse nuk jam i idesë të arrijmë barazinë në ulje, por që së bashku të solidarizohemi e të ndihmojmë shtresat më të varfëra”.

Për pyetjet mbi ato çka Rama përmblodhi në “Turizmi dhe peshkimi”, shpjegoi që Shqipëria është vend në zhvillim e si i tillë ka nevojë për gjëra konkrete. “Nuk kemi luksit të themi ç’turizëm duam. Jemi të hapur ndaj ideve të ndryshme të turizmit. Na duket se turizmi i Puglias mund të shkojë mirë edhe për vendin tonë, por jemi vërtet të hapur ndaj çdo propozimi”.

Duke folur për faktin që Shqipëria nuk ka një kulturë të rrënjosur peshkimi dhe që edhe turizmi bregdetar nuk ka ecur shumë përpara shtoi “Jemi i vetmi vend mesdhetar që deti vetëm na lag. Nuk kemi shfrytëzuar të gjitha oportunitetet që ai ofron e këtu ka faj edhe moratoriumi i mjeteve lundruese private i mbajtur në fuqi për vite me radhë”.

Rama u dha fund shpjegimeve të tij me një sërë batutash që shkaktuan jo pak ilaritet në sallë. Nga “në Shqipëri duhet provuar, duhet prekur, për të besuar. Duhet të jemi më shumë dishepuj të shën Thomait se të Jezu Krishtit” te “Shiko shiko, e kush do ta kish thënë që do të mblidheshim sot këtu për të folur për avantazhet e Shqipërisë mbi Italinë!”.

Duke paralajmëruar “Oskarin e parë për sipërmarrjen” me të cilin do të vlerësohet sipërmarrësi i vitit, kryeministri shpjegoi se “figura e sipërmarrësit duhet parë si model për shoqërinë, duhet promovuar njësoj si artistët apo sportistët”.

E ndërsa të gjithë në këmbë po e përshëndetnin, u kujtua për të dhënë lajmin e fundit: “po shpallim një konkurs në Shqipëri, “Procedura më idiote”, dhe do të shfuqizojmë menjëherë 10 të parat”.

Salla shpërtheu në të qeshura duke e vazhduar mendimin e kryeministrit shqiptar me “E në Itali? Do të na duhej të shfuqizonim me qindra!”

Në dy orë të kaluara me sipërmarrësit, Rama me një italishte të rrjedhshme e të pasur, duke treguar edhe njohuri të mira mbi politikën e brendshme italiane (“ishim bërë më keq se PD-ja juaj, para primarieve ama!”) i bëri për vete. Natyrisht ishin vetëm fjalë. Shpresa është që sipërmarrësit t’ia vënë veshin e Rama e qeveria e tij të realizojë ato që tha.

Keti Biçoku

(Ndiqni ShqiptariiItalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Vrasja e 26-vjeçarit Ndoji në Brescia. Me paramendim apo fatkeqësi?

Legittima difesa o giustizia fai-da-te?