Zëdhënësi Konja: “Me propozim të ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, Këshilli i Ministrave ka vendosur që pasaportat jobiometrike do të jenë të vlefshme si dokument udhëtimi deri në datën 1 mars 2012”.
Tiranë, 6 janar 2012 – Pasaportat e vjetra (jobiometrike) do të jenë të vlefshme deri në 1 mars të vitit 2012. Përmes një deklarate për shtyp, ministria e Brendshme informon të gjithë qytetarët shqiptarë se “afati i fundit i përdorimit të pasaportës së vjetër për jashtë shtetit (jo biometrike) dhe nxjerrja e saj jashtë funksionit, do të jetë 1 marsi i këtij viti”.
Dje shqiptariiitalise.com me një kërkesë me shkrim dërguar zëdhënësit të ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja, i kërkonte të kishte lajme zyrtare mbi kohëzgjatjen e pasaportave të vjetra shqiptare, për të cilat ditët e para të vitit zëvendësministri i Brendshëm Poni kishte deklaruar vlefshmëri deri në pranverë. Veç konfirmimit apo jo të lajmit, shqiptariiitalise.com i kërkonte zëdhënësit “a ka mundësi të më jepni një vendim qeverie, dekret ligj apo ligj që parashikon këtë gjë?”.
Zëdhënësi i ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja, mesditën e së premtes, duke iu përgjigjur drejtpërdrejt pyetjes së redaksisë së shqiptariiitalise.com, deklaron se “me propozim të ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, Këshilli i Ministrave ka vendosur që pasaportat jobiometrike do të jenë të vlefshme si dokument udhëtimi deri në datën 1 mars 2012”.
Dhe sqaron: “Ky vendim mbështetet në paragrafin e parë, të nenit 9, të ligjit nr. 10306, datë 22.07.2010 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8668, datë 23.11.2000, “Për pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaportë për jashtë shtetit, të ndryshuar”.
Në fakt në paragrafin e parë të nenit 9 të ligjit nr. 10.306, nen “dispozitash kalimtare” parashikohet: “Pasaportat e vlefshme jobiometrike mund të nxirren nga qarkullimi përpara mbarimit të afatit të vlefshmërisë me vendim të Këshillit të Ministrave”.
Me nxjerrjen jashtë përdorimit të pasaportës së vjetër, jobiometrike, nga data 1 mars 2012, të gjithë shtetasit shqiptarë do të mund të udhëtojnë jashtë shtetit vetëm me pasaportën e re biometrike.
Ministria e Brendshme informoi sot se treguesit e pajisjes së shtetasve shqiptarë me pasaporta biometrike janë shumë të kënaqshëm. Deri në 30 Dhjetor të vitit të kaluar, mësohet se kanë aplikuar për pasaporta biometrike 2.158.000 qytetarë, ndërsa janë lëshuar dhe dërguar në zyrat e “Aleat”, pranë rajoneve të policisë 2.150.000 pasaporta, ndërkohë që 2.116.000 qytetarë shqiptarë kanë në dorë tashmë pasaporta biometrike për udhëtim jashtë shtetit.
Asnjë sqarim për të gjithë ata shqiptarë që janë pajisur me pasaportat jo biometrike vitet e fundit të lëshimit të tyre: gjenden sot me një dokument të lëshuar rregullisht nga qeveria shqiptare, të vlefshëm akoma për disa vjet, por papritur e pakujtuar, me vendim qeverie, ai u nxirret jashtë loje. Do të detyrohen të paguajnë shumën e plotë për pasaportën biometrike, apo atyre që e kanë të vlefshme pasaportën e vjetër për më shumë se tre apo pesë vjet do t’u bëhet ndonjë zbritje nga çmimi? Nga viti 1991 deri më sot, shtetasit shqiptarë kanë ndërruar katër herë pasaportë. A është e sigurt që kjo e tanishmja biometrike nuk do të zëvendësohen me të tjera më të sigurta?
Lexo edhe: Histori e pasaportave shqiptare të tranzicionit
Shqiptari i Italisë