in

Pasaportat: orare (dhe radhë) të zgjatura në Shqipëri. Ende pezull aplikimi në Itali e Greqi

Në një intervistë që ministri i Brendshëm Basha i jep Deutsche Welle-s mbi temën e nxehtë të pasaportave biometrike tregon se është zgjatur orari i punës i zyrave në Shqipëri, ndërsa për aplikimin në Greqi e Itali ministri thotë që është gjë e sigurt por nuk jep asnjë hollësi më shumë nga ç’dimë deri më sot

Romë, 16 gusht – Në një intervistë dhënë për Deutsche Welle më 5 gusht, ministri i Brendshëm Lulzim Basha shpjegon se me kërkesë të ministrisë së tij, kompania koncesionare frënge “Aleat”, që merret me prodhimin e dokumenteve të reja të identifikimit, mban hapur zyrat e aplikimit më gjatë se orari i zakonshëm gjë që do të ndihmojë “në përballimin e fluksit të jashtëzakonshëm që përjetojnë këto zyra në sezonin veror për shkak të ardhjes së një numri shumë të madh të bashkëqytetarëve tanë që jetojnë jashtë vendit”.

Në të vërtetë, siç mësohet edhe nga faqet internet të ministrisë së Brendshme shqiptare, kjo i ka paraqitur kompanisë koncesionare ”Aleat” më 20.07.2010 kërkesën për aplikimin e orareve të zgjatura të punës në zyrat e aplikimit për dokumente identiteti pranë zyrave të Gjendjes Civile dhe në zyrat e shpërndarjes pranë komisariateve dhe drejtorive të policisë në qarqe. Dhe në përgjigje të kësaj kërkese, kompania po aplikon orare të zgjatura të punës në zyrat e aplikimit në 77 bashki e komuna dhe në 21 zyra të shpërndarjes së dokumenteve të identitetit.

Këto zyra do të jenë të hapura dhe ditën e shtunë. Ditën e diel do të jenë të hapura zyrat e aplikimit në 12 qytete qendër qarku si dhe në bashkitë Kavajë, Lushnjë, Sarandë, Kamëz si dhe në komunën Paskuqan. Në të njëjtën mënyrë do të punojnë edhe zyrat e shpërndarjes.
Ministria e Brendshme i ka kërkuar kompanisë koncesionare ”Aleat” që nëse do të ketë fluks qytetarësh dhe në bashki e komuna të tjera, të aplikohet regjimi i mësipërm si dhe të shtohet numri i bashkive e komunave ku punohet dhe ditën e diel varësisht nga fluksi i qytetarëve.

Ndërsa për aplikimin për pasaportë të emigrantëve në Romë, Milano, Athinë e Selanik, ministri nuk ka thënë më shumë nga ç’dihej deri më sot: vendimi është marrë nga qeveria por ministri nuk bën të ditur asnjë hollësi të mëtejshme. Në intervistën për Deutsche Well, ai është shprehur: “Në një perspektivë afatmesme ka përfunduar një marrëveshje mes Ministrisë së Brendshme dhe kompanisë koncesionare për hapjen e zyrave të aplikimit për pasaportat biometrike dhe kartat e identitetit në Romë, Milano, Athinë e Selanik. Ndërkohë që është lënë hapur mundësia për të shqyrtuar hapjen e këtyre zyrave edhe në poste të tjera konsullore të vendeve të BE-së”. Dhe më pas ka sqaruar se kjo marrëveshje është miratuar nga qeveria dhe pritet të diskutohet dhe të miratohet përfundimisht në parlament në sezonin e ri të vjeshtës. Pas votimit në parlament dhe botimit të saj në Fletoren Zyrtare gjithçka do të nisë nga funksionimi, “për t’u ardhur në ndihmë bashkëqytetarëve që qëndrojnë në ato vende”.

ke.bi.

 

Anbeta në Teatrin antik të Adrianopolit

Legalizimi i të mashtruarve