Anbeta Toromani e shoqëruar nga balerinët italianë, Alessandro Macaria, Marta Marcelli dhe Jonatan De Luis Mazagatos, interpreton pjesë koreografike nga “La lacrimosa”, “Madama Butterfly”, “Cliss”, “Hombres en falda” në skenën e Teatrit antik të Adrianopolit të Sofratikë.
Balerina shqiptare Anbeta Toromani, një nga më të njohurat sot në Itali falë emisionit Amici të Canale5-s, është kthyer pas shumë vitesh në një skenë të Shqipërisë. Të shtunën ajo bashkë me tre balerinë italianë kanë interpretuar pjesë koreografike në skenën e Teatrit antik të Adrianopolit të Sofratikë, një teatër i cili daton shekullin III pas Krishtit, rreth 14 km larg Gjirokastrës.
Kur dielli ishte në perëndim, përpara disa dhjetëra vetëve (publik jo i gjerë siç është mësuar të ketë zakonisht), artistja shqiptare e shoqëruar nga balerinët italianë, Alessandro Macario, Marta Mafalda Marcelli dhe Jonatan De Luis Mazagatos, ka intepretuar veprat koreografike “La lacrimosa”, “Madama Butterfly”, “Cliss”, “Hombres en falda” etj.
“Është një kënaqësi e madhe që në skenën e lashtë të Hadrianopolit, të interpretoj për herë të parë pas kaq vitesh për artdashësit shqiptarë ”, u shpreh e emocionuar Anbeta në fund të shfaqjes. Ajo tha se ishte e etur të “rrëmbente” duartrokitjet e publikut gjirokastrit.
Aktiviteti u organizua në mbështetje të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sportëve (MTKRS) dhe Ministrisë së Jashtme Italiane.
Suzana Turku, zv/ministria e Turizmit, Kulturë, Rinisë dhe Sporteve, pjesëmarrëse në këtë eveniment kulturor tha se pushteti qendror do të vazhdojnë të mbështesin të gjitha aktivitet kulturore që kanë si qëllim promovimin e siteve arkeologjike.
“MTKRS do të jetë gjithmonë dashamirëse ndaj njerëzve të kulturës, të cilët sjellin ide të reja për kulturën dhe traditën shqiptare”, tha Turku që ka vlerësuar artistët të cilët për 60 minuta kanë prezantuar një program të zgjedhur nga repertori i baletit klasik botëror.
Dhori Bilushi, koordinatori i projektit kulturor, tha me dashamirësi se koreografë të famshëm, si Diego Watzke, Roberto Maria Pizzuto, Alessandra Celentano apo Nicolas Rambaud i kanë “porositur” balerinët të interpretojnë skena të vështira, siç thotë ai, për të “vjedhur” sa më shumë duatrokitje nga admiruesit e këtij arti.
Kjo është shfaqja e dytë që zhvillohet në kohët moderne në teatrin antik të Adrianopolit, i cili përveç të tjerash vlerësohet për një akustikë të shkëlqyer. Qysh kur u vu “Bakantet”, kishte tre vjet që asnjë trupë dhe asnjë artist nuk kishte shkelur skenën e teatrit të këtij parku arkeologjik.
Arkeologu italian Roberto Pena, i cili prej pesë vjetësh ka nisur bashkëpunimin me Institutin e Arkeologjisë të Tiranë, tha se ky aktivitet u organizua në kuadër të projektit “Archadrin”, ku veç gërmimeve arkeologjike, studimeve dhe rasturimeve, një vend të rëndësishëm ka edhe rijetëzimi i një monumenti.
“Baleti mbi skenën antike të Adrianopolit, ishte “qershia mbi tortë”, pasi ky sit arkeologjik ka nevojë të promovohet”, pohoi Pena.
“Adrianopoli e mbylli ciklin e tij pas shekullit VII, duke mos pasur me shenja jeta, por artistët e rijetëzuan këtë momunent fal baletit klasik”, thotë Bilushi, duke shtuar se qyteti antik ka një skenë dykatëshe, me kapacitet prej 4 mijë spektatorësh, dhe është i pajisur me 27 shkallë dhe ka 4 hyrje.