in

Pasaportat: Së shpejti zyra aplikimi jashtë shtetit për emigrantët

Në një intervistë dhënë dje për ATSh-në, zv.ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, pohon se është gati një draft që pritet të diskutohet në Parlament, për përsosjen e sistemit të prodhimit të dokumenteve të reja. Ky draft ka si një ndër qëllimet parësore t’u vijë në ndihmë emigrantëve me anë të aplikimit në konsullata për letërnjoftimet elektronike dhe pasaportat biometrike

Tiranë, 3 shtator 2010 – “Një draft-amendament që pritet të çojë sistemin e prodhimit të dokumentave të reja të identitetit në perfeksion, pritet të diskutohet së shpejti në Kuvend”, ka pohuar më 2 shtator (dje) gjatë një interviste për ATSh-në, zëvendës ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, duke shpjeguar dhe katër pikat kryesore, ku mbështeten ndryshimet, që lidhem me persosmërinë e sistemit dhe hapjen e aplikimeve në konsullatat shqiptare në botë, në ndihmë të emigrantëve për pajisjen e shpejtë me pasaporta biometrike.

“Rritja e kapaciteteve të prodhimit të pasaportave deri në 6 mijë në ditë, nga 3  mijë që janë kapacitetet aktuale të prodhimit të tyre është një ndër pikat e draft-amendamentit”, tha Poni, pasi “për shkak të rritjes së kërkesave pas ardhjes së emigrantëve, kompania ka punuar mbi kapacitetet aktuale, duke e çuar deri në 5 mijë në ditë prodhimin e këtyre dokumentave”.

Mundësia e zgjidhjes në mënyrë korrekte dhe të ndershme të kërkesave për përshpejtim të prodhimit të pasaportave nga aplikuesit është një tjetër komponent i rëndësishëm i amendamentit. Poni shpjegon se “kërkesa për përshpejtim të afatit të prodhimit nga koncesionari, kërkon një regjim krejt ndryshe nga  prodhimi konform kapaciteteve aktuale, rrit koston e prodhimit. Ndaj përshpejtimi i prodhimit sipas këtij amendamenti, do t’i vendosë shtetasit në një marrëdhënie më të drejtë me koncesionarin lidhur me koston”. Sipas zëvendës ministrit të Brendshëm, kjo lidhet me faktin se shtetasit që aplikojnë për pasaportën e re e që janë të interesuar që ta marrin në një kohë sa më të shpejtë, do ta arrijnë kundrejt një pagese të detyruar, sikurse ndodh edhe në vendet e tjera.

Në sistemin biometrik të identitetit përfshihen edhe emigrantët, që vijnë nga vendet e treta për të shkuar drejt Europës, të cilët, bazuar në Konventën e Gjenevës, do të pajisen me dokumente të reja identiteti, që duhet t’u  përgjigjen standardeve të dokumenteve të reja shqiptare, sipas standardeve të biometrisë botërore. “Edhe ky është një tjetër komponent i rëndësishëm i amendamentit”, tha Poni.

Lidhur me shërbimin ndaj emigrantëve, me mjaft rëndësi mbetet pika që lidhet me hapjen e menjëhershme të zyrave të aplikimit në konsullatat shqiptare në Romë, Milano, Athinë e Selanik në shërbim të emigrantëve shqiptarë jashtë atdheut.
Ndërsa bën të ditur se është biseduar edhe me konçensionarin, zëvendës ministri i Brendshëm tha se “është punuar intensivisht nga firma konçesionare dhe ministria, për të parë mjediset ku do të kryhen aplikimet, duke shpresuar se deri në fund të muajit nëntor, do të nisë aplikimi për pasaportat biometrike për emigrantët, fillimisht në Athinë, për t’u pasuar edhe me vendet e tjera”. “Në se mundësia e aplikimit për dokumentat e reja të identitetit do të bëhet e mundur në këto konsullata, në bashkëpunim me koncesionarin do të shihet mundësia e hapjes së zyrave të aplikimit edhe në vendet e tjera”, tha Poni.
Sipas tij, ky shërbim, do të bëhet kundrejt një pagese pak më të lartë nga e prodhimit të tyre në Shqipëri, por që gjithsesi, do të jetë më i ulet se çmimi aktual i prodhimit të pasaportave të vjetra për jashtë shtetit. “Çmimi që marrëveshja me koncesionarin parashikon për këtë shërbim është më i ulët se çmimi aktual i prodhimit të këtyre dokumentave. Në se ky çmim aktualisht është 135 euro për një pasaportë për emigrantët, me marrëveshjen e re, ky çmim do të jetë rreth 100 euro nëse do të aplikohet në Athinë, Selanik, Romë, Milano, etj”, ka pohuar Poni.

Ai ka pohuar gjithashtu që pasaportat e vjetra do të jenë të vlefshme deri më 31 dhjetor të këtij viti: “Liberalizimi i vizave në fund të këtij viti për Shqipërinë përkon dhe me afatin e skadimit të pasaportave aktuale për jashtë shtetit. Pavarësisht kohës së skadimit të tyre, nga data 1 Janar 2011, ato  nuk do të jenë më të vlefshme dhe kjo është dhe kërkesë e Bashkimit Europian. Për të mos u ndodhur në kushtet e emergjencës, qytetarët shqiptarë duhet të aplikojnë për t’u pajisur me këtë dokument, pasi kanë privilegjin e madh që tashmë Shqipëria është në prag të liberalizimit të vizave, por ky proces ka kuptim vetëm me pasaportat e reja”, thotë zëvendës ministri i Brendshëm.

Brenda 1 viti, në Shqipëri janë prodhuar mbi një milion pasaporta biometrike. Çdo muaj prodhohen 50 mijë pasaporta të reja nga firma konçensionare, ndërsa  “në muajin gusht, u prodhuan  160 mijë të tilla”, është shprehur me kënaqësi zëvendës ministri.

“Caro Questore, io sono italiana”

Star Airways anulon fluturimet, asnjë lajmërim për pasagjerët