in

PE miraton heqjen e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën

Bruksel, 7 tetor 2010 – Parlamenti Europian ka miratuar sot me shumicë votash raportin e eurodeputetes Tanja Fajon për liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën.

Parlamenti Europian miraton me shumicë votash liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjen. Me 538 vota pro dhe 47 kundër është miratuar raporti i paraqitur nga europarlamemtarja Tanja Fajon për liberalizimin e vizave me dy vendet ballkanike.

Raporti thekson se Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina i kanë përmbushur tre kriteret kryesore për liberalizimin e vizave dhe se ato do të vazhdojnë të monitorohen për pjesën e mbetur të përpjekjeve që duhet të bëjnë. Para votimit eurodeputetja Fajon i bëri thirrje eurodeputetëve të votojnë pro heqjes së vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën. Një shumicë të konsiderueshme e eurdeputetëve ishin në favor të propozimit të Komisionit Evropian për heqjen e regjimit të vizave për Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën.

Raporti ka marrë tashmë edhe “ok-in” e Komisionit të Çështjeve të Brendshme dhe Drejtësisë si dhe Komisionit të Jashtëm të PE-së.

Nëse rezoluta e Fajon miratohet edhe nga Ministrat e Brendshëm të BE-së, në fillim të nëntorit, ajo do të hyjë në fuqi pas botimit në fletoren zyrtare, me gjasë para Krishtlindjeve 2010.

Edhe në seancën e djeshme plenare të Parlamentit Evropian u diskutua për heqjen e regjimit të vizave për Shqipërinë dhe Bosnjen. Në diskutim e djeshëm, deklaroi se sot do të votonte kundër mes të tjerëve edhe  eurodeputeti italian Mario Borghezio. Eurodeputeti belg Claeys, u shpreh gjithashtu kundër heqjes së vizave. Ai tha “Shqipëria ka lidhje me krimin e organizuar, nuk mund të fusim krimin në Evropë”. Edhe eurodeputeti holandez Van der Stoe tha dje se sot do të votonte kundër heqjes së regjimit të vizave për Shqipërinë. “Shqipëria është pjesë e Konferencës Islamike, si dhe është një ndër vendet më të korruptuara në Evropë, atëherë pse duhet t’i liberalizojmë vizat një vendi tërësisht të korruptuar”. Ndërsa eurodeputeti tjetër, Viktor Bostinaru, vuri theksin tek kriza politike në Shqipëri, e cila ende nuk është zgjidhur.

Lexo edhe:
Farnesina: “Kënaqësi për heqjen e vizave Shqipërisë dhe Bosnjës”

Basha: “Shqipëria përmbushi kriteret”

Aksidentet në punë, në një ditë tre shqiptarë

Iliria proteston në mbrojtje të shqiptarit të akuzuar për pedofili ndaj të birit