in

Pëllumb Xhufi: “Zëri ‘kombësi’ në census, antikushtetues”

“Në dritën e dy vendimeve të drejta të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka hedhur poshtë si ligjin e vitit 2003 për ndryshimin e kombësisë me një vendim të thjeshtë gjykate, ashtu edhe ligjin e vitit 2009 mbi shënimin e kombësisë në dokumentet e lëshuara nga zyrat e gjendjes civile, regjistrimi i fundit i popullsisë nuk mund të konsiderohet kushtetues”

Historiani Pëllumb Xhufi, vlerëson se procesi i regjistrimit në të cilin përfshihet zëri “kombësi” është antikushtetues. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, ai shpreh bindjen se nëse një institucion ose parti politike do të kërkonte shpalljen si antikushtetues të regjistrimit të popullsisë, Gjykata Kushtetuese do ta rrëzonte censusin.

“Vendimi i Gjykatës kushtetuese përshfuqizimin e termit “kombësi” nga dokumentet e gjendjes civile ishte padyshim një vendim i drejtë i bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, me standardet evropiane të mishëruara në kushtetutat e pothuaj të gjitha vendeve të BE si dhe në Rezolutat e Konventat e OKB dhe të Këshillit të Evropës, dhe me praktikat më të përparuara ndërkombëtare. Kushtetuta jonë, pra, sanksionon statusin më të avancuar të qytetarit evropian. Ajo përjashton çdo lloj qëndrimi diskriminues ndaj qytetarëve të vetë për shkak të origjinës etnike dhe kjo është një nga arsyet bazike pse Kushtetuta e miratuar në vitin 1998 u mirëprit nga vendet dhe institucionet partnere ndërkombëtare” shpjegon në intervistën e dhënë Shekullit, Pëllumb Xhufi. “Mirëpo, siç dihet, pas të regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë e të pasurive të vitit 2001, pala greke bëri një presion konstant mbi qeveritë shqiptare në mënyrë që regjistrimi i ri, ai i vitit 2011, të përfshinte edhe zërat “kombësi” e “besim fetar” si element identifikues të qytetarëve shqiptarë. Gjë që qeveria shqiptare e bëri, me gjithë protestat dhe akuzat e hapura për tradhti të përsëritur kombëtare, që iu bënë nga personalitete e organizata të shumta në vend” – vazhdon historiani. – “Nga organizatorët shqiptaro-grekë të këtij regjistrimi ishte parashikuar që do të ishin vetë qytetarët e pyetur që me një deklaratë të thjeshtë do të vendosnin se cila do të ishte kombësia e tyre. Kjo praktikë “e thjeshtësuar” do të bënte të mundur që numri i minoritarëve grekë të rritej ndjeshëm me të gjithë ata qytetarë shqiptarë që janë shqiptarë edhe me kombësi, por që në këta 20 vjet kanë marrë pensione e lehtësira të tjera nga shteti grek: pikërisht këtyre iu drejtua në prag të regjistrimit konsulli grek i Korçës, Ikonomou, duke u kërkuar me nota kërcënuese që të regjistroheshin si “grekë”. Në rast të kundërt, kuptohet, do të humbnin pensionet e lehtësirat e tjera për veten e familjarët e tyre që punojnë në Greqi”.

“Në vitin 2009, Kuvendi i Shqipërisë miratoi me votat e shumicës-kukull një ligj të sjellë nga qeveria, i cili sanksiononte që në dokumentet e lëshuara nga gjendja civile të figuronte edhe zëri “kombësi”. Kështu pra, ky ligj do të mbyllte qarkun e do të ligjëronte me vulën e firmën e zyrave të gjendjes civile kombësitë e rreme të gatuara e të mundësuara nga regjistrimi që do të bëhej në 2011. Për fat të mirë të drejtësisë e të shqiptarisë, Gjykata Kushtetuese mori parasysh ankimimin e bërë për këtë çështje nga disa gjykata rrethesh, duke mbajtur edhe kësaj radhe një qëndrim parimor e profesional. Kështu, e shpalli si antikushtetues këtë ligj, që kishte për mision të noterizonte një të ashtuquajtur “Shqipëri multietnike” që ekziston vetëm në mendjet e antishqiptarëve. Dua të kujtoj që para disa muajsh Gjykata Kushtetuese kishte shpallur si antikushtetues edhe një ligj të vitit 2003, pra të qeverisë Nano, i cili lejonte që me anë të një vendimi të thjeshtë gjykate, të mund të ndryshohej kombësia. Ky ligj, që tregonte faqen tjetër të zezë të politikës së korruptuar e të rekrutuar shqiptare, binte gjithashtu në kundërshtim me Kushtetutën tonë dhe me ligjin ndërkombëtar, sipas të cilit ‘kombësia nuk është një çështje e së drejtës, por një çështje fakti’”.

Pyetjes së gazetarit se ç’interes kanë përfaqësues të partive minoritare që janë shprehur kundër vendimit të Kushtetueses dhe që mendojnë t’i drejtohen për këtë Gjykatës së Strasburgut, Xhufi i përgjigjet duke renditur një sërë interesash të ulëta që qarqe të caktuara greke kanë përndjekur me zell kohët e fundit në dëm të Shqipërisë: “Për fat të keq përfaqësuesit zyrtarë të minoritetit grek, kryesisht, nuk përfaqësojnë interesat e komunitetit grek në Shqipëri, por ato të qarqeve nacionaliste e antishqiptare greke. Provoni të bëni një antologji të deklaratave të bëra në këto 20 vjet nga Dulet e Bollanot e Shqipërisë, e do të shihni se ç’helm kanë vjellë ata kundër këtij vendi, qytetarë të të cilit ata janë. Kush mund ta besojë se një qytetari të thjeshtë minoritar në Dropull apo në Delvinë i intereson që himariotët, korçarët, që të gjithë ortodoksët shqiptarë e vllehë të regjistrohen si “grekë”, që minoritarin e thjeshtë e të ndershëm grek nuk e zë gjumi deri sa të shohë se po zbatohet marrëveshja hileqare për ndarjen e kufirit detar me Greqinë, apo protokolli për ngritjen e varrezave monumentale greke në Kosinë apo në Boboshticë, makar edhe duke përdhosur varret e vjetra të vendasve? Jo, këto nuk janë shqetësimet e vërteta të minoritetit grek, që dëshiron të jetojë në paqe e në vëllazëri me shqiptarët, siç ka jetuar në shekuj e në kohë shumë herë më të trazuara se ato të sotmet. Sa për drejtuesit e “Omonias” e të ndonjë organizate tjetër që i shkon pas avazit, këta duhet ta dinë se në historinë e saj të re, Greqia ka gllabëruar jashtëzakonisht shumë popullsi shqiptare, të cilat nuk i ka “tretur” akoma. Do t’i plaste stomaku sikur të kërkonte të gllabëronte popullsi të tjera shqiptare me hiletë e demaskuara tashmë, siç është edhe kjo e regjistrimit të telekomanduar mbi bazë të vetëpërcaktimit të kombësisë apo ato të ligjeve të viteve 2003 e 2009, të saporrëzuara nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Sa i përket Strasburgut, jam i bindur që në atë gjykatë të nderuar evropiane ka shumë më tepër shans të ngjisë çështja tragjike çame, se sa një çështje me background të qartë nacionalist, siç është ajo e ndryshimit nën presion të panoramës etnike të Shqipërisë sipas orekseve otomano-bizantine të Athinës”.

Për Xhufin Censusi mund të konsiderohet i dështuar: “Në dritën e dy vendimeve të drejta të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka hedhur poshtë si ligjin e vitit 2003 për ndryshimin e kombësisë me një vendim të thjeshtë gjykate, ashtu edhe ligjin e vitit 2009 mbi shënimin e kombësisë në dokumentet e lëshuara nga zyrat e gjendjes civile, shtrohet pyetja: a mund të jetë kushtetues një regjistrim, si ai i porsa zhvilluar në vjeshtën e vitit 2011, i cili së pari përfshin zërin “kombësi” në një dokument zyrtar, dhe së dyti lejon, madje nxit, ndryshimin e kombësisë së të intervistuarit me një deklarim të thjeshtë gojor të tij? Unë jam i bindur se jo, dhe do të prisja që një institucion a parti politike të kërkonte shpalljen si antikushtetues të këtij regjistrimi nga ana e Gjykatës Kushtetuese”.

Fotot e të mbyturve të Katër i Radës ekspozohen në Otranto

Një varg nga Ferri i Dantes për Katër i Radës