in

Pensionet e emigrantëve. Marrëveshje Belgjikë-Shqipëri për njohjen e viteve të punës

Një ndër çështjet më të rëndësishme të emigrantëve shqiptarë që kanë punuar në Shqipëri e sot janë në një vend tjetër të botës, duket se ka gjetur zgjidhje për ata që kanë zgjedhur Mbretërinë e Belgjikës. Mbetet synim i autoriteteve shqiptare “lidhja e marrëveshjeve të tilla me vendet fqinje Itali dhe Greqi, ku jeton edhe pjesa më e madhe e emigrantëve shqiptarë”

Romë, 10 dhjetor 2013 – Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj dhe zëvendës kryeministrja dhe Ministrja e Çështjeve Sociale dhe e Shëndetit Publik, Laurette Onkelinx, kanë nënshkruar në Bruksel Marrëveshjen dypalëshe mbi Mbrojtjen Sociale, e cila mundëson njohjen e viteve të punës në Shqipëri e Belgjikë për 35 mijë emigrantët shqiptarë. Kjo marrëveshje u jep mundësi emigrantëve shqiptarë “të tërheqin me vete edhe kontributet e pensioneve që kanë depozituar në shtetin belg nëse vendosin të kthehen në Shqipëri, ose anasjelltas” komunikon ministria.

“Është hera e parë që nënshkruajmë një marrëveshje të tillë me një vend të Bashkimit Europian. Kjo do të shërbejë si etalon edhe për marrëveshje të tjera”. – thotë në media ministri Erion Veliaj pas nënshkrimit të marrëveshjes duke shtuar: “Sigurisht, meqë shumica e emigrantëve jetojnë në Itali e Greqi, aty është më i madh presioni për të pasur marrëveshje të tilla. Por duke qenë se këto marrëveshje kanë implikime të mëdha financiare, jemi shumë të lumtur që  të paktën kemi filluar me një shtet anëtar të BE-së”.

“Reformimi i sistemit të mbrojtjes sociale, sigurimeve shoqërore dhe sistemit shëndetësor janë prioritet për qeverinë, – ka nënvizuar Veliaj. – Në bashkëpunim me organizmat ndërkombëtare si Banka Botërore, FMN, Këshilli i Evropës, ILO etj, janë realizuar dhe po ndërmerren studime të rëndësishme për gjendjen e sistemit të mbrojtjes sociale, si dhe po monitorohen problematikat dhe mangësitë”.

Aktualisht, Shqipëria ka marrëveshje për mbrojtjen sociale me Turqinë, e cila është në zbatim, ndërkohë janë në proces negociimi marrëveshjet dypalëshe me Hungarinë, Rumaninë, Maqedoninë, Republikën Çeke, me Qeverinë e Luksemburgut dhe me Kanadanë. Synimi i MMSR-së për këtë proces të rëndësishëm është rritja e bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes shoqërore me vendet fqinje Itali dhe Greqi, ku jeton edhe pjesa më e madhe e emigrantëve shqiptarë.

 

Quhet Shkëlzim Malaj i vdekuri i gjetur në Bergamo

Kur “autoportretin” ta bëjnë të tjerë …