Është miratuar sot në Komisionin e Kuvendit për Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë projektligji i ratifikimit të “marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Belgjikës, për mbrojtjen shoqërore”, që mundëson njohjen e viteve të punës në Shqipëri e Belgjikë për 35 mijë emigrantët shqiptarë. e nënshkruar dhjetorin e shkuar nga ministrat e dy vendeve. Deri tani asnjë rezultat për marrëveshje të tilla me Italinë dhe Greqinë shtete ku është përqendruar numri më i lartë i shqiptarëve në mërgim.
Romë, 25 mars 2014 – Komisioni për Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë ka miratuar projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Belgjikës, për mbrojtjen shoqërore”. Projektligji do të kalojë në seancë plenare për miratimin përfundimtar më 3 prill.
Marrëveshja e ratifikuar në Komision, e nënshkruar dhjetorin e shkuar në Bruksel nga Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, dhe zëvendës kryeministrja dhe Ministrja e Çështjeve Sociale dhe e Shëndetit Publik, Laurette Onkelinx, mundëson njohjen e viteve të punës në Shqipëri e Belgjikë për 35 mijë emigrantët shqiptarë. Kjo marrëveshje ofron mbrojtjen në aspektin e sigurimeve shoqërore e të kujdesit shëndetësor. Ajo bazohet në parimin e trajtimit të barabartë të punëtorëve në punësim, trajtimin me përfitime dhe të ardhura. Rregullat koordinuese garantojnë që personat që lëvizin nga një vend në tjetrin dhe personat në varësi të tyre e të mbijetuarit të ruajnë të drejtat dhe përparësitë e fituara apo që janë duke i fituar. Për të siguruar të drejtën e përfitimeve dhe llogaritjen e pensioneve, do të merren në konsideratë të gjitha periudhat e punës sipas legjislacioneve kombëtare të Shqipërisë dhe Belgjikës.
Duke i bërë një panoramë ecurisë së këtij procesi edhe me vendet e tjera, proces mjaft i ndjeshëm në shoqërinë shqiptare për shkak të emigracionit të lartë, drejtori i Drejtorisë së Inspektimit të Marrëdhënieve të Punës, Pagave dhe të Punës nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Astrit Kuka, ka sqaruar se janë bërë përpjekje për të arritur marrëveshje të tilla edhe me Greqinë dhe me Italinë, por ato akoma nuk janë finalizuar. Ai ka pohuar se Shqiëria ka “marrëveshje të mirëfilltë vetëm me Turqinë. Me Rumaninë kemi bërë negociata, jemi në proces për miratimin, ndërsa me Bullgarinë nuk e kemi filluar, por do e fillojmë. Kemi marrëveshjen me Belgjikën që e konsiderojmë në hapat përfundimtare. Kemi përfunduar me Hungarinë dhe me Luksemburgun që është në proces përkthimi. Jemi në procedurë me Maqedoninë që ka ngelur vetëm për një nen për sigurimin shëndetësor të anëtarëve të familjes”.
“Edhe ne si opozitë jemi shumë dakord me këtë ratifikim të marrëveshjes ndërmjet Shqipërisë dhe Mbretërisë së Belgjikës. Do të duhet të bëni maksimumin tuaj për ta vënë si pikë ndër më kryesoret në axhendën e të gjithë titullarëve të qeverisë, dhe këtu them në axhendën e Kryeministrit, të Ministrit të Jashtëm, të Mirëqenies Sociale dhe të Rinisë në axhendën e bisedimeve sidomos me vendet si Italia, Gjermani, Anglia apo në ato vende që kanë shumë emigrantë shqiptarë”, është shprehur kryetarja e Komisionit të Shëndetësisë, Albana Vokshi.
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)