E madje do t’ju kërkojnë të ktheni edhe paratë që keni tërhequr. Guardia e Financave zbulon katër të moshuar, shqiptarë dhe marokenë që marrin çekun social në Itali, porse jetojnë në vendlindje: duhet t’i kthejnë INPS-it 25.000 euro. Kontrolle në gjithë Italinë.
Janë me mijëra prindërit e shqiptarëve që me dokumente rezultojnë banues në Itali, por në fakt jetojnë në Shqipëri. E shumë prej tyre, nëse kanë kartën e qëndrimit, tërheqin rregullisht çdo muaj, mëse 5.140 euro në vit si pension social që dyfishohen nëse janë burrë e grua në moshë pensioni. Jo keq për të jetuar qetësisht në Shqipëri, me një pension italian. Por është pension që u takon vetëm rezidentëve, dhe duket se INPS-i ka vendosur t’u presë rrugën “dinakëve” dhe të verifikojë një më një plotësimin e të gjitha kushteve, veçanërisht atë të rezidencës, që duhen përmbushur për përfitimin e çekut. E ka filluar në maj 2008 në Alba duke ndëshkuar katër vetë, dy shqiptarë e dy marokenë. Jo vetëm që u ndërpritet menjëherë pensioni, por duhet edhe të kthejnë mbrapsht shumën që kanë përfituar. Nëse kontrollet si ato të Albës do të bëhen vazhdimisht, shumë prindërve emigrantësh do t’u duhet të heqin dorë nga kjo “dhuratë” e Italisë, ose të bashkëjetojnë vërtet me fëmijët e tyre këtu. Në të kundërt – rasti i Albës flet vetë – do të rrezikojnë jo thjesht heqjen e pensionit por edhe kthimin mbrapsht të shumave të marra padrejtësisht dhe padinë e rëndë të vjedhjes me mashtrim ndaj shtetit.
Guardia e Financave e Albës (Cuneo) ka denoncuar në organet e drejtësisë katër shtetas të moshuar, dy shqiptarë e dy marokenë me akuzën e vjedhjes me mashtrim të Institutit të sigurimeve shoqërore, sepse marrin çekun social pa banuar me të vërtetë në Itali.
Historia e këtyre katër të moshuarve është e ngjashme me shumë e shumë të tjera. Shumë prindër sillen në Itali, ku marrin rezidencën, me bashkim familjar me bijtë e tyre që këtu punojnë e kanë ngritur familje. Falë faktit që bijtë kanë kartën e qëndrimit apo janë bërë italianë, edhe prindërit mund të marrin kartën e qëndrimit që me mbushjen e moshës 65-vjeçare u jep të drejtën e pensionit apo çekut social, që është asistencë në para që shteti u jep përmes INPS-it të moshuarve italianë, komunitarë dhe jokomunitarë me kartë qëndrimi, mbi 65 vjeç, me rezidencë efektive në Itali. Praktikisht, shteti merr përsipër të kontribuojë që të moshuarit që jetojnë në Itali (dhe vetëm këtu) të mund të kenë një minimum të ardhurash, që përcaktohet çdo vit, për përballimin e jetës. Pensioni social, duke qenë formë asistence në para nuk është i eksportueshëm jashtë Italisë: edhe italianët që transferojnë rezidencën e tyre jashtë Italisë e humbasin të drejtën e çekut social. Këtë vit ky minimum është 5.142,67 euro dhe të gjithë të moshuarit që fitojnë më pak apo nuk kanë asnjë të ardhur përfitojnë nga shteti një shumë që të arrijnë shifrën e lartpërmendur. P.sh. nëse një i moshuar shqiptar me kartë qëndrimi jeton në Itali, dhe në Shqipëri përfiton vetëm pensionin nga vjetërsia në punë prej 1.000 eurosh në vit, merr nga INPS-i një shumë prej rreth 4.140 eurosh për t’i bërë ballë jetës në Itali.
Ajo çka ndodh jo rrallë është që, të huajt jo vetëm nuk e deklarojnë fare ç’fitojnë në vendlindje, por as nuk jetojnë efektivisht në Itali: me pensionin e plotë social që marrin këtu, shkojnë e jetojnë në atdhe, ku 5 mijë eurot kanë edhe më shumë vlerë se në Itali. Për mosnjohje të ligjit ndoshta…
Për herë të parë, ndoshta edhe për shtimin e numrit të të huajve që përfitojnë pension social, kanë filluar të bëhen kontrolle si ai i Albës, ku Guardia e Financës ka paditur katër të moshuarit për vjedhje me mashtrim ndaj INPS-it. Pleqtë janë vërtet mbi moshën 65-vjeçare dhe nuk kanë të ardhura, por nuk janë “efektivisht dhe zakonisht” rezidentë në Alba dhe si të tillë nuk kanë të drejtë të marrin pensionin. Pleqtë jo vetëm kanë humbur të drejtën e pensionit por duhet të kthejnë mbrapsht edhe paratë e marra deri më sot (rreth 25 mijë euro) që sipas financierëve dhe INPS-it i kanë përfituar padrejtësisht.
Pikërisht mbi çështjen e rezidencës efektive të të huajve, më 4 qershor, selia qendrore e INPS-it u ka nisur një mesazh sqarues të gjitha zyrave periferike ku theksohet se “rezidenca efektive, e qëndrueshme dhe e përhershme në territorin italian është kusht themelor për të drejtën e asistencës në para”. INPS-i shpjegon në këtë mesazh se “selitë periferike duhet të procedojnë me pezullimin e çekut social në rast se përfituesi qëndron jashtë Italisë për një periudhë më të gjatë se një muaj, me përjashtim të rasteve kur kjo ndodh për motive të rënda shëndetësore e të dokumentuara nga i interesuari”. Më tej sqarohet se pas një viti nga pezullimi për motivin e sipërpërmendur, selia kompetente, duhet të verifikojë nëse i huaji qëndron apo jo në Itali dhe të vendosë për dhënien apo heqjen përfundimtare të çekut.
Në mesazh përcaktohen edhe mënyrat e verifikimeve, periodike dhe mjaft të hollësishme, të kushtit të rezidencës efektive. Fillimisht duhet të shqyrtohen situatat që ngjallin dyshime mbi qëndrimin e vazhdueshëm në Itali, si për shembull, kur pensioni nuk tërhiqet rregullisht, kur tërhiqet nga një i deleguar, apo kur pensioni akreditohet në llogari bankare apo postare. Në këto raste duhet të bëhen kontrollet e verifikimet më të përshtatshme, si për shembull, “verifikime në komunën e rezidencës përmes Autoriteteve përkatëse policore; marrjen e deklaratave nga konsullatat; kontroll i vulave të hyrjes dhe të daljes nga territori italian” duke kërkuar ndihmën e policisë municipale apo të autoriteteve të tjera të Sigurisë Publike për hetimet sipas kompetencave që kanë.
Nga mesazhi duket se INPS-i ka vendosur t’u presë rrugën “dinakëve” dhe të verifikojë një më një plotësimin e të gjitha kushteve, veçanërisht atë të rezidencës, që duhen përmbushur për përfitimin e çekut. Nëse kontrollet si ato të Albës do të bëhen vazhdimisht,shumë prindërve emigrantësh do t’u duhet të heqin dorë nga kjo “dhuratë” e Italisë, ose të bashkëjetojnë vërtet me fëmijët e tyre këtu. Në të kundërt – rasti i Albës flet vetë – do të rrezikojnë jo thjesht heqjen e pensionit por edhe kthimin mbrapsht të shumave të marra padrejtësisht dhe padinë e rëndë të vjedhjes me mashtrim ndaj shtetit.
Keti Biçoku, Bota Shqiptare 196, qershor 2008