in

Pensioni i emigrantit dhe sigurimi vullnetar pranë ISSh-së

Problem gjithnjë e më shumë i ndjeshëm ndër emigrantët në Itali, është ai i pensionit. Është veçanërisht fjala për ata që me moshë po shkojnë drejt daljes në pension, që gjatë këtyre 22 vjetëve kanë emigruar në moshë relativisht të madhe e kanë punuar qoftë në Shqipëri qoftë në Itali. Duke qenë se deri më sot nuk ka një marrëveshje mes Italisë e Shqipërisë për mbledhjen e viteve të punës nga dy anët e Adriatikut, ata nuk arrijnë të marrin as pensionin minimal qoftë këtej e qoftë andej. U mbetet shpesh të kërkojnë pensionin social (dhe të respektojnë kriteret për marrjen e tij, si qëndrimi efektiv në Itali). Por në Shqipëri diçka mund të bëjnë për të arritur vjetërsinë e pensionit, veçanërisht kur u mungon një periudhë e shkurtër për të marrë pensionin e plotë apo të pjesshëm. Të paguajnë kontributet shoqërore pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Mbi këtë çështje, drejtoreshae Drejtorisë së Kontributeve, Teuta Muço, u përgjigjet disa pyetjeve në faqet zyrtare të ISSH-së:
Ç’është sigurimi ullnetar?

Sigurimi vullnetar është një e drejtë e njohur shtetasve shqiptarë kur jetojnë jashtë shtetit por edhe të gjithë personave të interesuar, shtetas shqiptarë ose të huaj në Shqipëri. Në kushtet kur për të përfituar një pension pleqërie të pjesshëm apo të plotë nevojiten përkatësisht 15 dhe 35 vjet sigurim, është e rëndësishme që të mos krijohen ndërprerje në karrierën e punës dhe në periudhat e sigurimit.
Personat të cilët nuk janë në marrëdhënie pune në Shqipëri mund të bëhen klientë të skemës së sigurimit vullnetar që u njeh të drejtën për vazhdimin vullnetar të sigurimit në kushtet e ndërprerjes së sigurimit të detyrueshëm. Në këtë rast ata sigurohen për të gjitha degët e sigurimit që kanë pasur në sigurimin e detyrueshëm si: në rast sëmundjeje,  invaliditeti nga aksidenti në punë e sëmundjet profesionale, barrëlindje, si dhe për të gjitha llojet e pensioneve.
Kjo skemë njeh të drejtën për mbulim vullnetar të periudhave të kaluara. Si rrjedhojë personat e interesuar mund të sigurohen vullnetarisht për periudha të kaluara, që nuk janë mbuluar nga sigurimi i detyrueshëm, duke filluar nga 01.10.1993. Përfitimet në këtë fushë janë vetëm për pension pleqërie, invaliditeti dhe familiar.

Si mund të veprojë një qytetar i interesuar për kompletimin e viteve të punës për të përfituar pension të pjesshëm apo të plotë?

Për të përfituar një pension të plotë, duhen plotësuar dy kushte kryesore: mosha (e cila është 65 vjeç për meshkujt dhe 60 për femrat), si dhe vjetërsia në punë (35 vite), ku përfshihet dhe periudha e shërbimit ushtarak për meshkujt dhe koha e studimeve universitare për femrat. Shumë persona të larguar nga Shqipëria kanë një vjetërsi pune në qendra të ndryshme prodhuese dhe joprodhuese, për periudhën e jetuar në vend. Për përfitimin e një pensioni të pjesshëm kërkohen 15 vite sigurimi në punë. Aktualisht ka shumë shtetas që janë në prag përfitimi, por që u mungojnë 1 ose disa vite sigurimi. Në këto kushte, edhe periudhat e mbuluara humbasin. Mjafton që personat t’i mbulojnë me sigurim vullnetar këto vite të munguara e të plotësojnë deri në 15 vjet sigurime për të përfituar një pension të pjesshëm.

Sa është masa e kontributit dhe kushtet  për të qenë në skemën e sigurimit vullnetar?

Masa e kontributit të sigurimit vullnetar për të përfituar nga kjo skemë sot është 4.110 lekë në muaj, masë kjo që ndryshon çdo vit, si rrjedhojë e indeksimit vjetor të pensioneve. Kushtet që duhet të plotësojë çdo shtetas që të sigurohet vullnetarisht janë: të ketë mbushur moshën 18 vjeç deri në arritjen e moshës për pension. Gjithashtu, i interesuari duhet të bëjë sigurimin para lindjes të së drejtës për përfitim nga ligji për sigurimet shoqërore. Këta individë që do të përfshihen në këtë skemë nuk mund të sigurohen në sistemin e të vetpunësuarve në bujqësi, si dhe nuk mund të sigurohen në sistemin e sigurimit të detyrueshëm.

Si realizohet përfshirja në skemën e sigurimit vullnetar dhe a ka ndryshime mes procedurës që duhet të ndjekë një qytetar që jeton në Shqipëri dhe një emigranti?

Procedura është e njëjtë si për qytetarët shqiptarë që jetojnë në Shqipëri dhe për ata që jetojnë jashtë. Por ndryshe nga ata që jetojnë në Shqipëri, emigrantët në rast se nuk kanë mundësi të paraqiten personalisht, mund të autorizojnë të afërmit e tyre për të lidhur marrëveshjen pranë Agjencive Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në rrethin ku kanë banuar, sepse atje është arkivuar dhe vjetërsia në punë e tij. Personi i autorizuar, së bashku me një fotokopje të kartës së identitetit dhe librezën e punës, paraqitet në ALSSH, ku do të marrë informacionin e duhur për masën e pagesës dhe periudhës që duhet të kompletojë për të përfituar një pension të plotë ose të pjesshëm. Pas kësaj hartohet urdhër veprimi me të cilin i interesuari paraqitet në bankë dhe bën pagesën dhe mbi këtë bazë personi i autorizuar lidh një marrëveshje me sigurimet shoqërore. Në këtë moment emigranti konsiderohet i siguruar.
Kur kontributet paguhen për vitin në vijim mund të përfitohen ulje në varësi të pagesës që kryen qytetari. Në fillim të tremujorit zbritet 1,5% nga shuma e kontributeve, për pagesa gjashtëmujore zbritet 3% e kontributeve dhe vjetore zbritet 6% e shumës së derdhur për  kontribut.

Meqënëse rreth 1/3 e popullsisë shqiptare është në emigracion, Instituti i Sigurimeve Shoqërore, ka detyrimin moral dhe institucional për informimin e emigrantëve në lidhje me skemën e sigurimeve shoqërore
Një rëndësi të konsiderueshme ka nënshkrimi i protokolleve të marrëveshjeve me disa patronate në Itali si Patronati INAS CISL, i cili ka zyrë përfaqësimi dhe në Tiranë, si dhe  Patronati ACLI (Patronat ACLI, ka zyra përfaqësimi në Tiranë dhe Shkodër). Patronati INAS CISL, operon me 800 degë në të gjithë Italinë dhe në shumë vende të tjera, ndërsa Patronatet ACAI dhe ACLI, operojnë në 400 degë në të gjithë Italinë dhe në vende të tjera të Europës.
Për t’u ardhur në ndihmë emigrantëve që ndodhen në Itali është vendosur një numër telefoni në ISSh në Drejtorinë e Kontributeve, 0035542233400. Ky numër i shërben çdo emigranti që jeton në Itali për të telefonuar direkt nga zyra e Patronatit Acli në Romë për çdo informacion dhe paqartësi që ata kanë në lidhje me historitë e tyre kontributive, në lidhje me ndryshimin e normës së kontributit apo diçka tjetër që ka të bëjë me ligjin e sigurimeve shoqërore.

Si mund të veprojnë emigrantët për të konfirmuar periudhat kontributive që kanë në Shqipëri?

Krahas rolit të madh që luajnë Patronatet INAS CISL dhe ACLI, në konfirmimin e periudhave kontributive, konfirmimi i periudhave kontributive, për emigrantët bëhet edhe kur ata vijnë vetë fizikisht dhe e kërkojnë këtë nga organet e sigurimeve shoqërore, por edhe kur ndodhen jashtë vendit sipas kërkesës individuale, që bëhet ose nga vetë emigranti, ose nëpërmjet  patronateve të mësipërm, në Itali. Nëpërmjet patronateve, emigrantët bëjnë kërkesa në ISSH, duke plotësuar formulare 2 gjuhësh. Një nga formularët shërben për sqarime që kërkohen për legjislacionin e sigurimeve shoqërore, duke e lidhur dhe me problemet që kanë. Patronatet në formë elektronike e dërgojnë kërkesën në ISSH, ku për këto raste përgjigja jepet brenda ditës. Formulari tjetër shërben për konfirmimin e periudhave kontributive. Ky formular dy gjuhësh përmban gjeneralitetet e personit kërkues dhe rubrikat e punës dhe periudhat dhe institucionet ku ka punuar emigranti. Ai dërgohet në formë elektronike në adresat e publikuara të Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Menjëherë ISSH i dërgon kërkesën në formë elektronike dhe zyrtare DRSSh-së ku emigranti ka punuar dhe ka dokumentacionin e punës. DRSSH-ja brenda muajit bën konfirmimin e periudhës kontributive dhe ja dërgon ISSH-së në formë elektronike dhe zyrtare. ISSH, sapo merr konfirmimin në formë elektronike, e nis menjëherë në adresën e Patronatit përkatës për ta marrë emigranti kërkues. Me mbërritjen në rrugë zyrtare në ISSH,  dokumentacioni që konfirmon vjetërsinë në punë, i dërgohet zyrtarisht Patronatit për ta përcjellë në adresën e emigrantit. Ky dokument zëvendëson librezën e punës dhe është i vlefshëm për të gjitha  përfitimet që ofrohen nga legjislacioni i sigurimeve shoqërore.  

Cilat janë kategoritë që përfitojnë nga sigurimi vullnetar?
  • Një kategori relativisht e madhe personash janë në kushtet e emigracionit illegal, si dhe të regjistrimit me identitet të rremë, duke u përjashtuar nga skemat e mbrojtjes shoqërore të vendeve respective, si dhe nga përfitimi në rast të nënshkrimit të marrëveshjeve bilaterale me këto vende. Kjo kategori është e interesuar të përfshihet në skemë;
  • Kategoria e punonjësve sezonalë ose dhe part-time, në emigracion, është jashtë skemës së sigurimeve shoqërore;
  • Kategoria e grave shtëpiake, në emigracion, është jashtë skemës së sigurimeve shoqërore, si dhe e grave qe punojnë për pastrimin dhe mirëmbajtjen e shtëpive;
  • Në rast fatkeqësie, kur personi pëson aksident apo sëmuret, në kushtet e të qënit i siguruar dhe që plotëson kriteret, ai mund të marrë pension invaliditeti gjatë gjithë jetës së tij;
  • Në rast fatkeqësie ekstreme, vdekja e personit të siguruar, shoqëron dhënien e pensionit familjar për bashkëshorten dhe fëmijët.
Përgatiti Shqiptari i Italisë

Në Romë vendos vetë kur të shkosh në Sportel për flukse, sanatore apo bashkim familjar

Arrivano gli sconti … anche sulle multe stradali