in

Pensioni i pjesshëm i pleqërisë në Shqipëri

Në një manual të Institutit të Sigurimeve Shoqërore jepen detaje mbi llojet e pensioneve dhe kushtet e përfitimit të tyre.
Të dhënat e mëposhtme, mbi pensionet e pjesshme të pleqërisë, janë marrë pikërisht prej këtij manuali, ndaj janë zyrtare të ofruara nga ISSH dhe baza ligjore e përdorur
a- Ligji nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar;
b) Udhëzimi Nr. 2, i ISSH-së, datë 05.10.2005 “Për llogaritjen dhe indeksimin e bazës së vlerësuar dhe pagës neto për efekt pensioni”;
c) Rregullore Nr. 1, e ISSH-së, datë 19.10.2009 ” Mbi administrimin dhe llogaritjen e pensioneve”.

Kushtet e përfitimit të pensionit të pjesshëm:
Personat që kanë periudha sigurimi, kanë të drejtën e përfitimit të pensionit të pjesshëm të pleqërisë kur:
– Plotësojnë moshën 65 vjeç për burrat dhe 60 vjeç për gratë;
– Të kenë jo më pak se 15 vjet periudha sigurimi dhe jo më shumë se 35 vjet periudha sigurimi;
– Të jenë tërhequr nga veprimtaria ekonomike;
-. Për periudhën e tranzicionit, për moshën e daljes në pension zbatohet neni 92, i Ligjit Nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë“, i ndryshuar.

Dokumentacioni
Për të përfituar pension të pjesshëm të pleqërisë, i interesuari ose i autorizuari me prokurë, paraqitet në ALSSH të vendbanimit, sipas regjistrimit në gjendjen civile, për të bërë kërkesën e përfitimit të pensionit të pjesshëm të pleqërisë.
Përfituesi për pension të pjesshëm të pleqërisë, ose i autorizuari me prokurë, së bashku me kërkesën duhet të paraqesë dhe dokumentet si më poshtë:

a) Dokumentet që vërtetojnë moshën dhe identitetin:
– fotokopje e letërnjoftimit elektronik, ose certifikatë lindjeje me fotografi;
– certifikatë e gjendjes familjare;
– certifikatë martese (vetëm për aplikueset femra);
– dy copë fotografi.

b) Dokumentet që vërtetojnë periudhat e sigurimit dhe llojin e punës janë:
– libreza e punës;
– vërtetim për vjetërsinë në punë dhe llojin e saj;
– vërtetim për periudhën e sigurimit, e lëshuar nga zyra e arkivit pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore për punëdhënësit, të punësuarit, të vetëpunësuarit, të vetëpunësuarit në bujqësi dhe të siguruarit në mënyrë vullnetare, si dhe të siguruarit sipas VKM;
– vendim gjykate për njohje të vjetërsisë në punë (në se shikohet e arsyeshme);
– vërtetim i vjetërsisë në punë për ish-anëtarët e kooperativave bujqësore, para vitit 1992;
– vërtetim i Degës Ushtarake për periudhën e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak (për kërkuesit meshkuj);
– vërtetim-tip i vjetërsisë në punë për ushtarakët;
– fotokopje e noterizuar e diplomës së shkollës së lartë për kërkueset femra (kur kanë mbaruar studimet e larta, me shkëputje nga puna).

c) Për personat që përfitojnë nga Ligji Nr. 7514, datë 30.09.1991 “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë” duhen edhe:
– vërtetim i gjendjes gjyqësore;
– vërtetim për kohën e vuajtjes së dënimit, lëshuar nga Ministria e Rendit Publik;
– vërtetim për faktin e dënimit për motive politike dhe kohën e vuajtjes së tij, të lëshuar nga Komisioni i Ministrisë së Rendit Publik dhe Ministrisë së Drejtësisë;
– çdo dokument tjetër justifikues, që vërteton qenien në punë.

d) Dokumentet që vërtetojnë të ardhurat e realizuara:
– vërtetim page, sipas së cilës është derdhur kontribut për periudhat e sigurimit që nga 01.01.1994 deri në momentin e shkëputjes nga puna, sipas formularit tip (nëse ka punuar dhe ka derdhur kontribute për periudhat pas datës 01.01.1994);
– çdo dokument tjetër justifikues, që vërteton pagën ose derdhjen e periudhave kontributive.

Masa e pensionit të pjesshëm të pleqërisë:
Masa e pensionit të pjesshëm të pleqërisë caktohet si pjesë e pensionit të plotë të pleqërisë dhe llogaritet duke shumëzuar shumën e pensionit të plotë të pleqërisë, të llogaritur me kohën e periudhës së sigurimit, duke e vënë në raport me periudhën e sigurimit për 35 vjet.
Shembull: Në qoftë se përfituesi ka një periudhë sigurimi prej 18 vjetësh dhe masa e pensionit të plotë të pleqërisë është caktuar 12 000 lekë, masa e pensionit të përfituar do të jetë 12 000 *18 / 35 = 6.171 lekë.

(red.)

Lexo edhe: Pensioni i plotë i pleqërisë në Shqipëri

Pensioni i plotë i pleqërisë në Shqipëri

ZMK: “T’u hiqet licenca trageteve që abuzojnë me udhëtarët shqiptarë”