in

Pensioni i plotë i pleqërisë në Shqipëri

Në një manual të Institutit të Sigurimeve Shoqërore jepen detaje mbi llojet e pensioneve dhe kushtet e përfitimit të tyre.
Të dhënat e mëposhtme, mbi pensionet e plota të pleqërisë, janë marrë pikërisht prej këtij manuali, ndaj janë zyrtare të ofruara nga ISSH dhe baza ligjore e përdorur
a- Ligji nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar;
b) Udhëzimi Nr. 2, i ISSH-së, datë 05.10.2005 “Për llogaritjen dhe indeksimin e bazës së vlerësuar dhe pagës neto për efekt pensioni”;
c) Rregullore Nr. 1, e ISSH-së, datë 19.10.2009 ” Mbi administrimin dhe llogaritjen e pensioneve”.

Kushtet e përfitimit të pensionit të plotë:
Personat që kanë periudha sigurimi, kanë të drejtën e përfitimit të pensionit të plotë të pleqërisë kur:
a) Plotësojnë moshën 65 vjeç për burrat dhe 60 vjeç për gratë, si dhe të kenë plotësuar:
– 35 vjet periudhë sigurimi;
– Të jenë tërhequr nga veprimtaria ekonomike.
b) Nënat që kanë lindur 6 a më shumë fëmijë, të cilët janë mbi 8 vjeç, kanë të drejtë të dalin në pension kur mbushin moshën 50 vjeç dhe kanë 30 vjet periudhë sigurimi;
c) Për periudhën e tranzicionit, për moshën e daljes në pension, zbatohet neni 92, i Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

Dokumentacioni
Për të përfituar pension të plotë pleqërie i interesuari ose i autorizuari me prokurë paraqitet në Agjencinë Lokale të Sigurimeve Shoqërore (ALSSH) të vendbanimit, sipas regjistrimit në gjendje civile, për të bërë kërkesën e përfitimit të pensionit të pleqërisë. Përfituesi për pension të plotë pleqërie ose i autorizuari me prokurë, së bashku me kërkesën duhet të paraqesë dhe dokumentat e mëposhtme:

a) Dokumentat që vërtetojnë moshën dhe identitetin:
– Fotokopje e letërnjoftimit elektronik, ose certifikatë lindjeje me fotografi;
– Certifikatë e gjendjes familjare;
– Certifikatë martese (vetëm për aplikueset femra);
– Kur kërkohet pension si nënë me shumë fëmijë dhe në certifikatën familjare nuk figurojnë të gjithë fëmijët, duhet të paraqitet edhe certifikatë e veçantë lindjeje, martese ose vdekjeje, për fëmijët që nuk figurojnë në certifikatën e gjendjes familjare;
– Dy fotografi.

b) Dokumentat që vërtetojnë periudhat e sigurimit dhe llojin e punës janë:
– Libreza e punës;
– Vërtetim për vjetërsinë në punë dhe llojin e saj;
– Vërtetim për periudhën e sigurimit, e lëshuar nga zyra e arkivit pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore për punëdhënësit, të punësuarit, të vetëpunësuarit, të vetëpunësuarit në bujqësi dhe të siguruarit në mënyrë vullnetare, si dhe të siguruarit sipas VKM;
– Vendim gjykate për njohje të vjetërsisë në punë (në se shikohet e arsyeshme);
– Vërtetim i vjetërsisë në punë për ish-anëtarët e kooperativave bujqësore, para vitit 1992;
– Vërtetim i Degës Ushtarake për periudhën e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak (për kërkuesit meshkuj);
– Vërtetim-tip i vjetërsisë në punë për ushtarakët;
– Fotokopje e noterizuar e diplomës së shkollës së lartë për kërkueset femra (kur kanë mbaruar studimet e larta, me shkëputje nga puna).

c) Për personat që përfitojnë nga Ligji nr. 7514, datë 30.09.1991 “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të Dënuarve dhe të Përndjekurve Politikë” duhen edhe:
– Vërtetim i gjendjes gjyqësore;
– Vërtetim për kohën e vuajtjes së dënimit, lëshuar nga Ministria e Rendit Publik;
– Vërtetim për faktin e dënimit për motive politike dhe kohën e vuajtjes së tij, të lëshuar nga Komisioni i Ministrisë së Rendit Publik dhe Ministrisë së Drejtësisë;
– Çdo dokument tjetër justifikues, që vërteton qenien në punë.

d) Dokumentat që vërtetojnë të ardhurat e realizuara janë:
– Vërtetim page, sipas së cilës është derdhur kontribut për periudhat e sigurimit që nga 01.01.1994 deri në momentin e shkëputjes nga puna, sipas formularit tip (nëse ka punuar dhe ka derdhur kontribute për periudhat pas datës 01.01.1994);
– Çdo dokument tjetër justifikues, që vërteton pagën ose derdhjen e periudhave kontributeve.

Masa e pensionit të plotë të pleqërisë
Masa mujore e pensionit të plotë të pleqërisë përbëhet nga një shumë baze dhe nga një shtesë.
Shuma bazë e pensionit iu jepet të gjithë personave të siguruar. Shtesa që iu jepet personave të punësuar është 1 % për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësueshme, që i siguruari ka arritur nëpërmjet kontributeve, gjatë gjithë historisë së tij kontributeve. Shuma e përgjithshme e pensionit do të jetë jo më shume se dyfishi i shumës bazë, ose 75 % e pagës neto mesatare të 3 viteve rresht, në 10 vitet e fundit të punës të personit të siguruar, cila të jetë më e vogël.
Pensioni bazë përcaktohet me VKM.

(red.)

Lexo edhe: Pensioni i pjesshëm i pleqërisë në Shqipëri

Vritet një shqiptar e plagoset një tjetër

Pensioni i pjesshëm i pleqërisë në Shqipëri