Romë, 12 tetor 2011 – “Skena e brendshme politike e Shqipërisë ka qenë e dominuar nga vazhdimi i bllokimit politik dhe bojkoti i pjesshëm i Parlamentit nga opozita. Ky bllokim politik nis me zgjedhjet e përgjithshme të qershorit 2009. Rezultati i këtyre zgjedhjeve, edhe pse sipas OSBE/ODIHR-it përmbushën shumicën e standardeve ndërkombëtare, me ndonjë të metë, u kundërshtua nga Partia Socialiste. Incidentet e dhunshme të datës 21 janarit 2011, të cilat çuan në vdekjen e katër demonstruesve, keqësuarklimën emosbesimitmes dy partivetë mëdhapolitikesi edhe ndaj disa institucioneve të shtetit. Zgjedhjet vendore të 8 majit, si rezultat i numërimit të diskutueshëm të votave të hedhura në kutitë e gabuara dhe rezultatet e kontestuara në Tiranë, thelluan edhe më tej polarizimin midis shumicës qeverisëse dhe opozitës. Të gjitha këto ngjarje shmangën vëmendjen politike nga reformat aq të nevojshme të kërkuara nga BE”.
Kështu nis pjesa e konkluzioneve të Raportit lidhur me Shqipërinë që Stefan Fyle, komisioneri Europian për Zgjerimin prezantoi sot në mesditë, para anëtarëve të Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë në Parlamentin Evropian. Për arsye të “progreseve të kufizuara”, Komisioni Europian nuk rekomandon Parlamentin që Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit kandidat për në BE.
“Do të kisha dashur të shihja më shumë progres. Vitin e kaluar identifikuam 12 prioritete. Progresi është penguar nga ngërçi politik e bojkoti parlamentar, pavarësisht përpjekjeve tona për të mbështetur progresin. Kohët e fundit kemi pasur sinjale pozitive. Për Shqipërinë është urgjente që forcat politike të nisin dialogun dhe të mbajnë një nivel bashkëpunimi që do të lejojë përparimin e vendit drejt BE-së” – tha Fyle.
Komisioneri Fyle për Shqipërinë
Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fyle prezantoi mesditën e sotme në Parlamentin Europian progres raportin për vendet e Ballkanit Perëndimor, që aspirojnë të marrin statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian, mes tyre dhe Shqipëria. Në fjalën e tij, Fyle e cilësoi procesin e zgjerimit si shumë të rëndësishëm, ndërsa inkurajoi partnerët dhe vendet e interesuara që të zgjidhin sa më shpejt problemet me të cilat ndeshen dhe për të cilat ndërkombëtarët e kanë thënë fjalën e tyre.
Komisioneri Fyle, në një konferencë për shtyp, pas prezantimit të progres raportit, u shpreh se në Shqipëri progresi është penguar nga ngërçi politik dhe nga konfrontimet e vazhdueshme. Duke u bazuar në sinjale pozitive të kohëve të fundit, Komisioni inkurajon forcat politike në Shqipëri për të rivendosur dhe mbajtur një nivel të dialogut politik, duke lejuar funksionimin e institucioneve kryesore demokratike dhe zbatimin e reformave thelbësore. “Ka pasur sinjale për bashkëpunim, i cili duhet të vijojë për integrimin e vendit”, tha Fyle. “Duhet bashkëpunim për integrimin e vendit. Komisioni Evropian mbështet partitë politike në Shqipëri që ato të kalojnë interesat personale, në mënyrë që ky vend të bëhet një partner në procesin e integrimit”, theksoi ai.
Në vitin 2010 BE-ja ka përcaktuar dymbëdhjetë prioritete kyçe, të cilat vendi duhet t’i plotësojë për të arritur hapjen e negociatave për anëtarësim. Edhe pse progres është bërë në disa nga këto fusha, Komisioni nuk është në gjendje të rekomandojë hapat e mëtejshëm për Shqipërinë këtë vit.
Ndërkohë, njoftohet se përfaqësuesi i KE-së në Tiranë, ambasadori Ettore Sequi pritet t’u dorëzojë sot zyrtarisht autoriteteve të larta shqiptare, progres raportin e hartuar për Shqipërinë, ndërkohë që në orën 19.00 në Qendrën e Informimit të BE-së ai do të dalë në një konferencë për shtyp.
Përparon Serbia dhe Mali i Zi
Komisioni Evropian propozoi sot hapjen e bisedimeve për një anëtarësim në BE të Malit të Zi dhe dhënien e statusit të vendit kandidat Serbisë, një gjest që, sidoqoftë lidhet me afrimin e saj aktual me Kosovën.
“Mali i Zi, të cilit iu ofrua statusi i vendit kandidat vitin e kaluar, është tashmë gati për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit”, thekson Komisioni evropian duke përshëndetur “rezultatet e kënaqshme në të gjithë vendin në fushën e reformave dhe të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.
Për sa i përket Serbisë, Komisioni u rekomandon shteteve evropiane “t’i japin statusin e vendit kandidat, duke marrë parasysh përparimet e arritura deri tani, dhe duke rënë dakord se Serbia ka rifilluar dialogun me Kosovën dhe po përparon shpejt në vënien në zbatim në mirëbesim të marrëveshjeve të arritura deri tani me Prishtinën”.
Në mars, Beogradi dhe Prishtina kanë filluar një afrim historik nën mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian, duke pranuar dialogun për probleme që prekin marrëdhëniet e përditshme, si qarkullimi i mallrave ose shkëmbimi i regjistrave kadastralë. Por, ky veprim sot është pezulluar pas një rritjeje tensioni në veri të Kosovës.
Beogradi, që e kishte paraqitur kandidaturën e tij në dhjetor 2009, shpresonte më tepër dhe parashikonte gjithashtu të merrte një datë për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit. Por Ekzekutivi evropian rekomandon që bisedimet e anëtarësimit në BE të hapen me Serbinë “sapo ajo të arrijë përparime të tjera të dukshme për një normalizim të marrëdhënieve me Kosovën”.