in

Armando Kasaj për prokurorinë fshiu provat e 21 janarit, për gjykatën është i pafajshëm

Ish-shefi i IT-së në kryeministri, Armando Kasaj, i akuzuar nga prokuroria se kishte fshirë pamjet e filmuara më 21 janar, shpallet sot i pafajshëm nga Gjykata e Tiranës

Tiranë, 26 korrik 2012 – Gjykata e Tiranës e ka shpallur të pafajshëm ish-shefin e IT-së në kryeministri, Armando Kasaj, që ishte akuzuar nga prokuroria se kishte fshirë pamjet e filmuara më 21 janar.

Por trupi gjykues vlerësoi se Armando Kasaj nuk i kishte fshirë pamjet ashtu sikurse pretendonte organi i akuzës, duke e shpallur atë të pafajshëm.

Një seancë më parë, Prokuroria e Tiranës kërkoi dënimin me 2 vjet burg për Armando Kasaj, me akuzën e  “veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Vendimi i marrë në seancën e sotme, kur i pandehuri kishte kërkuar gjykim të shkurtuar, hodhi poshtë të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij për fshirjen e pamjeve të ngjarjeve të ‘21 janarit’ nga serveri qendror i Këshillit të Ministrave, duke e shpallur të pafajshëm.

Prokuroria kishte kërkuar dënimin me 2 vjet burg për specialistin e IT-së së Kryeministrisë për veprën penale të “veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe për shpërdorim detyre, por gjykata vlerësoi se Kasaj nuk i kishte kryer veprimet për të cilat ishte akuzuar më parë dhe se prokuroria nuk kishte hetuar aq sa duhej lidhur me çështjen.

Në deklarimet e tij, Kasaj kishte pranuar vetëm se ka kopjuar pamjet e një prej kamerave dhe gjithçka i është dorëzuar Gardës së Republikës.

Pas dhënies së vendimit, Kasaj tha se do kërkojë dëmshpërblim. “Drejtësia e provoi që jam i pafajshëm. Tani do të nis procedurat për dëmshpërblim”, deklaroi Kasaj menjëherë pas vendimit të marrë nga gjykata.

Nga ana e saj Prokuroria deklaroi se do të apelonte vendimin.

Kasaj u procedua në Gjykatën e Tiranës, në një proces të veçuar nga tre të pandehurit e tjerë të dosjes “21 janari”, ish-kreut të Gardës, Ndrea Prendi, ish-gardistin Agim Llupo dhe ish-shoferin e Prendit, Margarit Kume.

Francë Bie helikopteri ushtarak, gjashtë të vdekur

Përkrenarja dhe shpata e Skënderbeut