Në homazhe, veç të tjerësh edhe Nano e Meta. Asnjë nga përfaqësuesit e lartë të shtetit
Tiranë, 9 tetor 2011 – Ish presidenti i parë i Shqipërisë pluraliste Ramiz Alia është përcjellë sot për në banesën e fundit ndërsa homazhet për nder të tij, siç ishte parashikuar në Protokollin e Shtetit, janë zhvillua për rreth një orë, në Shtëpinë e Oficerëve.
Homazhe në nder të ish-presidentit Alia, kanë zhvilluar ish-kryeministri, Fatos Nano, kryetari i LSI-së Ilir Meta, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, deputeti Namik Dokle (PS), ish kryetari i Kuvendit, Servet Pëllumbi, historiani Pëllumb Xhufi. Nuk kanë qenë të pranishëm as presidenti Topi, as kryetarja e parlamentit Topalli, as kryeministri Berisha.
Ish-kryeministri Nano, vlerësoi kontributin e ish-presidentit Alia, në etapat e rëndësishme, deri në institucionalizimin e demokracisë. “Besoj se është në respektin e një epoke historike, e cila ka pasur protagonistët e saj, të shprehet respekt për kontributet e personaliteteve të luftës antifashiste nacional-çlirimtare, si dhe të rindërtimit të vendit pas saj. Në rastin e presidentit Alia, dua të shpreh vlerësimin tim, për kontributet e tij në etapat e rëndësishme të historise kombëtare deri në institucionalizimin e pluralizmit dhe demokracisë që gëzojmë sot”, deklaroi Nano.
Lideri i LSI-së, Ilir Meta duke vlerësuar figurën e Alisë në luftën antifashiste, tha se historianët do vlerësojnë figurën e tij, jo politikanët. “Nderimin më të mirë e bënë historia.Në këtë drejtim, dua të vlerësoj figurën e Alisë si një figurë e shquar e luftës antifashiste dhe për përpjekjet e tij, për të mirëkuptuar aq sa mundej pluralizmin politik. Në fund të fundit, është presidenti i parë i Shqipërisë pluraliste, i pari personalitet politik në demokraci, që jep dorëheqjen pasi humbi zgjedhjet me fitoren e demokratëve më 22 mars, të vitit 1992”, u shpreh Meta.
Edhe ish kryeparlamentari Pëllumbi, u shpreh për mediat se, Ramiz Alia është presidenti i parë i periudhës demokratike dhe i fundi, i periudhës komuniste, duke theksuar se “vetë kjo, flet për karakterin kontradiktor të vetë figurës së Alisë”.
Për historianin Pëllumb Xhufi, Ramiz Alia “përfaqësonte një figurë komplekse dhe tolerante që gjeti mënyrën më të mirë për të komunikuar në regjimin më të egër komunist”.
I lindur më 18 tetor 1925 në Shkodër dhe i diplomuar në shkollën e Partisë në Moskë (1954), Ramiz Alia ishte një prej figurave më të rëndësishme të Partisë së Punës së Shqipërisë dhe udhëheqësi i dytë dhe i fundit komunist në Shqipëri, gjatë viteve 1985-1992.
President i parë i Shqipërisë pluraliste, Ramiz Alia dha dorëheqjen në prill të 1992 pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 22 marsit 1992, zgjedhje të cilat u fituan nga Partia Demokratike.