in

Përgjegjësitë dhe misioni i ministrit të Shtetit, Pandeli Majko

Çfarë ka për detyrë të bëjë Pandeli Majko gjatë këtyre viteve si ministër për Diasporën. Është herë e parë që Shqipëria ka një ministër të tillë e nuk është e lehtë të kuptosh se çfarë i kërkohet e sa do të realizojë misionin e tij kur mandati të përfundojë. Të paktën teorikisht, jep përgjigje për këto vendimi i Këshillit të ministrave të 13 shtatorit 2017 që përcakton “fushën e përgjegjësisë shtetërore të ministrit të shtetit për diasporën”


Ja çfarë thotë:

Vendim për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrit të Shtetit për Diasporën

1. Miratimin e misionit dhe të fushës së përgjegjësisë shtetërore të ministrit të Shtetit për Diasporën, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.

2. Misioni i ministrit të Shtetit për Diasporën është të përfaqësojë e nxisë politikat e bashkëpunimit dhe të ndërveprimit me të gjithë shqiptarët, duke nxitur e fuqizuar bashkëpunimin në të gjitha fushat me shqiptarët jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë dhe shtetet ku ata banojnë. 

3. Ministri i Shtetit për Diasporën e ushtron veprimtarinë e tij në këto fusha përgjegjësie shtetërore:

a) Organizimin, hartimin dhe zbatimin e politikës shtetërore për shqiptarët jashtë kufijve shtetërorë dhe në shtetet ku ata banojnë, në bashkëpunim me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme;

b) Nxitjen dhe ndihmën për zhvillimin e komunikimit e të ndërveprimit të diasporës dhe shqiptarëve jashtë kufijve me përfaqësitë diplomatike të Republikës së Shqipërisë në shtetet ku ata banojnë;

c) Promovimin dhe ndihmën në rritjen e zhvillimin e vlerave e të traditave më të mira shqiptare te bashkëkombasit jashtë kufijve shtetërorë;

ç) Bashkëpunimin me organizatat ndërkombëtare për shprehjen dhe mbrojtjen e interesave të shqiptarëve jashtë kufijve shtetërorë;

d) Ndihmën në ruajtjen dhe kultivimin e identitetit kombëtar si dhe ndërmarrjen e iniciativave të promovimit të gjuhës, kulturës, traditave dhe çdo vlere kombëtare, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Ministrinë e Kulturës;

dh) Koordinimin e procesit për të garantuar regjistrimin dhe të drejtën e pjesëmarrjes së diasporës në votime, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë e Drejtësisë;

e) Organizimin dhe drejtimin e krijimit të Agjencisë Shtetërore të Diasporës;

ë) Koordinimin e organizimit të Samitit Kombëtar të Diasporës si dhe të konferencave të tjera kombëtare e ndërkombëtare për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet diasporës dhe Shqipërisë;

f) Bashkëpunimin me ministritë përgjegjëse për të inkurajuar investimet e huaja në Shqipëri.

4. Ministri i Shtetit për Diasporën përfaqëson dhe mbron interesat e shtetit brenda fushave të përgjegjësisë, sipas pikës 3, të këtij vendimi. 

5. Ngarkohet ministri i Shtetit për Diasporën për zbatimin e këtij vendimi. 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Kryeministri
Edi Rama

Sa do të jetë buxheti i ministrit për vitin 2018?

Zëri i “Shërbimeve për diasporën” prashikon vetëm 17 milionë lekë. Po t’i hedhësh një sy të shpejtë tabelës shoqëruese të Buxhetit 2018 të “shpenzimeve sipas institucioneve” është ndër më të vegjlit nga të gjithë zërat e shpenzimeve të institucioneve të ndryshme: më i ulët se ky zë janë vetëm ata për “Këshillin Kombëtar të Kontabilitetit” (12 milionë lekë), për “Mbështetjen për shoqatat” (8 milionë lekë) dhe ai për “Mbështetje për Organizatat e Veteranëve me Status” (2 milionë lekë).

17 milionë lekët do të ndahen për paga dhe kontribute e sigurime shoqërore, përkatësisht 10 dhe 2 milionë, për “mallra e shërbime” parashikohen 4 milionë të tjerë dhe për “shërbime kapitale të trupëzuara” një milion.

Si ministër shteti, pra pa ministri, Majko do të ketë në ngarkim një Agjenci për Diasporën, ligji i thmelimit të të cilës u votua në Kuvend më 18 dhjetor 2017. Sipas përcaktimit zyrtar, Agjencia do të jetë organi shtetëror përgjegjës për marrëdhëniet me diasporën. Ajo “ka për mision zhvillimin dhe thellimin e bashkëpunimit institucional me diasporen nëpërmjet përmirësimit të pozitës së anëtarëve të diasporës, si dhe mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të tyre në vendet ku ata jetojnë. Ajo ka për qëllim ofrimin e ndihmës për ruajtjen e trashëgimisë kulturore kombëtare dhe nxitjen e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet vendit të origjinës dhe diasporës”.

Gjithnjë nga Buxheti 2018, mësohet se Agjencia për diasporën për vitin e ardhshëm do të ketë 15 punonjës.

Sa do të arrijë të bëjë ministri Majko me këtë buxhet e me këtë agjenci është shpejt të thuhet. A janë të realizueshme apo thjesht objektiva të bukur që u ngjajnë premtimeve elektorale, pikat e ndryshme të VKM-së që përcakton fushën e përgjegjësisë shtetërore të ministrit të shtetit për diasporën?

I vetëdijshëm për vonesën shumëvjeçare të vëmendjes së shtetit ndaj thuajse gjysmës së popullsisë që jeton jashtë vendit, ai shprehet se parësore në punën e tij si ministër është sigurimi i të drejtës së votës prej atje ku jetojnë [pohime të tij në fillim të dhjetorit në Romë, kur për të parën herë takoi shqiptarë të Italisë si ministër për Diasporën].

 

 

3 kg kokainë në vend të librave në çantën e shkollës, arrestohet 14vjeçari

Natale nei Musei