Bari-Durrës-Bari
me “Riviera Adriatica”
31/07/2010
Bari-Durrës
Ora e nisjes 23.00 – Kabinë suitë
Sipas orarit imbarkimi duhet të fillonte në orën 20.00 po që në check-in na lajmëruan që nisja do të ishte me vonesë pa asnjë informacion tjetër. Nuk di të them sa makina kishte, por ishin shumë, vetëm autobusë na kaluan përpara syve mbi 20.
Pas shumë orësh pritjeje në portin e Barit i vetmi informacion që na u dha, në orën 2 pas mesnate, ishte:
“Të gjithë pasagjerët që kanë bërë check-in, me të gjitha tragetet, të nisen për imbarkim (!!!)”
Më në fund, pas shumë orë udhëtimi (me makinë nga Roma në Bari) dhe pritjeje më priste një kabinë extra-lusso (kështu shkruante bileta, të paktën).
Që në hyrje kuptoje që trageti kishte shumë kohë që udhëtonte, po vërtet shumë… Mund të them që ishte “i drobitur”…
Në derën e kabinës extra-lusso më priste një kuti lëngu frutash bosh që e largoj paksa me këmbë në një cep dhe të nesërmen në mëngjes e gjej po aty. Në kabinë vetëm krevatet ishin të ndërruara; një divan dhe një poltronë (që duhet të përbënin luksin) ishin të vjetra dhe shumë të pista, tavolina e palarë me një pyetësor sipër për cilësinë e udhëtimit, (të guximshëm, ama!), banja e vjetër me gjëra të thyera dhe sigurisht e papastruar. Besoj ishte e kotë të ankoheshe.
Dëgjohet lajmërimi: “self service është hapur, kuzhinë italiane dhe internacionale”.
Kur dal nga kabina shoh me dhjetëra burra, gra, fëmijë, të rinj e të moshuar, të shtrirë në sallon, në korridore, në kafene… kudo, të pajisur me batanije, çarçafë e jastëkë, “të organizuar”, me një fjalë. Sigurisht me atë çmim që kishte udhëtimi. Të ishin vallë plot të gjitha kabinat, sa më dhanë suitën e famshme?!
Kuzhina italiane dhe internacionale konsistonte në pulë e patate të skuqura të stërngrohura, të ditëve më parë besoj, makarona e mish bajate, djathë që nuk e di se i çfarë origjine ‘internacionale’ ishte.
Pas gjithë këtij “luksi” nuk më mbetej veç të flija.
Mëngjes, përshëndes përsëri kutinë e kartonit në derën e kabinës, kapërcej njerëz të shtrirë nga të katër anët dhe marr një kapuçino, jo që me tentativën e parë, sepse fillimisht baristi ma preu shkurt “S’kam qumësht për kapuçin”, pastaj nuk e di se ku e gjeti e ma bëri. Bëj një xhiro të vogël në “karretën” që po na çonte në Shqipëri. Kur kthehem të marr kafenë e dytë në tavolinat e “Solaris”, bari në pjesën e pasme të tragetit, nuk kishte vend ku të mbështesje asgjë. Shikoj përreth dy koshat e vetëm me etiketat “Vetëm ushqim” “Vetem qelq” (boh, të gjitha gjërat ishin plastike) stërplot dhe asnjeri që të vinte të pastronte, vetëm muzikë buçitëse, baristë që tundeshin dhe njerëz me fytyra të lodhura që pinin pa pushim, çdo gjë e hidhnin në tokë, edhe pse nuk kishte mënyrë tjetër.
Rreth orës 11, kur shikonim më në fund tokën (“terraaaaaa” m’u kujtuan filmat me emigrantët italianë kur shihnin Amerikën) lajmërojnë me altoparlantë që pas gjysmë ore do hynim në portin e Durrësit, jo më parë për shkak të trafikut të ngarkuar. Dhe kjo gjysmë ore u lajmërua disa herë rresht në intervale nga 10 min për tre orë të tjera.
Në dalje (mes 100 shtetësive të personelit) një i “yni” më thotë “ciao motra”!!!!
21/08/2010
Durres-Bari
Ora e nisjes 23.00 – Kabinë
Check-in në orën 22… apo më mirë, që nga ajo orë deri në 1 pas mesnate. Makinat shkonin përpara me hap njeriu, pa asnjë lloj informacioni përveç “ecni drejt tragetit”. Detyrohem të zbres nga makina për nevoja personale, dhe të ngjitem më këmbë në traget.
Gjej përsëri “vëllanë” tek hyrja që po luftonte me një zotëri, me të shoqen dhe tre fëmijë të vegjël, që kërkonte të shoqëronte familjen në kabinë dhe më pas të kthehej tek makina. E pamundur nuk lejohej dalja nga trageti pasi kishe hyrë. Motive sigurie? Boh, asnjë kontroll përveç biletës nga të dy krahët Nuk kishte njeri tjetër që t’i shoqëronte, të ndihmonte gruan me tre fëmijët??? Me duar te zëna siç isha, nuk mundesha. Zotëria hoqi dorë, për të shoqen ishte thuajse e pamundur të ngjitej vetëm me tre femijë të vegjël, një në krahë dhe dy të ngjitur pas fustanit … Se si ia doli nuk e di.
Për të tjerat e kotë të zgjatem, … déjà vu.
Bari, ora 14. Të paktën në destinacion. Me betimin se nuk do të marr kurrë më anijen për të shkuar në Shqipëri.
Brikena K., letër në redaksi
Lexo edhe: ZMK: “T’u hiqet licenca trageteve që abuzojnë me udhëtarët shqiptarë”
Duhet të mbërrija në Ancona, por më lanë në Bari