in

Përplaset trageti me një anije tregtare. 3 të vdekur dhe 5 të zhdukur

09.50 Rrëfimi i të mbijetuarve

Gjendja e dy marinarëve të shpëtuar nga anija tregtare që u përplas në orët e para të mëngjesit të sotëm mësohet të jetë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa nga ajri dhe deti vazhdon operacioni i kërkim shpëtimit për gjetjen e marinarëve që ndodheshin mbi bordin e anijes me flamurin maltez.

Burime nga spitali Rajonal i qytetit të Durrësit thanë pak më parë për ATSh-në se, Ahmet Baud 37 vjeç dhe Ahmet Setik, 54 vjeç, të dy nga Stambolli, ndodhen në spitalin rajonal të qytetit, jashtë rrezikut për jetën.

Dëshminë e parë të njërit prej tyre mbi ato çaste tragjike të fundosjes së anijes tregtare e sjell balkanweb.com. Sipas tij, anija udhëtonte nga Rusia drejt Malit të Zi ku duhet të arrinte në orën 7 të mëngjesit. “Trageti ‘Ankara’ u përplas me anijen tonë, ajo ishte një anije e vogël. Kemi qëndruar pezull në det vetëm një minutë, pastaj pamë që anija u fundos, rreth orës 1:00 të mëngjesit. U deshën vetëm dy minuta që anija të fundosej. Nuk pashë të tjerë të mbijetuar. Kam thirrur nëse kishte njeri nga anëtarët e tjerë të ekuipazhit. Por askush nuk u përgjigj përveç kolegut tjetër të mbijetuar” rrëfen ai.

“Brenda anijes ishin 5 nga shokët e mi. Kur anija po fundosej ishte presioni i ajrit që më nxori jashtë”. Dhe duke e kuptuar se për shokët që ndodheshin brenda anijes shpresat e shpëtimit janë të pakta, ai shpreson të gjenden gjallë të tjerët, që ndodheshin mbi kuvertë: “Shpresoj më gjithë shpirt të gjejnë shëndoshë ë mirë pjesën tjetër të ekuipazhit. Tre apo katër persona të tjerë ishin jashtë anijes dhe besoj se do të gjenden më lehtë”, uron ai.

09.30 Deri tani, vetëm dy të mbijetuarit

Nga fundosja e anijes tregtare për shkak të përplasjes me një traget i linjës Durrës-Bari rreth orës 1 të natës, 8 nga 10 anëtarët e ekuipazhit të kenë vdekur: deri tani janë shpëtuar vetëm dy të mbijetuar, janë rikuperuar në det tre trupa të pajetë e janë të humbur pesë persona të tjerë.

Kapiteni i përgjithshëm i porteve, Edmond Doraci, tha për ATSh-në, se ngjarja ka ndodhur rreth 20 milje larg portit të Durrësit, në orët e para të ditës së sotme. Trageti “Ankara”, i cili ishte nisur nga Durrësi drejt portit të Barit, është përplasur me anijen tregtare “Reina 1”,  me një kapacitet 3.500 ton, e cila lundronte nga një port rus drejt Malit të Zi.

Sipas Kapitanerisë së portit, anija tregtare me flamur maltez dhe me ekuipazh turk është fundosur shumë shpejt nga goditja e fortë dhe ekuipazhi i tragetit ka mundur të shpëtojë vetëm dy prej marinarëve të saj dhe të rikuperojë trupin e pajetë të një marinari tjetër.

Burime zyrtare nga Policia e qytetit bregdetar thanë  për ATSh-në se marinarët e shpëtuar quhen Ahmed Baud dhe Ahmed Setik. Ata ndodhen në spitalin rajonal të Durrësit dhe po marrin ndihmën mjekësore.

Në vendngjarje, përveç tragetit “Ankara”, vazhdojnë të kërkojnë të mbijetuarit e mundshëm edhe anija ushtarake “Iliria”, anijet e Rojes bregdetare, si dhe skafet e Policisë së Kufirit.

Romë, 20 tetor 2011 (ora 8.30) – Një fatkeqësi detare ka ndodhur orët e para të mëngjesit. Trageti i linjës Durrës-Bari “Ankara” është përplasur me anijen tregtare “Reina I” që shkonte drejt Malit të Zi. Përplasja ka ndodhur në ujëra ndërkombëtare, rreth 20 milje nga bregdeti .

Anija tregtare, me 10 vetë të ekuipazhit, të gjithë qytetarë turq, është fundosur me njëherë. Ndërsa trageti me 196 pasagjerë që nuk ka pësuar asnjë dëm, ka qenë ai që është përpjekur të japë ndihmën e parë të njerëzve në det: ka rikuperuar tre persona nga të cilët dy të vdekur. Më pas, falë ndërhyrjes së mjeteve lundruese shqiptare dhe të një motovedete italiane me bazë në Durrës, janë rikuperuar edhe dy persona të tjerë: një i vdekur.  Vazhdojnë ende operacionet e kërkim – shpëtimit, me zbardhjen e ditës edhe nga ajri nëpërmjet helikopterëve, për shkak se deti mund ti ketë larguar 5 pjesëtarët e tjerë të ekuipazhit të cilët rezultojnë të zhdukur.

Mësohet se në tragetin e linjës Durrës – Bari udhëtonin  196 pasagjerët dhe asnjë prej tyre nuk është lënduar. Kapitaneria e Portit, policia dhe spitali i Durrësit janë vënë në gatishmëri dhe është ngritur shtabi i emergjencës.

Nuk njihen as shkaqet as dinamika e aksidentit.

Ekspozitë e përhershme për Nënë Terezën, në muzeun historik kombëtar

Lavitola Metës: “Takohemi nesër në Farnesina”