Vendimi i këshillit legist komunal të Bolgares është diskriminues, komuna duhet t’u kthejë mbrapsht paratë imigrantëve. ASGI: “Një akt taksimi ndëshkues bazuar mbi etninë”
Romë, 19 gusht 2014 – “Nuk detyrojmë asnjë të rrijë këtu. Nuk jemi një qendër tregtare që duhet të krijojë kushtet më të mira për klientët e vet…”. Kështu u përgjigjej Luca Serughetti, atyre që i kërkonin llogari për super-taksën mbi imigrantët që u fut në fuqi me një vendim të këshillit të komunës, i gjithi legist. Nga janari i shkuar, në komunën e vogël të Provincës së Bergamos, një i huaj që kishte nevojë për certifikatën e përshtatshmërisë së strehimit (italisht “idoneità alloggiativa”) për t’u regjistruar në listat e popullsisë së komunës, për të kërkuar kartën e qëndrimit apo për të sjellë në Itali familjen me bashkim familjar duhet të paguante plot 500 euro (po, po, pesëqind). E nuk ishte herë e parë që e ngrinin këtë tarifë: kishte qenë 35 euro deri në vitin 2011, kur e ngritën dhe e bënë 150 euro.
Justifikimi i këtij vendimi? Në komunë, lexohej në vendimin e Serughettit e të këshillit të tij, ishin shtuar “episode mikrokriminaliteti e keqbërësish”. Këto episode kishin detyruar personelin komunal të ndërmarrë “ndërhyrje, kontrolle dhe verifikime të kushtueshme”, që kanë kërkuar “forca”, “përdorim energjish fizike e mendore” dhe “ndërhyrje për sistemimin e pasurisë shtetërore të dëmtuar”. Me pak fjalë, kishin shtuar shpenzimet e Komunës. E në vend që këto shpenzime t’ua kërkonte të gjithë taksapaguesve, këshilli pati idenë gjeniale: “të kufizojë të paktën pjesërisht këtë barrë, duke konsideruar të drejtë t’ia ngarkojë pjesërisht individëve jokomunitarë”. Sipas parimit: paguan më shumë sepse je i huaj.
Arsyetimi nuk mund të qëndronte në këmbë, e në fakt, para pak ditëve, gjykata e Bergamos ka hedhur poshtë supertaksën si diskriminuese, pasi rezultoi “një disavantazh për të gjithë të huajt që dëshirojnë të banojnë në Komunën e Bolgares, duke u kërkuar atyre një shumë tejet të lartë e të pajustifikuar për lëshimin e certifikatës së përshtatshmërisë së strehimit”. Serughetti me shokë duhet të anullojnë vendimin dhe t’u kthejnë mbrapsht imigrantëve paratë që u kanë marrë padrejtësisht.
Gjykatësit kanë pranuar padinë e ngritur nga Cgil Bergamo, Asgi dhe Cooperativa Ruah bashkë me tre të huaj rezidentë në Bolgare. Sentenca detyron Komunën “t’i japë fund sjelljes diskriminuese, apo më saktë, për të zhdukur diskriminimet e verifikuara, të tërheqë vendimin në fjalë, duke u kthyer mbrapsht, në cilësinë e dëmshpërblimit, shumën prej 350 eurosh të gjithë të huajve që kanë dhënë 500 euro në Komunë gjatë periudhës kur vendimi ka qenë në fuqi”.
Për avokatët Alberto Guariso e Marta Lavanna të Asgi-t që kanë ndjekur çështjen gjyqësore, është anulluar kështu “një nga masat diskriminuese më të bujshme të vërejtura vitet e fundit”, “një akt taksimi ndëshkues i bazuar mbi etninë”. “Duke e bërë jashtëzakonisht të kushtueshme një certifikatë që të huajt e kanë të domosddoshme për ushtrimin e të drejtave të tyre themelore, – nënvizojnë avokatët – Këshilli komunal përpiqej të shtynte imigrantët të kërkonin rezidencën në komuna të tjera”.
Në këtë histori ka mbetur edhe një tjetër çështje akoma e hapur. Në vendimin e këshillit thuhet se përshtatshmëria e strehimit është dokument i domosdoshëm për regjistrimin në zyrat e Gjendjes Civile së komunës, por kjo nuk është e vërtetë: Këshilli i Shtetit ka hedhur poshtë që në qershor 2012 këtë praktikë të komunave duke e konsideruar të paligjshme. Për këtë arsye, ministria e Brendshme i ka kërkuar Prefekturës së Bergamos të dërgojë inspektimin Bolgare.
Elvio Pasca
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)