Kërkova bashkimin familjar për të sjellë në Itali familjarët e duhet të paraqes një certifikatë “përshtatshmërie strehimi”. Si do të kuptojnë nëse shtëpia ime mjafton? Nga se varet?
Romë, 18 mars 2016 – Certifikata e përshtatshmërisë së strehimit është dokument i domosdoshëm për praktika të ndryshme administrative që duhet të bëjnë imigrantët në Itali. Është fjala për bashkimin familjar, flukset e hyrjes për punë e deri te karta e qëndrimit për vete e familjarët.
“Përshtatshmëria e strehimit” (Idoneità alloggiativa) lëshohet nga Komuna, që vlerëson nëse shtëpia është e përshtatshme për të garantuar jetesë dinjitoze të personave që do të banojnë aty. Parametrat kryesorë që merren si pikë referimi duhet të jenë të vlefshëm si për të huaj ashtu edhe për italianë, e është e mira, të jenë të njëjtë në të gjithë Italinë. Për këtë arsye ministria e Brendshme, me qarkoren nr. 7170/2009 të 18 nëntorit 2009, udhëzon të gjitha Komunat t’i referohen “dekretit të 5 korrikut 1975 të ministrisë së Shëndetësisë që përcakton kriteret higjieniko-sanitare kryesore të mjediseve të banimi dhe që saktëson edhe kriteret minimale të sipërfaqes së banesave, në raport me numrin e personave që do të jetojnë në të”.
Dekreti përcakton, mes të tjerash, që lartësia duhet të jetë të paktën 2,70 metra (2,55 për strehimet në komunat malore). Duhet të ketë të paktën 14 m2 për secilin prej katër banorëve të parë dhe nga 10m2 për të tjerët, nga i pesti e lart (për shembull për 4 banues duhen pasur 56 m2, për 6 nevojiten 76 m2, e kështu me radhë). Dhomat e gjumit duhet të jenë të paktën 9 m2 nëse janë për një person e të paktën 14 nëse është për dy persona. Edhe dhoma e ndenjies prej të paktën 14 m2. Madje dhomat e gjumit, e ndenjies dhe kuzhina duhet të kenë dritare.
Parametrat ndryshojnë për banesat me një dhomë (monolocale). Nëse banohen nga një person i vetëm duhet të kenë sipërfaqe, përfshirë banjën, jo më të vogël 28 m2, por nëse personat janë dy sipërfaqja duhet të jetë të paktën 38 m2.
Dekreti përcakton gjithashtu që shtëpitë të kenë sistem ngrohjeje, që në dhoma të ketë ndriçim dhe mundësi për ndërrim ajri të përshtatshëm dhe që të garantohet aspirimi i tymrave dhe avujve. Për çdo banesë duhet të ketë të paktën një banjë, e cila duhet të ketë dritare ose pajisje mekanike ajrimi dhe të paktën njëra nga banjot e shtëpisë duhet të ketë të paktën këto pajisje hidro-sanitare: WC, bidè, lavaman dhe dush apo vaskë.
Stranieriinitalia.it/ Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)