in

Përshtatshmëria e vendbanimit nuk vetëcertifikohet. E domosdoshme certifikata

Nevojitet për bashkimet familjare. Ministria e Brendshme: “Nuk është certifikatë si të tjerat, komunat duhet ta lëshojnë pasi të kryejnë verifikimet e nevojshme”

Romë, 21 maj 2012 – Certifikata e përshtatshmërisë së vendbanimit është një dokument ndoshta i panjohur për italianët por shumë i famshëm ndër të huaj që e kanë të domosdoshëm për të sjellë në Itali gruan, burrin apo fëmijët

Teksti unik për imigracionin parashikon në fakt që kush kërkon bashkim familjar duhet të tregojë se ka të ardhura të mjaftueshme për të mbajtur veten dhe familjen si edhe një vendbanim “konform kritereve higjienike e sanitare, pra të përshtatshëm”. Këto cilësi duhet “të vërtetohen nga zyrat kompetente të komunës”.

Por normat e reja mbi vetëcertifikimet kishin krijuar pak rrëmujë. Nga 1 janari zyrat publike nuk mund të lëshojnë certifikata për t’ua treguar zyrave të tjera publike, që mund të verifikojnë vetë informacionet që kërkojnë të dinë. Por si të veprohet me “përshtatshmërinë e vendbanimit”? A mund të vetëcertifikohet?

“Jo” thotë sërish sot ministria e Brendshme. “Dëshmia e përshtatshmërisë së strehimit e parashikuar nga neni 29 i dekretit legjislativ nr 286 i 25 korrikut 1998 – shpjegon sot një qarkore – që ka formën e dëshmisë së konformitetit teknik e lëshuar nga Zyrat e komunës nuk është e natyrës së certifikatave të zakonshme, ndaj edhe nuk mund të zëvendësohet me vetëcertifikim”. Në fakt për lëshimin e këtij dokumenti, zyrat kryejnë “verifikime me karakter të pastër teknik”.

Me fjalë të tjera, vetëm Komuna mund të thotë nëse një banesë është apo jo e përshtatshme, dhe duhet ta shkruajë në një dëshmi që paraqitet më pas në Sportelin Unik për imigracionin ku kërkohet bashkimi familjar. Mbi këtë dokument nuk duhet të ekzistojë as shënimi “kjo certifikatë nuk mund t’i paraqitet organeve të administratës publike apo administruesve privatë të shërbimeve publike”.

Shkarko qarkoren e 21 majit mbi dëshminë e përshtatshmërisë së strehimit
Lexo edhe: Autocertifikimet. Sqarimet për imigrantët

Elvio Pasca

 

Pse tremb vota e emigrantëve?

Aksidenti në Himarë, një nga ngjarjet më të rënda e viteve të fundit