in

Përurohet monumenti i 100 vjetorit të Pavarësisë

Monumenti i 100-vjetorit të Pavarësisë, i autorëve Visar Obrija dhe Kai Kikls, u përurua sot në mbrëmje në parkun “Rinia”, në prani të kryeministrit Berisha dhe personaliteteve të larta të vendit si dhe të ftuarve nga bota.

Ministri i Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, tha në ceremoninë e përurimit të monumentit se ai përfaqëson një vend që tani është i lirë, i hapur mbas një diktature dhe izolimi të thellë.

Monumenti, i shpallur fitues nga konkursi ndërkombëtar i Galerisë Kombëtare të Arteve, u realizua në Austri. Vepra është 6,4 metra e lartë dhe rreth 5,5 metra e gjerë, duke përfshirë edhe rrugën pedonale, që do të kalojë nëpër të.

Monumenti i dy arkitektëve që jetojnë në Gjermani, përbëhet nga dy trupa që përfaqësojnë një kullë të hapur dhe të rrotulluar, ku një pjesë mban tavanin dhe tjetra dyshemenë. Monumenti i 100-vjetorit është  prej çeliku, ndërkohë që në anët e jashtme ka panele bronzi, të cilët janë si piramida të thyera herë nga brenda dhe herë nga jashtë, duke mundësuar kështu ndriçimin e brendshëm të monumentit edhe natën.

Sipas perceptimit të autorëve, vizitori nga trupi i parë krijon idenë e shtypjes, izolimit, ndërsa trupi i dytë është ai që përcjell ndjenjën e lirisë dhe pavarësisë, ku dyshemeja e të cilës simbolizon themelin mbi të cilin është ngritur liria.  

Trupat janë në një kënd 45° nga njëri-tjetri dhe kjo bën që nga kënde të ndryshme monumenti të ketë pamje të ndryshme. Idenë e tyre autorët e kanë shprehur përmes një banese të hapur si dy gjysma kubi, ku njëra gjysmë mbas çatinë e tjetra platformën, mes të cilave qytetarët mund të kalojnë. Në brendësi të një trupi do të jetë e gdhendur Deklarata e Pavarësisë, kurse në trupin tjetër shqiponja. Bronzi nxihet me kalimin e kohës, ndërkohë që pjesët që mund të preken nga vizitorët nuk do të nxihen dhe kjo mundëson që monumenti të ndryshojë pamje vazhdimisht.

Ndërtimi i këtij monumenti kërkonte teknologji të precizonit të lartë. Kjo lloj infrastrukture në Shqipëri nuk ekziston, ndaj u vendos që ai të realizohej nga një kompani që ka në referencën e tyre punë të ngjashme me metal. Kostot e realizimit të monumentit është rreth 450 mijë euro.

Monumenti i Visar Obroja dhe Kai R. Kiklas u shpall nga Komisioni Shtetëror i Festimeve si monumenti fitues i 100-vjetorit të Pavarësisë, pas konkursit të zhvilluar në GKA, ku morën pjesë 61 artistë shqiptarë dhe të huaj.

Kadare: Shekulli i fundit më i rëndësishmi e më dramatiku për shqiptarët

Shqipëria festoi 100 vjetët e saj të parë