in

Përvjetori i vdekjes së Kolgjegjës shpallet ‘Dita e punëtorit shqiptar në Itali’

Dy vjet pas vdekjes tragjike në punë të Albert Kolgjegjës, në Gjenova themelohet një kooperativë shqiptarësh dhe “dita e punëtorit shqiptar në Itali”. Por ende asnjë fajtor për vdekjen e të riut

Romë, 15 nëntor 2005 – Quhej Albert Kolgjegja. Vdiq në 8 nëntor 2003, në një nga ato aksidente, që janë të destinuara të mbeten për një kohë të gjatë në kujtesën e opinionit publik. Vdiq nën tonelata gërmadhash, për faj të një sëre gabimesh teknike gjatë ndërtimit të Muzeut të Detit, në Gjenovë. Dy vjet më vonë, mbi soletën e tretë të këtij Muzeu – pikërisht atë nën të cilën mbeti muratori shqiptar – ofrojnë aperitivë shoqëruar me fokaçe. Shtatë euro. Por ia vlen barra qiranë, sepse shërbimi është i shkëlqyer dhe nga tarraca mund të shijohet pamja e Porto Antico-s.

Festimet kanë nisur një ditë pas deklaratave zyrtare që tingëlluan si një lloj marrjeje distance e kujdesshme nga ngjarja e para dy vjetëve. Përmendja e Kolgjegjës rrezikonte të hapte një plagë edhe më delikate: atë të punëtorëve që vazhdojnë të punojnë “në të zezë” në mijëra kantiere gjenoveze.

Nga tragjedia e shqiptarit sot ka mbetur një pllakëz në katin përdhes dhe një çështje gjyqësore që pritet të hapet në 23 nëntor. Tetë persona duhet të përgjigjen për aksidentin, por procedura rrezikohet të zvarritet më tej. Familja Kolgjegja, nëntë vetë, pret prej dy vjetësh dëmshpërblimin, ndërkohë që avokati i tyre, Giuseppe Gallo ka zbuluar se dy nga të hetuarit, koordinatori i projektit dhe projektuesi i Muzeut, nuk ishin të siguruar. “Pas vdekjes së Albertit, – thotë Gallo, – s’është bërë i gjallë askush. Propozime për dëmshpërblim nuk kemi pasur. Të gjithë ia hedhin fajin njëri-tjetrit, ndërsa ne presim fillimin e procesit. Por nëse normativa e re hyn në fuqi ka rrezik që çështja të bjerë në parashkrim”. E vetmja gjë e sigurt deri më sot është se shqiptari nuk kish faj tjetër, përveç përpjekjeve për të fituar bukën e gojës në mënyrë të ndershme.

E ndërsa çështjes Kolgjegja do t’i duhet të presë ndoshta vite për të dalë përpara trupit gjykues, sajë një iniciative të konsullit të përgjithshëm shqiptar në Milano Hasan Muçostepa dita e vdekjes së djaloshit tridhjetëvjeçar është vendosur të kthehet në ditën kushtuar “punëtorit shqiptar në Itali”. Iniciativa shoqërohet me një lajm që gazeta lokale e përshkruan si “një lidhje edhe më të fortë mes Italisë dhe Shqipërisë”: ngrihet në Gjenovë e para kooperativë ndërtimi shqiptare. “Edil Albanian”,- kështu quhet kooperativa,- operon në sektorin e ndërtimit dhe numëron për momentin gjashtë punëtorë. Të gjithë shqiptarë natyrisht. Mes promotorëve edhe Ivan Drogo, sekretar i përgjithshëm i një shoqate italo-shqiptare të quajtur “Unione Generale d’Albania”. Është e gjithkundshme në Gjenova kjo “Unione Generale”, ka në letrën me kokë stemën e Republikës së Shqipërisë dhe një drejtues italian mjaft të gatshëm e të gjetshëm për të lëshuar deklarata në të mirë të shqiptarëve, Ivan Drogo.  Sipas Drogo-s “kooperativa do të shërbejë edhe si mjet për vënien në rregull të punëtorëve dhe do të investojë në formimin profesional të jokomunitarëve”. Në Liguria punëtorët shqiptarë janë vërtet të shumtë: rreth gjashtë mijë. “Të gjithë të integruar, – këmbëngul Drogo,- dhe pothuaj të gjithë punojnë në sektorin e ndërtimit.” E drejtë! po kushedi pse e gjithë kjo përkujdesje “për krahun shqiptar të punës” tingëllon hidhët përballë vdekjes ende pa fajtorë të Kolgjegjës. Në Gjenova ka nga ata që thonë se shumë vepra nuk do të ishin ndërtuar pa krahun shqiptar të punës. Një “Athinë  e vogël” Gjenova për shqiptarët, ku, si ata dhjetëra shqiptarë që mbetën të vdekur kantiereve të Athinës së lojërave olimpike. Kantieret  shumta të hapura pas shpalljes së Gjenovas kryeqytet i kulturës botërore në 2004 kanë marrë me vete edhe shumë jetë punëtorësh në të zezë.  Kolgjegja është njëri prej tyre. Derisa, në fund të nëntorit të fillojë procesi për dënimin e fajtorëve të vdekjes së tij  i vetmi shpërblim mbetet pllaka e nderit me emrin e Kolgjegjës, lapidar i përuruar me ngut që vitin e kaluar para se të mbaronin punimet nga kryetari i Bashkisë së Gjenovas dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës që gjendej për vizitë aty. Çdo rast është i mirë për të dalë në fotografi i përlotur.

Botuar në Bota Shqiptare nr. 140 – nëntor 2005

Lexo edhe: Pesë tonë beton mbi një ëndërr

I ”professionisti dell’immigrazione” nuovi Ascari a servizio del ceto politico italiano

Arkivi i gazetave në pdf