Në 24 orë Shqipëria ngjit shkallën më të lartë në peshëngritje: sot Romela Begaj shpallet kampione e botës në garën e shkëputjes, dje Daniel Godelli, kampion bote në shkëputje e dygarësh
Tiranë, 13 nëntor 2014 – Sporti shqiptar po jeton nga dje një çast të artë. Siç janë të arta medaljet që dy peshëngritësit shqiptarë Godelli e Begaj kanë marrë në këto 24 orët e fundit duke u shpallur kampionë bote në Kazakistan.
Dje, peshëngritësi Daniel Godelli ka fituar medalje ari në Kampionatin Botëror në Almati të Kazakistanit. Godelli është shpallur kampion bote në stilin e shkëputjes dhe më pas doli i dyti stilin e shtytjes.
Godelli ngriti 171 kg në stilin e shkëputjes, ndërsa në atë të shtytjes ngriti 198 kg.
Pas këtyre rezultateve Godelli është shpallur kampion bote në dygarësh, duke ngritur në total 369 kg.
Sot peshëngritësja Romela Begaj ka triumfuar në garën e shkëputjes, duke u shpallur kampione bote në kampionatin botëror që po zhvillohet në Kazakistan. Ajo ka mundur të ngrejë 113 kilogramë, duke lënë pas garuesit e tjerë.
Në dygarësh, Begaj ka ngritur 245 kg, duke u renditur në vendin e 7-të. Në provën e parë në shtytje tentoi të ngrinte 127 kg, por dështoi. Në provën e dytë 127 kg ia doli me sukses peshëngritësja kuqezi. Begaj ka shkëlqyer edhe në provën e tretë, kur ka ngritur shtangën me peshën 132 kg.
Të menjëhershme përgëzimet për sportistët shqiptarë nga kryeministri. Nëpërmjet një statusi të publikuar dje në rrjetin social Twitter, Rama u shpreh “Uh çfarë gëzimi! Daniel Godelli kampion bote në peshëngritje! Do të tentoje pas pak rekordin botëror! Sapo e urova, fantastike”. Ndërsa sot “Urime urime urime Romela Begës për medaljen e artë! Një kampione bote për gjithë vajzat shqiptare! Superbarazi gjinore në medaljet e arit”.