in

Plagosen 6 shqiptarë që luftuan për ISIS në Siri

Po kurohen në Shqipëri, Itali dhe Greqi, nën ruajtje të autoriteteve. Sipas normave të reja të kodit penal rrezikojnë shumë vjet burg pas shërimit

Tiranë, 27 gusht 2014 – Gjashtë shqiptarë që kanë luftuar në Siri përkrah organizatës terroriste ISIS, kanë mbetur të plagosur. Po kurohen në Shqipëri, Itali, e Greqi.

Identitetet e tyre mbahen sekret për arsye hetimore, por portali lapsi.al ka mësuar se njëri prej tyre po kurohet në spitalin e Kavajës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në gjendje të rëndë është personi që po kurohet në Greqi. Ai gjendet në spitalin e Larisës, në reanimacion, pasi ka marrë një plumb në nofull dhe një tjetër në trup.

Të 6 të plagosurit janë nën ruajtje të autoriteteve dhe mësohet se ata mund të arrestohen. Ndryshimet e para pak muajve në kodin penal parashikojnë se pjesëmarrja në luftime jashtë vendit është vepër penale. Sot “pjesëmarrja në formacione luftarake në një konflikt të armatosur që zhvillohet në territorin e një shteti të huaj, dënohet me burgim nga 3 deri në 8 vjet burgim” dënim që shkon nga 5 deri në 10 vjet burgim nëse “vepra penale kryhet me qëllim përmbysjen e rendit kushtetues ose shkeljen e integritetit territorial të një shteti të huaj”. Me të njëjtat ndryshime është futur edhe dënimi nga 5 deri në 15 vjet burgim për “nxitjen, rekrutimin, organizimin, drejtimin, stërvitjen, krijimin apo përdorimin e fondeve apo

mjeteve të tjera për financimin e personave në çdo lloj forme dhe mënyre për të kryer veprën penale të “Pjesëmarrjes në veprime luftarake në një shtet të huaj”.

Gjashtë shqiptarët e plagosur i janë bashkuar organizatës terroriste për herë të parë në vitin 2013. Gjatë kësaj kohe, autoritetet kanë konstatuar se ata kanë hyrë në Shqipëri dhe janë rikthyer në Siri për të luftuar përkrah ISIS. Numri i shqiptarëve që besohet të jenë rektutuar nga xhihadistët e ISIS mendohet të jetë rreth 100. 8 persona u arrestuan në mars të këtij viti, përfshirë 2 imamët e xhamisë së Mzezit dhe Unazës së Re, nën akuzën se kanë rekrutuar qytetarë shqiptarë për t’i dërguar që të luftojnë përkrah ISIS.

Në Kosovë, pak javë më parë u arrestuan 42 persona të tjerë, pjesëmarrës në luftime dhe rekrutues.

Para disa ditëve, një televizion kurd njoftoi për vrasjen e kosovarit Lavdrim Muhaxheri, i cili konsiderohet si një ndër krerët e grupit shqiptar që lufton në Siri dhe që pak kohë më parë tronditi mbarë opinionin publik, jo vetëm në Shqipëri, me publikimin e disa fotove, ku ai shfaqej duke i prerë kokën një 19-vjeçari nga Iraku.

 

Jam në Itali për turizëm. A mund të kërkoj lejeqëndrim për motive pune?

Arrestohet shefi i policisë së Velipojës. Kërkonte favore seksuale gjatë ushtrimit të detyrës