Më kanë thënë që po të blej shtëpi në Itali mund të kërkoj vizë për “Rezidencë të zgjedhur”. Çfarë kriteresh duhen plotësuar për një vizë të tillë?
Të huajt e interesuar të transferohen në Itali mund të kërkojnë vizë për “rezidencë të zgjedhur” vetëm nëse janë në gjendje të mbahen në mënyrë autonome, pra pa bërë asnjë lloj pune. Kjo vizë lëshihet nëse kërkuesi tregon se e plotëson kriterin ekonomik minimal të përcaktuar nga normativa italiane në fuqi, siç specifikohet në Dekretin Ndërministror të ministrisë së Jashtme nr. 850/2011.
Praktikisht, të ardhurat minimale duhet të jenë 31.000 euro në vit për çdo kërkues. Në rast se mendohet të transferohet në Itali me të gjithë familjen e tij, i intereesuari duhet të ketë të ardhura të shtuara me 20% për bashkëshortin e 5% për çdo fëmijë në ngarkim, qofshin këta të mitur apo në moshë madhore. Të ardhurat e kërkuara duhet të vijnë nga burime të ligjshme të ndryshme nga puna e varur. Për shembull, kriteri i të ardhurave mund të konsiderohet i përmbushur nëse kërkuesi paraqet dokumente lidhur me të ardhura që vijnë nga pensioni, nga pronë të patundshme, nga pronësia e aktiviteteve të qëndrueshme ekonomike/tregtare.
Përveç të ardhurave, i huaji duhet të deklarojë shprehimisht dëshirën për t’u transferuar në Itali, duke shënuar adresën e saktë ku do të jetojë.
Për më tepër, duhet të tregojë se ka blerë një pasuri të patundshme në territorin italian për ta përdorur si banesë, duke paraqitur aktin notaril përfundimtar të blerjes (rogito), ose mund të tregojë dëshirën për ta blerë duke paraqitur kontratën paraprake të blerjes (compromesso) të përpiluar nga një avokat apo noter si edhe kopjen e dokumentacionit që provon derdhjen e pagesës paraprake (acconto). Në rast se viza lëshohet sipas rastit të fundit, lëshimi i lejes së qëndrimit do të varet nga paraqitja e aktit notaril përfundimtar të blerjes, që dëshmon transferimin e pronësisë.
Së fundi, i huaji duhet të pajiset me sigurim shëndetësor ndërkombëtar (i vlefshëm në të gjitha vendet Schengen)me një kohëzgjatje minimale 30 ditore, dhe që mbulon të paktën 30 mijë euro për shpenzime të shtrimit me urgjencë në spital dhe shpenzimet e riatdhesimit.
Kohëzgjatja e vizës është njëvjeçare dhe, ashtu si në të gjjita rastet e tjera, brenda 8 ditëve nga hyrja në Itali i huaji duhet t’i kërkojë Kuesturës lëshimin e lejes së qëndrimit me anë të kompletit postar të formularëve. Kërkesës i duhet bashkangjitur i gjithë dokumentacioni i paraqitur në çastin e marrjes së vizës.
Leja e qëndrimit është e përtëritshme nëse kriteret fillestare vazhdojnë të përmbushen dhe vetëm nëse i huaji nuk ka ndërprerë qëndrimin në Itai për një periudhë të vazhdueshme më të gjatë se gjashtë muaj, me përjashtim të rasteve kur ndërprerja ka qenë pasojë e përmbushjes së detyrimit ushtarak apo motivesh të tjera të rënda e të dokumentuara.
Theksohet që me këtë lloj dokumenti qëndrimi nuk lejohet ushtrimi i asnjë lloj pune në Itali.
Maria Elena Arguello/Stranieriinitalia.it
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)