in

Policia merr Lazaratin: deri tani 15 arrestime, mbi 23 tonë kanabis i asgjësuar

Forcat e rendit janë tashmë të pranishme në të gjithë Komunën e Lazaratit, prokuroria nis hetimet

Tiranë, 20 qershor 2014 – Policia prej mëngjesit të sotëm ka rifilluar veprimet në të gjithë Komunën Lazarat për identifikimin e sipërfaqeve të kultivuara me bimë narkotike dhe më pas asgjësimin e tyre.  Po ashtu po punohet dhe në drejtim të identifikimit të vendndodhjes, kapjes dhe vënies para përgjegjësisë ligjore të personave që kanë kundërshtuar dhe qëlluar me armë ndaj forcave të rendit.

Burime nga policia bëjnë të ditur se forcat e tyre janë tashmë të pranishme në të gjithë Komunën e Lazaratit, “duke mbajtur nën mbikqyrje situatën dhe duke ofruar rend e siguri për banorët”. Ndërkaq, Prokuroria për Krimet e Rënda  dhe  Drejtoria për Krimet e Rënda të policisë kanë nisur kryerjen e veprimeve hetimore e procedurale duke fiksuar çdo provë materiale.

Nga strukturat e policisë nga kontrollet e zhvilluara,  në ambientet mbi depon e ujit në qendër të fshatit Lazarat, gjatë ditës së sotme është bërë e mundur që të gjenden e sekuestrohen: 1 antitank, 1 mitroloz dhe një sasi e madhe fishekësh e municioni mitrolozi, antitanku, e armësh të tjera.
Në vijim të veprimeve të kryera nga strukturat e policisë është arrestuar edhe një person për mbajtje armësh, pasi gjatë kontrollit të zhvilluar nga strukturat e policisë gjatë ditës së djeshme në banesën e tij në fshatin Lazarat u gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale 590 fishekë, nga të cilët 520 fishekë Ak-47 dhe 70 fishekë pistolete TT. Po ashtu i janë sekuestruar dhe 23 karta telefonike sim, 4 telefona celular, dy targa të huaja etj.

Rezultatet e deritanishme

Strukturat e Policisë së Shtetit gjatë ditëve të zhvillimit të këtij operacioni në Lazarat kanë mundësuar asgjësimin e një sasie mbi 23 ton e 404.1 kg kanabis sativa, si dhe të rreth 81.300 rrënjëve bimë narkotike dhe fidanë, duke marrë dhe mostrat përkatëse në cilësinë e provës për ekzamimin. Po ashtu gjatë këtyre kontrolleve janë gjetur dhe 4 laboratorë nga të cilët 2 përpunimi të bimëve narkotike dhe 2 për përpunimin e vajit të hashashit , si dhe sasi të konsiderueshme municioni dhe armë, nga të cilat 17 armë të rënda, si dhe 2 armë gjahu.

Janë kontrolluar deri tani mbi 130 banesa në një numër i konsiderueshëm ambientesh të tjera në brendësi të fshatit Lazarat, tokat përreth tyre dhe tokat e komunës në territorin ku forcat e policisë kanë depërtuar.

Në kuadër të këtij operacioni deri në këto momente janë arrestuar 15 persona që akuzohen për sulmet me armë ndaj forcave të policisë, për kultivimin e kanabisit, prodhimin e shitjen e lëndëve narkotike, qëndreë ndaj punonjësve të policisë, për shkatërrim prone apo mbajtje pa leje të armëve e municionit luftarak.

 

Sali Berisha përjashtohet për 10 ditë nga Kuvendi për fjalor të ulët

Bloomberg.com: Ndihmoni Shqipërinë, legalizoni hashashin