in

Policia qëllon e vret një shqiptar që nuk ndalon në postbllok

Grosseto. Sipas policisë plumbi u qëllua aksidentalisht. Gjithnjë sipas të dhënave zyrtare në makinë u gjetën 10 kilogramë marijuhanë, dhe në ngjarje mbetën të plagosur pesë agjentë

Romë, 21 qershor 2012 – Është përpjekur të kalojë postbllokun e policisë pa ndaluar dhe ka humbur jetën nga një plumb i shkrehur aksidentalisht. Kuestura e Grossetos bën të ditur se kjo është arsyeja e vdekjes së një 26 vjeçari shqiptar në rrugën që lidh Grosseton me Sienën.

Rreth orës 23 të 20 qershorit, gjatë një kontrolli policie antidrogë, mes shumë automjetesh të tjera qe ndaluar dhe ajo e ku udhëtonin dy shqiptarë. Fillimisht ata kishin respektuar sinjalin e ndalimit të dhënë nga dy agjentët, por më pas kishin dalë nga radha e makinave të ndaluara dhe ishin larguar  me shpejtësi të madhe duke aksidentuar dy policët.

Sipas policisë, njëri prej agjentëve, kur ka rënë në tokë, ka shtënë aksidentalisht një plumb që është ngulur në krahun e majtë të makinës ku udhëtonin dy të rinjtë shqiptarë. Me gjithë të shtënat e tjera në ajër, ata nuk kanë ndalur deri sa janë përplasur ballë për ballë me një veturë të policisë që kishte mbyllur rrugën.

Ndërsa personi që ndodhej në anën e pasagjerit ishte munduar më kot të largohej, drejtuesi automjetit u gjet i plagosur rëndë. Një plumb i kishte hyrë në pjesën e kraharorit nën sqetullën e majtë. Ndërroi jetë gjatë natës në spitalin e Grossetos.

Sipas të dhënave zyrtare pesë policë mbetën të plagosur në ngjarje dhe në makinën e të rinjve shqiptarë u gjet një valixhe me 10 kilogramë marijuhanë.

Rastet e fundit

Fatmir Xhafa ishte 26 vjeç, kur mëngjesin e 3 tetorit 2011 u qëllua për vdekje nga një karabinier në postbllok në Caivano, komunë në veri të Napolit. Edhe Xhafa dhe tre shqiptarë të tjerë nuk ndaluan me dhënien e urdhrit “Ndal” nga karabinierët. Sipas rindërtimit të ngjarjes nga dy karabinierët, gjatë ndjekjes së katër shqiptarëve njërit prej tyre iu desh të përleshej me tre nga shqiptarët, të armatosur me shufra hekuri e levë. Në këto çaste pistoleta e karabinierit ka shtënë pa dashje dhe ka qëlluar për vdekje 26 vjeçarin Xhafa.

Një rast tjetër i ngjashëm, ndodhi në prill në Romë, por fatmirësisht i plagosuri nuk vdiq.
Më 19 prill ka pasur një ndjekje me të shtëna armësh nga policia në autostradën A24, në një nga daljet e unazës së kryeqytetit. Ka mbetur i plagosur, jo në gjendje të rëndë një shqiptar.
Sipas rindërtimit të ngjarjes nga agjentët, makina në të cilën udhëtonin tre shtetas të huaj nuk ka ndaluar kur ua ka urdhëruar policia rrugore. Gjatë ndjekjes, agjentët kanë qëlluar me pistoletë duke plagosur kështu njërin prej personave që ishin në makinë, të cilin e kanë çuar menjëherë në spitalin Sandro Pertini të Romës.

Lexo edhe: Tetor 2011 – Fatmir Xhafa 26-vjeçar, vritet nga karabinieri pse nuk respektoi urdhrin “Alt!”

Sanatoria. Nga Senati një shpresë që kushton të paktën njëmijë euro

Kurrë më – Foto lajm