Ndërsa votojnë, politikanët nuk u shmangen lëshimit të deklaratave. Ja disa prej tyre sipas agjencisë së lajmeve ATSh.
Presidenti i Republikës Bamir Topi, ka bërë paraditen e sotme një apel për pjesëmarrje masive në votime, ndërsa e cilësoi ditën e sotme si një ditë te veçantë për progresin e demokracisë në Shqipëri. Presidenti Topi, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Teuta Topi dhe vajzat e tyre, kanë votuar rreth orës 10:50 në shkollën “Servete Maçi”, në njësinë Nr. 9 në Tiranë. Topi u drejtoi apel jo vetëm për qytetarët, por edhe për komisionerët, ndërkohë që, sipas tij, forcat e rendit do të sigurojnë qetësi në vend. “Dëshiroj t’i them të gjithë bashkëqytetarëve dhe bashkatdhetarëve ta shfrytëzojnë këtë ditë, është dita e tyre. Ata kanë një votë dhe ta japin atë aty ky mendojë, sepse duke votuar sot sigurisht që votojnë për dinjitetin dhe prestigjin e tyre”, tha Topi. Presidenti uroi për një ditë të qetë, ndërkohë që u shpreh se për të është gjithmonë një emocion rikthimi në shkollën ku ka kaluar fëmijërinë.
Kryetarja e Parlamentit dhe Nënkryetare e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, e shoqëruar nga bashkëshorti i saj Tonin Topalli, votoi në qendrën e votimit numër 306/1 të vendosur pranë mjediseve të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, pjesë e KZAZ-së nr. 40. “Sot është një ditë e bukur, një ditë me diell. Unë jam e sigurt se kjo ditë e votimeve për qeverisjen lokale do të jetë një ditë feste”, tha zonja Topalli, menjëherë pasi përfundoi procesin e votimit duke u shprehur në të njëjtën kohë shumë e kënaqur me organizimin e shkëlqyer që konstatoi në qëndrën e votimit. Më pas, ajo shtoi se, është “e sigurt që këto zgjedhje do të jenë zgjedhjet më të mira, ku qytetarët kudo, jo vetëm në Shkodër, por në çdo cep të Shqipërisë, do të votojnë me qytetari, do të votojnë si europiane dhe sot ato kanë ditën e tyre për të votuar për atë që do të jetë kryetari i tyre i bashkisë më i miri, ai që mendon për qytetin dhe qytetarët”. Topalli ftoi të gjithë qytetarët, jo vetëm në qarkun e Shkodrës, por në çdo cep të Shqipërisë, që të shkojnë për të votuar të lirë, të qetë, si qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s, si qytetarë shqiptarë që e dinë të vlerësojnë, se çfarë është liria, sa mirë funksionon liria, mrekullinë e lirisë dhe për të votuar, për të vendosur atë se çfarë ato gjykojnë për qytetin dhe qytetarët.
Kryeministri Sali Berisha e konsideroi 8 majin, një ditë feste për demokracinë e vendit,ndërsa u bëri apel forcave politike të kontribuojnë për një proces normal dhe të pranojnë verdiktin dhe peshën e çdo vote të qytetarëve shqiptarë. Kryeministri Berisha dhe bashkëshortja e tij, Liri Berisha votuan rreth orës 10:00 në qendrën e votimit në Liceun Artistik, në njësinë bashkiake nr. 2, në Tiranë.
Berisha ftoi qytetarët shqiptarë të votojnë të qetë dhe me dinjitet të plotë dhe i garantoi se maxhoranca është e vendosur të respektojë votën e tyre. “Komisionerët e të gjitha forcave politike janë vendimarrësit më të rëndësishëm të këtij vendi, ndërsa Kryeministri është një votues, vota e të cilit administrohet nga komisionerët që janë në qendrën e votimit”, tha Berisha.
Kandidati i Partisë Demokratike, pjesë e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Lulzim Basha, uroi sot që në këtë ditë të bukur procesi zgjedhor të vazhdojë i qetë. Rreth orës 10.30 të mëngjesit të 8 majit, Kandidati demokrat, Lulzim Basha, votoi më njësinë bashkiake nr 8 Tiranë, ku kandidon për kryetarin e kësaj njësie kandidati i “Aleancës për Qytetarin”, Arben Tafaj dhe kandidatin e koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”, Sadi Vorpsi.
Kryetari i Partisë Socialiste,njëkohësisht kandidat i koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”, Edi Rama, votoi në qendrën e votimit në ambientet e shkollë 9-vjecare “Pjetër Budi”. Rama ka ftuar qytetarët të votojnë masivisht në votime. “U lutem të gjithëve të mos rrinë pa votuar. Sot është dita të votoni për Shqipërinë që doni, për Tiranën që doni, për jetën që meritoni.Vetëm vota mund ta bëjë Tiranën dhe Shqipërinë që duam nesër”, tha ai.
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ftoi sot qytetarët shqiptarë që me votën e tyre të hedhin një hap tjetër përpara drejt Europës së bashkuar.
Meta votoi në qendrën e votimit të vendosur në ambientet e kopshtit 31, në njësinë bashkiake nr. 5, në kryeqytet.
“Procesi është vërtet mjaft i qytetëruar dhe civil dhe uroj që kështu të vazhdoj dhe të përfundojë, në mënyrë vërtetë demokratike dhe të kulturuar. Ndaj të gjithë qytetarët të kontribuojnë në mënyrë që kjo ditë të jetë vërtetë një pranverë europiane për Shqipërinë”, tha Meta.
“Jemi afër Europës, nesër është Dita e Europës dhe shpresoj se kjo votë do t’u mundësojë të gjithëve të largohen nga 21 janarë të tjerë”, deklaroi menjëherë pas votimit ish-kryeministri Fatos Nano, lideri historik i së majtës shqiptare.
Nano, i shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij, Xhoana Nano, votuan në qendrën e votimit të vendosur pranë shkollës “Dora D’istria”, në Tiranë.
Analisti dhe politikani i njohur, Preç Zogaj, e vlerësoi ditën e sotme një ditë të rëndësishme për të gjithë shqiptarët dhe një gur prove për demokracinë në vend.
“Qytetarët shqiptarë e njohin mirë rëndësinë e votës dhe e dinë mirë se si duhet të sillen në këtë ditë, por problemet si gjithmonë për mua, janë problemet e fushatës dhe ato të bilancit të votuesve, problemet me listat, votuesit fiktivë, për shkak të numrit jo të vogël të shqiptarëve që janë emigrantë, apo të tjera probleme, të cilat shpresoj që në këtë ditë si kjo e sotmja, të mos ketë”, tha Zogaj.
Për Zogajn, çdo incident i mundshëm në qendrat e votimit do të ketë një ndikim negativ në këto zgjedhje, të cilat po vëzhgohen masivisht në përputhje me Kodin Zgjedhor dhe askush prej komisionerëve nuk ka të drejtë ta shkelë atë.