in

Politologu Sartori kundër fëmijëve (myslimanë)

Politologu Giovanni Sartori: “Si mund të jepet shtetësia vetëm pas pesë vjetësh shkollë, pa bërë dallim nëse një fëmijë është islamik?”. “Të drejta të tepruara për emigrantët, një ditë do jenë shumica”

Romë, 26 shkurt 2014 – Giovanni Sartori lundron prej kohësh në ujëra të rrezikshme për botën e qytetëruar. Me një refleks pavlovian, teorizon me zë të lartë “pamundësinë e integrimit” në Itali të disa etnive të caktuara (afrikanët, arabët) dhe të ndonjë besimi fetar (islamik). Ai e përsërit tezën e tij sa herë që flitet për një reformë të mundshme të dhënies së nënshtetësisë italiane dhe përmend i alarmuar “pushtimin” sa herë që diskutohen temat e migrimit.

Deklaratave të tij të shumta të këtij lloji, iu shtua dje ajo e bërë gjatë një interviste në faqen Dagospia, në të cilën komenton hapat e parë të qeverisë Renzi. Duke i drejtuar shigjetat e tij kundër propozimit të kryeministrit të ri, propozim me të cilin Renzi synon të gjejë një pikë marrëveshjeje në Parlament: të bëhen italianë fëmijët e emigrantëve pas përfundimit të një cikli shkollor.

“Më bëri më shumë përshtypje, – shpjegon politologu – propozimi i tij i ri mbi ius soli, megjithëse tani për tani e ka lënë në plan të dytë. Siç dihet, unë jam krejtësisht kundër ius soli, por nga të gjitha projektet që janë diskutuar mbi këtë temë, ky i Renzit është më i marri, më sipërfaqësori, më i nxituari dhe më i habitshmi që kam dëgjuar sepse parashikon dhënien e shtetësisë italiane kujtdo që bën pesë vjet shkollë.”.

“Po vërtet, shtron pyetjen Sartori – duam të besojmë që mjaftojnë pesë klasë fillore për të bërë një shtetas italian?”. E më pas goditja e zakonshme kundër islamit, goditje që nuk kursen as të miturit: “Për të qenë shtetas italian duhet pranuar me përgjegjësi parimi i ndarjes mes Shtetit dhe Kishës dhe duhet hedhur poshtë e drejta teokratike ose ajo e Allahut. Si mund të jepet shtetësia italiane pas pesë vitesh shkollë, pa bërë dallim nëse një fëmijë është islamik

Sipas Profesorit kemi të bëjmë me një rast “papërgjegjshmërie të rëndë”. “Sepse jo vetëm që sot nuk kemi ku t’i vëmë emigrantët, meqenëse ne italianët kemi filluar sërish të shkojmë jashtë në kërkim të një pune, por u japim atyre të gjitha të drejtat, përfshirë edhe të drejtën e votës. E një ditë do jenë shumica edhe në këtë vend, ashtu siç kam shkruar në librin tim të fundit”.

Elvio Pasca

(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Shtetësia italiane. Renzi: “Po reformës, për respektin që u detyrohemi fëmijëve”

Bergamo. “Paguaj, përndryshe i thashë gruas që shkon me prostituta”