in

Popujt evropianë pa shtet. Udhëtim mes etnive të harruara

Libri i Giovanni Armillotta-s “I Popoli europei senza Stato. Viaggio attraverso le etnie dimenticate” (€ 16,00 – 190 pp. – ISBN 978-88-7801-409-1) është botuar nga shtëpia botuese romane Jouvence, për serinë Ordine & Caos të drejtuar nga Franco Cardini, Marco Tarchi dhe Danilo Zolo.

Libri i Armillotta-s trajton periudha të fshehura të lashta e bashkëkohore të historisë së atyre që sot njihen si rajone të thjeshta të vendeve njohura europiane: Bretanja (Francë), Katalonja e Vendet Baske (Spanjë), Kornovalja (Britani e Madhe), Laponia (Vendet Skandinave të Rrethit Polar Arktik dhe rusi), Sardenja (Itali), Vendet Ladine (Itali e Francë) etj. Armillotta trajton zona gjeografike e gjeopolitike që kanë përjetuar epoka historike luftërash kundër pushtetit gjithëpërfshirës; memorie të epokave kur këta popuj kishin shtetin e vet me tradita të lashta. Vazhdimësia kohore, na përshkruan se si këta njerëz dolën të mundur në përplasjen me etni të tjera, më të forta fillimisht ushtarakisht e më pas në imponimin administrativ. Me librin e tij, Armillotta na bën të kuptojmë përhumbjen kulturore që shumë prej këtyre etnive kanë përjetuar e përjetojnë në kontakt me “metropolet” fitimtare.

Problemi i fashitjes leksikut të lashtë, lufta për kujtimin e origjinës dhe të gjuhës, e shtyn autorin jo vetëm të paraqesë minoritetet e ndryshme ashtu si janë ndarë në Europë, por edhe të tregojë për përpjekjet e atyre të paktëve që përpiqen të mbajnë gjallë krenarinë e popujve që rrezikojnë të zhduken në procesin e asimilimit dhe të homologimit të drejtuar nga ata që njëherë e një kohë ishin pushtues dhe që sot përfaqësojnë legjitimitetin e njohur nga e gjithë bota dhe nga e drejta ndërkombëtare.

Mbrojtja e një minoriteti në cilindo territor nuk nënkupton vetëm përkujdesjen për gjuhën. Ekzistojnë përmasa të tjera, që shkojnë nga letërsia deri të revizionizmi historik; argumente që duhen zbërthyer përmes një studimi të hollësishëm të Shteteve që kanë pushtetin, që shpesh konsiderojnë rajonet e këtyre minoriteteve, në rastin më të mirë, si pasuri turistike, e në rastin më të keq, si vende të përshtatshme për baza ushtarake të huaja.

Në hyrje të librit autori flet edhe për Kosovën, Arbëreshët e Shqipërinë.

Atmosfera e veprës  përmblidhet më së miri me fjalët e Maurizio Vernassa-s që në paraqitjen e librit pohon: “Për të ndërtuar konkretisht Europën e re e të madhe të ëndrrave dhe shpresave tona, Europën e qytetërimit të përbashkët, Europën e lirë nga aktet e rrezikshme dhe të papranueshme nacional-imperialiste dhe për rrjedhojë nga tragjeditë, e hershme dhe të vona, duhet, para së gjithash, të njihen me themel karakteristikat e përbërësve të saj të shumëfishtë historikë, politikë, shoqërorë dhe etnikë”.

 

Orienti te derë e shtëpisë/3

Sergio Staino: “Kur vizitonim Shqipërinë socialiste me grupet marksiste”