in

Pordenone. Ndërron jetë në spital vogëlushja e sapo-operuar në gojë

Mjekët që kishin siguruar prindërit e rinj, Elvana e Endrit Prendi, se ndërhyrja nuk kishte asnjë lloj rreziku, tani nuk arrijnë të kuptojnë pse ndodhi fatkeqësia. Të dërrmuar nga dhimbja për humbjen e fëmijës së vetme, çifti Prendi ka paditur në Prokurori spitalin

Romë, 18 shkurt 2014 – Një fatkeqësi e rëndë ka goditur një familje shqiptare në veri të Italisë e ka tronditur gjithë komunitetin shqiptar Elivia, një vogëlushe 30 muajshe ka vdekur të shtunën në mëngjes në spitalin e Pordenones. Paraditen e të premtes vogëlushja ishte operuar në gojë, ku i kishin hequr një cist në gjuhë që mund t’i vështirësonte gëlltitjen. Mjekët, që u kishin garantuar prindërve të vajzës, Elvana dhe Endrit Prendit (24 vjeçe ajo, 34 ai), se ndërhyrja ishte diçka rutinë, pa asnjë lloj rreziku për vogëlushen, tani nuk dinë të thonë ç’shkaktoi vdekjen e saj.

Sipas mediave lokale, vogëlushja ishte shtruar në spitalin e Pordenones të enjten, për operacionin që do të bënte të premten, siç ishte programuar prej rreth dy muajve. Ndërhyrja zgjati një orë e gjysmë, pa asnjë komplikim. Rreth orës 13.00 të të premtes, ajo u çua në repartin e rianimacionit, siç parashikon protokolli mjekësor, për t’u mbajtur nën kontroll për 24 orë. Por ëngjesin e të shtunës vogëlushja ka pasur një ngadalësim të rrahjeve të zemrës e më pas ka shkuar në arrest kardiak. Pasi janë përpjekur ta sjellin sërish në jetë për një orë e gjysmë, mjekët u kanë dhënë prindërve lajmin e hidhur, pa ditur t’u shpjegojnë arsyet. sipas mjekëve, në fazën pas opracionit nuk kishte pasur asnjë sinjal alarmues për të parashikuar fatkeqësinë.

Të shkatërruar nga dhimbja për humbjen e vajzës së tyre të vetme, çifti Prendi ka paditur dje spitalin në Prokurorinë e qytetit, që ka kërkuar të bëhet autopsia dhe të dorëzohen kartelat klinike të vogëlushes.

Shtetësia italiane. Kam paraqitur kërkesën, por tani po më skadon leja e qëndrimit. Ç’të bëj?

Marwan në shkretëtirë. Refugjati i vogël mallëngjen botën