Tiranë, 16 shtator 2014 – Me rastin e vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri, Posta Shqiptare në kuadrin e festimeve në nder të kësaj ngjarjeje të rëndësishme emeton një pullë postare të posaçme, me sasi të kufizuar, që do të do të dalë në qarkullim pikërisht më datë 21 shtator 2014.
Boceti i kësaj pulle pas përzgjedhjes nga Komisioni Shtetëror i pullës postare shqiptare, është miratuar dhe nga Selia e Shenjtë e Vatikanit në Romë.
Emisoni i kësaj pullë përbëhet nga 1 seri me 1 pamje, një tabak të përbërë prej nëntë pullash si dhe nga Zarfi i Ditës së Parë (FDC).
Dizajni i bocetit është realizuar nga autori Petraq Papa dhe ka një vlerë prej 100 lekë. Tirazhi për filatelinë është 3.800 seri, ndërsa për shërbimin postar është 5.000 copë si dhe 200 FDC. Posta Shqiptare ka eskluzivitetin e emetimit dhe prodhimit të pullës postare shqiptare. Drejtori i Përgjithshëm i Postës Shqiptare, Majlind Lazimi, deklaroi se Posta Shqiptare shpreh kënaqësinë e emetimit të kësaj pulle kaq të rëndësishme dhe shprehu gatishmërinë që në të ardhmen “nëpërmjet pullës postare shqiptare të pasqyrohen ngjarje të tjera të rëndësishme historike, kulturore, sportive, etj, të vendit tonë dhe ato ndërkombëtare”.
Kjo e Papa Françeskut është e dyta vizitë e një Ati të Shenjtë në Shqipëri, pas asaj të Papa Gjon Palit II, më 25 prill 1993. Ky është edhe shtegtimi i parë i zgjedhur nga Papa Françesku në Evropë.