in

Prato. Arrestohet infermieri për persekutim të ish gruas së tij

Ka provuar t’i vërë flakën shtëpisë e ta digjte të gjallë bashkë me të motrën e dy fëmijë të vegjël, më pas duke përfituar nga fakti që është infermier i anulonte vizitat mjekësore. Viktima një grua shqiptare 31 vjeçe, persekutuesi ish i shoqi, siciliani Massimo Gioacchino Di Grigoli, 40 vjeç

Romë, 22 mars 2012 – Një vit më parë e kishin arrestuar më akuzën e tentativës së vrasjes, për zjarrvënie me qëllim, stalking dhe zhvatje parash në dëm të ish të shoqes. Por me të dalë nga burgu, 40-vjeçari Massimo Gioacchino Di Grigoli, infermier në spitalin e Pratos, rinisi të persekutonte gruan, shqiptare 32 vjeç, ndaj i është dhënë sërish masa e arrestit, këtë herë në shtëpi.

Herën e parë, në janar të vitit të shkuar, infermieri u arrestua sepse ndiqte, kërcënonte dhe kishte arritur deri t’i vinte flakën shtëpisë ku ajo jetonte me të motrën e dy fëmijë: njëri 7 vjeç i saji dhe tjetri 7 muajsh i të motrës. Në atë rast qoftë gratë qoftë fëmijët shpëtuan për mrekulli gjallë por morën djegie të rënda në pjesë të ndryshme të trupit.

Më pas aktet e dhunshme kanë vazhduar. Infermieri, që me sa duket luante shumë me zjarrin, u ka vënë flakën edhe dy makinave të partnerit të ri të gruas, edhe i ky i shqetësuar shpesh nga mesazhe e telefonata kërcënuese. Por kur afati i paraburgimit mbaroi, u nxor nga burgu e nga korriku kishte rinisur sërish punën në spital. Dhe nga sa del në dritë nga hetimet e forcave të rendit, ka vazhduar të shqetësojë ish të shoqen. Sipas forcave të rendit, burri duke u futur në sistemin informatik të Asl-it, i anulonte gruas takimet e marra për vizita të ndryshme mjekësore, u dërgonte në shtëpi, asaj apo familjarëve të saj, mallra të ndryshme e të shtrenjta si këpucë, shampanjë, prezervativë, që i duheshin paguar korrierit në çastin e marrjes.

Për këto arsye infermieri është arrestuar sërish për stalking, madje Asl-i për të cilin punonte i ka ndërprerë edhe rrogën.

Fucecchio. Gli albanesi protagonisti di “Metti la pace in movimento”

Edmond Kumaraku, kandidat për postin e sekretarit komunal të PD-së së Riminit