Përgjigjet Rama: Shqipëria e madhe është makthi juaj jo projekti ynë
Ndërsa kryeministri Rama kishte pohuar disa herë se nuk do të anulonte vizitën e tij në Beograd më 22 tetor, në një intervistë për agjencinë “Reuters”, kryeministri i Serbisë Aleksandar Vucic është shprehur sot se ende nuk e ka vendosur nëse do ta presë atë.
“Do të vendos në fundjavë nëse do të pres apo jo kryeministrin e Shqipërisë. – ka pohuar Vucic duke shpjeguar – Ne nuk u trembemi bisedave, por më duket se dikush nuk ka dëshirë të bisedojë por të kërcënojë Serbinë e të nxisë destabilitetin e rajonit”.
Gjatë intervistës, kryeministri serb ka dënuar valën e sulmeve ndaj bizneseve në pronësi të shqiptarëve pas ndeshjes së futbollit që përfundoi në dhunë në fushë. Ndërsa për koret raciste në stadium u shpreh se “përgjegjësit do të dënohen rëndë”.
I menjëhershëm reagimi i Edi Ramës pas lajmit të “gjysmë-refuzimit” të pritjes së tij nga pala serbe. “Serbia Normale do jetë realitet veç kur Serbia Reale do kuptojë se Shqipëria e Madhe është makthi i tyre jo projekti ynë!” ka shkruar ai në rrjetet sociale.