in

Presidenti Topi dekoron me Medaljen e Mirënjohjes Bashkinë e Barit

Kryetari i Shtetit shqiptar, në vizitë zyrtare në Itali, po merr pjesë në veprimtaritë përkujtimore që po organizohen me rastin e 20-vjetorit të zbarkimit të anijes “Vlora” në portin e Barit. Me këtë rast ai i dha Medaljen e Mirënjohjes kryebashkiakut të Barit, Michele Emiliano, edhe pse ndryshe nga ç’kish ndodhur pak muaj më parë në Brindisi, mijëra shqiptarët e anijes Vlora u mbyllën në stadiumin e qytetit për t’u riatdhesuar më pas thuajse të gjithë

Romë, 6 gusht 2011 – Presidenti Bamir Topi, së bashku me Zonjën e Parë, Teuta Topi, dhe delegacionin zyrtar shqiptar, u pritën më 5 gusht nga Kryetari i Bashkisë së Barit, Michele Emiliano dhe autoritetet e tjera të larta të pushtetit vendor, nga personalitete të politikës, sipërmarrjes dhe kulturës së këtij qyteti bregdetar si dhe nga shumë qytetarë, mes të cilëve numëroheshin me qindra bashkatdhetarë.

Në sallën e Këshillit Bashkiak të Barit, Presidenti Topi nderoi qytetin me “Medaljen e Mirënjohjes”, me motivacionin “Me mirënjohje të thellë Komunës së Barit dhe gjithë popullit të Krahinës së Puljas, për solidaritetin e rrallë dhe përkrahjen e pakufishme që i dhanë në momente të vështira dhe dramatike, 20 vjet më parë, mijëra qytetarëve shqiptarë që mbërritën në Portin e Barit, në kërkim të një jete më të mirë”. Medalje që duket e pavend, aq më tepër në përvjetor të mbërritjes së Vlorës në Bari, pasi mijëra shqiptarët e mbërritur me atë anije u mbyllën në stadiumin e qytetit e më pas u riatdhesuan thuajse të gjithë, krejt ndryshe nga ç’kish ndodhur vetëm pak muaj më parë në qytetin e Brindisit, ku gjetën mbështetjen e menjëhershme të qytetarëve.

Në takimin e zhvilluar me kryebashkiakun e Barit dhe anëtarët e Këshillit Bashkiak, Topi e cilësoi me rëndësi faktin se një ndër pikat kryesore të lidhjeve historike të Shqipërisë me Italinë është pikërisht qyteti i Barit dhe Krahina e Puljas. Sipas tij, në këtë rajon është konsoliduar një marrëdhënie e fortë tradicionale miqësie mes dy popujve, e cila kapërcen çdo kufi e paragjykim. Një vlerësim të veçantë, Kreu i Shtetit e shprehu për bashkësinë shqiptare që jeton në këtë qytet, e cila ka dëshmuar vlerat më të larta qytetare, duke u integruar me dinjitet e korrektësi në fusha të ndryshme të jetës dhe veprimtarisë shoqërore të këtij rajoni.  Presidenti  vuri në dukje se “ky integrim nuk do të kishte qenë i mundur pa mikpritjen dhe bujarinë e vetë qytetarëve italianë si dhe pa mbështetjen e vazhdueshme të autoriteteve italiane, të cilët iu gjendën pranë shqiptarëve në ditë të vështira të jetës së tyre, duke dëshmuar edhe një herë lidhjen e fortë tradicionale që ekziston mes dy vendeve dhe popujve tanë”.

Në vijim, Presidenti Topi dhe Zonja e Parë, së bashku me delegacionin zyrtar shqiptar, vizituan ekspozitën fotografike “Portrete shqiptarësh – Dritë dhe hije”, të çelur me rastin e 20-vjetorit të zbarkimit të emigrantëve shqiptarë në brigjet e Italisë.

Shqipëria, çifligu i Cianos / 5

Presidenti Topi: “Italia partner i rëndësishëm strategjik i Shqipërisë”