Fjala e Presidentit Topi në ceremoninë e dekorimit të
Presidenti Topi dekoron me Medaljen e Mirënjohjes Bashkinë e Barit
Komunës së Barit me “Medaljen e Mirënjohjes”
5 gusht 2011, Bari
I nderuar Zoti Kryetar i Komunës së Barit, z. Mikele Emiliano,
Të nderuar anëtarë të Këshillit Komunal,
Të nderuar miq,
Zonja dhe Zotërinj!
Është një kënaqësi e veçantë për mua që të marr pjesë në këtë aktivitet për të
përkujtuar një ngjarje të rëndësishme në memorien e dy vendeve tona mike,
Italisë dhe Shqipërisë. Ky është 20-vjetori i mbërritjes në portin e Barit të
anijes “Vlora”, në bordin e së cilës ishin futur mijëra emigrantë shqiptarë, dhe
emocionet vazhdojnë dhe pas 20 vitesh, që ëndërronin një jetë më të mirë,
duke lënë pas regjimin totalitar, dhe duke gjetur tek populli i Pulias dhe i Barit,
si dhe tek autoritetet italiane një mikpritje dhe solidaritet të madh njerëzor, të
paharrueshëm për të gjithë shqiptarët.
Unë dëshiroj me këtë rast të përshëndes të gjithë popullin e Barit dhe në radhë
të parë të kujtoj me shumë respekt Kryetarin e Bashkisë së Barit të asaj kohe,
zotin Dalfino dhe natyrisht të gjithë autoritetet që e kanë pasuruar dhe e kanë
ushqyer këtë miqësi.
Si President i Republikës së Shqipërisë dëshiroj të përshëndes nga kjo sallë
Presidentin e Republikës italiane, zotin Xhorxho Napolitano, tek i cili kam
gjetur një personalitet të lartë që e ushqen me shumë dashuri miqësinë midis
dy popujve tanë.
Në këtë qytet, në Bari, janë memorizuar figura të shquara të popullit shqiptar,
si heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Nënë Tereza, Luigj
Gurakuqi, etj, si dhe jetojnë sot mijëra shqiptarë të integruar më së miri.
Mjafton të shikosh disa personalitete të shquara në këtë sallë për të parë me të
vërtet, më tej se sa të integruar janë shqiptarët në Itali.
Të nderuar miq,
Zonja dhe Zotërinj,
Pjesëmarrja jonë në këtë veprimtari nuk është rastësore, por është shprehje e
një miqësie të sinqertë e tradicionale, jo vetëm për shkak të afërsisë gjeografike
dhe lidhjeve kulturore, por mbi të gjitha nga fakti se Italia është për ne
shqiptarët një partner parësor strategjik, politik, ekonomik dhe më gjerë një
aleate e natyrshme në rrugën drejt së ardhmes evropiane.
Në përfundim, duke ndërthurur dy gjuhët tona të bukura, mund të them se sot,
pas 20 vitesh, Shqipëria është një vend i NATO-s, një vend që shkon i sigurt
drejt Bashkimit Evropian.
Ju faleminderit!