in

Presidenti Topi pret Claudia Cardinalen

Presidenti i Republikës Bamir Topi priti të mërkurën në selinë e tij  aktoren  italiane me famë botërore Claudia Cardinale, e ftuar nderi në edicionin e katërt të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit, që po zhvillohet këto ditë në Durrës. Me siguri sot apo nesër do të presë edhe regjisorin Coppola, që mbërriti mbrëmë në Durrës

Tiranë, 1 shtator 2011 – Presidenti Topi nuk humbi rastin të takonte një ikonë të kinematografisë italiane siç është Claudia Cardinale që këto ditë ndodhet në Shqipëri.  Në këtë takim ishin të pranishëm Drejtoresha Artistike e Festivalit, Anila Varfi si dhe aktori Timo Flloko.

Ai shprehu kënaqësinë e veçantë për këtë takim dhe vuri në dukje se “vizita të kësaj natyre tregojnë jo vetëm marrëdhëniet miqësore e të fqinjësisë së mirë mes dy vendeve dhe popujve tanë, por edhe vlerësimin për kulturën dhe artin në tërësi, si dhe për kinematografinë në veçanti”.

Nga ana e saj, aktorja Cardinale shprehu vlerësimet e saj më të mira për Shqipërinë, artin dhe artistët shqiptarë, duke nënvizuar njëkohësisht rëndësinë e zhvillimit të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Durrës, si një ngjarje artistike tradicionale që jo vetëm evidenton vlerat e fushës së kinematografisë, por kontribuon drejtpërdrejt në ndërtimin e urave kulturore dhe forcimin e lidhjeve artistike e shpirtërore mes popujve të ndryshëm.

Presidenti i vendit e uroi Cardinalen për marrjen e çmimit “Pjata e Argjendtë”, si dhe i dhuroi asaj, si një kujtim institucional, një figurinë artistike të shenjtores shqiptare me famë ndërkombëtare Nënë Terezës.

Pak më parë, Cardinale kishte firmosur një nga pllakat që do të zbukurojnë “Bulevardin e Yjeve” që Durrësi do të ketë këtej e tutje njësoj si në Hollywood. Organizatorët e festivalit dhe bashkia e qytetit bregdetar e inauguruan pak ditë më parë  këtë nismë, me firmosjen e pllakës së parë nga kineasti polak Krysztof Zanussi, i cili në edicionin e kaluar të këtij festivali është nderuar me Çmimin e Karrierës.

Takimet e ditëve në vijim? Cardinale duhet të takohet me Berishën, ndërsa Topi me siguri do të presë regjisorin Coppola, që ka arritur dje në festivalin e Durrësit…

Coppola në Durrës: “Vite më parë e dija që ekzistonte një vend ku nuk mund të shkoja. Shqipëria”

Në ç’raste ndalohet dëbimi?