in

Prokuroria akuzon zyrtarisht ish Guvernatorin e BSh-së për shpërdorim detyre

Përfundojnë hetimet. Vjedhja e 713 milionë lekëve dhe blerja e hotel Dajtit, janë dy episodet për të cilat prokuroria bën përgjegjës Ardian Fullanin

Tiranë, 4 gusht 2015 – Ish-Guvernatori i bankës së Shqipërisë Ardian Fullani akuzohet tashmë zyrtarisht për shpërdorim detyre nga Prokuroria e Tiranës që ka mbyllur tashmë hetimet dhe ka dërguar për gjykim çështjen. 

Për Prokurorinë, në bazë të hetimeve, ka rezultuar se i pandehuri, ish-guvernator i Bankës së Shqipërisë, nuk ka marrë masa për zbatimin e vendimeve dhe udhëzimeve të miratuara nga Këshilli i Mbikëqyrës. Moszbatimi i tyre, sipas Prokurorisë, ka ndikuar drejtpërdrejt në vjedhjen e 713 milionë lekëve në Bankën e Shqipërisë, vjedhje për të cilën janë gjykuar persona të tjerë.

Prokuroria e Tiranës e konsideron gjithashtu përgjegjës për shpërdorim detyre  ish-guvernatorin Fullani edhe lidhur me procedurat për blerjen e ish Hotel Dajtit në vlerën 30 milionë euro.

Sipas prokurorisë, ish-guvernatori Ardian Fullani ka qenë personi që i ka bërë me dije anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë se do të blihej kjo pasuri e paluajtshme. Procedura e ndjekur me prokurim të drejtëpërdrejtë dhe veprimet e ndërmarra nga anëtarët e komisionit të prokurimit kanë qenë thjesht formale, për sa kohë që të gjitha këto procedura të nisura me vendimin e Këshillit Mbikëqyrës të BSh-së të datës 16 qershor 2010, janë kryer rreth një muaj më vonë nga çasti që Këshilli i Ministrave të vendoste për shitjen e ish-Hotel Dajtit pikërisht Bankës së Shqipërisë, si edhe duke caktuar dhe vlerën për shitjen e kësaj pasurie të paluajtshme.

Prokuroria e Tiranës vlerëson se ish-guvernatori Fullani ka përgjegjësi ligjore, pasi nuk ka urdhëruar dhe as ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për vlerësimin real të kësaj pasurie të paluajtshme dhe se vlera me të cilën është blerë godina e ish Hotel Dajtit ishte përllogaritur si pasuri “hotel”, në një kohë që ndërtesa nuk do të përdorej nga blerësi – Banka e Shqipërisë – si biznes fitimprurës, por si mjedise zyrtare pune.

UEFA: Kukësi humbet në tavolinë ndeshjen e ndërprerë për arsye sigurie në fushë

Gramos Prifti, heroi i ditës në Brescia. Shpëton një grua nga mbytja