in

Prokuroria kërkon arrestimin e komandantit të Gardës për 21 janarin 2011

Prokuroria: «Ka vrarë një nga protestuesit e 21 janarit 2011»

Tiranë, 23 janar 2012 – Prokuroria ka kërkuar sot arrestimin e tre shtetasve, njëri prej të cilëve komandanti i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, nga arma e të cilit, sipas prokurorisë, ka dalë një nga plumbat që ka shkaktuar vdekjen e protestuesit Faik Myrtaj, më 21 Janar 2011. Sipas prokurores së përgjithshme, Ina Rama, që deklaroi personalisht ecurinë e hetimeve të 21 janarit dhe arrestimet, njëri nga 11 plumbat e armës së zotit Prendi ka marrë jetën e protestuesit Faik Myrtaj. Prokuroria kërkoi edhe arrestimin e shoferit të Ndrea Prendit, Margarit Kume, si dhe shefit të shërbimit kompjuterik të Kryeministrisë, Armando Kasaj, për fshehje të krimit.

“Nga akt ekzaminimet balistike, të bëra në laboratorin e Tiranës dhe në laboratorët e Shteteve te Bashkuara të Amerikës, rezulton e provuar tej çdo dyshimi se nga arma personale e komandantit të Gardës, Ndrea Prendi, një  pistolete tip berete, janë realizur 11 qitje në drejtim të turmës, ndërkohë, që një nga predhat ka shkaktuar vdekjen e shtetasit Faik Myrtaj”, tha  Rama. 

Sipas saj, për të shmangur zbulimin e këtij fakti Prendi, duke përfituar nga detyra, ka ndërruar tytën  e pistoletës së tij me tytën e pistoletës së personit tjeter në hetim, Margarit Kume. Njëkohësisht ai ka dëmtuar mekanikisht gjilpërën goditëse të pistoletës së tij me synim që të bënte të pamundur që ekspertët të evidentonin se gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes ishin të pistoletës së tij. 
Sa i takon personit tjetër të marrë në hetim, Armando Kasaj, specialistit i IT-së në Kryeministri, kryeprokurorja Rama deklaroi se ai ka përgjëgjesi për fshirjen e materialeve filmike që ishin regjistruar nga  kamerat e sigurisë së kryeministrisë gjatë ngjarjeve të 21 janarit. 

Për një hetim sa më gjithëpërfshirës, prokurorja Rama i kërkoi parlamentit t’u heqë imunitetin parlamentar tre deputetëve të opozitës, Besnik Bare, Tom Doshi dhe Taulant Balla në mënyrë që të mundë të zbardhë rolin e tyre gjatë protestës së 21 janarit 2011. Sipas prokurorisë, ekziston dyshim i arsyeshëm se, me veprimet e kryera prej tyre gjatë zhvillimit të kësaj proteste, kanë konsumuar veprën penale të “organizimit dhe pjesëmarrjes në grumbullime e manifestime të paligjshme”.

Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, përkrah prokurores Rama në konferencë, deklaroi se mbështetja amerikane ka qenë dhe do të jetë e plotë që hetimet të jenë të plota, të pavarura dhe gjithëpërfshirëse.

Ndërkaq Kryeministria bëri të ditur se komandanti i Gardës është pezulluar nga detyra. Zëdhënësja e Kryeministrisë, Erla Mëhilli, krahas këtij lajmi tha edhe se Kryeministri Berisha ka denoncuar bashkëpunimin e kryeprokurores në skenarin e përmbysjes së qeverisë me dhunë, dhe se ka besim tek drejtësia për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.

Reagojnë parlamentarët e opozitës për të cilët është kërkuar heqja e imunitetit.

Taulant Balla dhe Tom Doshi shpehin gatishmërinë për të lënë imunitetin, duke u vënë në dispozicion të hetimeve, cilësojnë kërkesën qesharake, pasi, sipas Ballës “Prokuroria duhet të hetojë kryeminsitrin Sali Berisha  dhe ish ministrin Mbrojtjes Lulzim Basha, dhe jo deputetët e opozitës”.
I të njëjtit mendim është edhe deputeti Tom Doshi, i cili bën me dije se është i gatshëm që të heqë dorë nga imunietit i tij. “Do të votoj edhe vetë pro kësaj kërkese, kur të vijë në Parlament”, është shprehur deputeti socialist Tom Doshi, duke shtuar se në protestën e 21 janarit 2011 ka kontribuar për të qetësuar protestuesit. Sipas deputetit Doshi “kur vret kryetari i Gardës së Republikës, askush s’ka dyshim se urdhërin e ka dhënë kryeministri”.

 

Diplomatët e huaj: «Shqetësuese statistikat mbi dhunën ndaj grave»

Il melting pot di vittime e carnefici delle periferie metropolitane