Partia Socialiste ka dorëzuar të hënën, më 27 qershor, në KQZ, një tjetër kërkesë kundër rezultatit të zgjedhjeve të 8 majit në Tiranë, të shpallur nga vetë KQZ. Lexo kërkesën e plotë ankimore të PS-së
28 qershor 2011 – Objekt i padisë është kundërshtimi dhe kërkesa për anulimin e vendimit nr. 1158 të datës 25/06/2011 të KQZ-së, si edhe kërkesa për shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve në 284 qendra votimi, ku socialistët kanë argumentuar se ka pasur probleme për shkak të mospërputhjes së numrit të fletëve të votimit me numrin e votuesve.
Në kërkesën e saj ankimore, PS rendit një sërë parregullsish, si mosrakordimi i kodit të 5 të sigurisë të kutisë së votimit me një, dy, tre apo katër kodet e tjera të kutisë përkatëse në një numër QV-sh, konstatimi i një sërë kutish votimi të dëmtuara para ardhjes në KQZ, dëmtime këto të paevidentuara si të tilla në librat e protokollit të KZAZ-ve, mundësia e ndërhyrjes nga jashtë në një sërë kutish votimi për shkak të hapësirave joligjore të evidentuara në to në të cilat mund të futeshin dhe nxirreshin lirisht për këtë shkak fletë apo zarfe me fletë të pavlefshme, mungesa në disa kuti të QV-ve e zarfeve të fletëve të pavlefshme në kutitë e votimit, ndërkohë që në procesverbalet e mbyllura nga grupet e numërimit ekzistojnë shënime të qarta për ekzistencën e këtyre zarfeve dhe fletëve të pavlefshme në këto kuti, konstatimi në disa kuti votimi fletë votimi që nuk i përkisnin fare asaj qendre votimi. Një tjetër problem që nxjerr në dukje kërkesa ankimore e PS-së është ai i mosrakordimit të numrit të fletëve të votimit me numrin e votuesve: “shuma e fletëve të votimit të vlefshme me ato të pavlefshme krahasuar me numrin e zgjedhësve është 244 fletë votimi të numëruara e të përfshira në rezultat më shumë se numri i zgjedhësve”.
Për të gjitha kto arsye PS kërkon anulimin e vendimit të KQZ-së të datës 25 qershor 2011 dhe shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve në 284 qendra votimi (Tekstin e plotë të kërkesës ankimore të PS-së të botuar në faqet on line të Gazetës Tema, mund ta lexoni duke shtypur këtu).
Po të hënën, Partia Socialiste deklaroi përmes deputetes Eglantina Gjermeni se “rezultati është një manipulim për të fshehur disfatën elektorale në mbarë Shqipërinë” dhe për të cilën kryeministri dhe kreu i KQZ “do të mbajnë përgjegjësi”. Gjermeni shprehu bindjen se Partia Socialiste do të vazhdojë të ndjekë rrugën ligjore e bindur në drejtësinë e kauzës së saj. “Numri i votave që nuk përputhet me numrin e votuesve, provat e qarta të manipulimit dhe cenimit të integritetit të kutive që i panë të gjithë, janë fakte të pakundërshtueshme të pavlefshmërisë së rezultatit të shpallur nga KQZ”, përfundoi Gjermeni deklaratën e saj.
Partia Demokratike reagoi menjëherë ndaj deklaratës së selisë rozë, me anë të zëdhënëses së saj, Albana Mustafaraj që u shpreh se, “vijoi maskarada e z. Rama për të errësuar procesin zgjedhor. Të gjithë qytetarët shqiptarë e dinë se këto zgjedhje ishin të ndershme, të lira, transparente dhe zgjedhjet më të mira që janë bërë në Shqipëri, ku gjithçka u shpalos drejtpërdrejt në ekran”.
“Në këto zgjedhje në rang vendi morën pjesë rreth 1 milionë e 600 mijë qytetarë duke bërë që zëri i tyre të dëgjohej, një pjesëmarrje rekord kjo përsa i përket zgjedhjeve lokale, por edhe të përgjithshme”, kujtoi Mustafaraj, e cila shtoi se “më shumë qytetarë votuan për kandidatin e “Aleancës për Qytetarin” në Tiranë, por më e rëndësishme se kjo, është fakti se u dëgjua zëri i çdo qytetari”.
Të martën, më 28 qershor, fjalën e ka sërish KQZ, që do të mblidhet për të shqyrtuar kërkesën ankimore të PS-së, dhe ka pak gjasa që t’i japë të drejtë, pasi ankimimi ka të bëjë drejtpërdrejt me veprimtarinë e saj. Ndaj është e sigurt që historia e zgjedhjeve për kryetarin e bashkis së Tiranës nuk mbaron këtu.