in

Punësimi i emigrantëve në administratën publike. Senati thotë “Po”, radhën e ka Dhoma e Deputetëve

Parlamenti italian po shqyrton projektligjin europian që i hap konkurset publike edhe për të huajt. Por vetëm nëse kanë në xhep lejen e qëndrimit

Romë, 12 korrik 2013 – Po vjen çasti që edhe punonjësit e huaj të mund të marrin pjesë në konkurset publike, për të fituar një vend pune si mësues, mjek apo nëpunës i komunës.

Të hënën, më 8 korrik Senati ka miratuar projektligji europian 2013, që tani i ka kaluar Dhomës së Deputetëve për miratimin përfundimtar. I është dorëzuar Komisionit për Politikat e BE-së që ka nisur menjëherë shqyrtimin.

Teksti përshtat normativën italiane me atë europiane (duke shmangur apo bllokuar kështu procedurat e shkeljes)që mes të tjerave, në aspektin e punësimit publik, barazon shtetasit e huaj me leje qëndrimi CE për qëndrues afatgjatë me qytetarët e BE-së. Me miratimin përfundimtar të ligjit, do të mund të punësohen në Administratë publike, me përjashtim të vendeve të punës në të cilat ushtrohen pushtete publike apo mbrohet interesi kombëtar (një huaj nuk mund të bëhet për shembull gjyqtar apo karabinier).

Në veçanti, neni 7 i projektligjit modifikon edhe “Normat e përgjithshme mbi rregullat e punësimit në varësi të administratave publike” (dekreti legjislativ 165/2001), sipas të cilave, sot “shtetasit e vendeve anëtare të BE-së mund të punësohen pranë administratës publike me kusht që vendet e punës të mos sjellin ushtrimin (e drejtpërdrejtë apo të tërthortë) të pushteteve shtetërore, e thënë ndryshe, që nuk kanë të bëjnë me mbrojtjen e interesit kombëtar”.

Në projektin e “ligjit europian 2013” kjo mundësi u shtrihet edhe “familjarëve të tyre që nuk kanë shtetësinë e një vendi anëtar të BE-së me kusht që të kenë të drejtën e qëndrimit apo të drejtën e qëndrimit të përhershëm”. Por edhe “shtetasve të vendeve të treta me kusht që të kenë lejen e qëndrimit CE për qëndruesit afatgjatë (kartën e qëndrimit) apo të gëzojnë statusin e refugatit apo mbrojtjen humanitare”.

Tani mungon vetëm miratimi nga Dhoma e Deputetëve. Michele Bordo, kryetar i Komisionit për Politikat e BE-së, shpreson që të bëhet ç’është e mundur që “të arrihet në miratim përpara ndërprerjes së punimeve për  pushimet verore. Veçanërisht duke parë procedurat e shumta të shkeljes të hapura kundër Italisë”.

Elvio Pasca

Shkarko: A.C. 1327. .S. 588. – “Disposizioni per l’adempimento degli obblighi derivanti dall’appartenenza dell’Italia all’Unione europea – Legge europea 2013” (approvato dal Senato) (1327)

 

Sanatoria më e thjeshtë. Ja çfarë ndryshon

Drogë nga Shqipëria. Financierët arrestojnë 12 narkotrafikantë shqiptarë