Nga Administrata Publike, informacione dhe mbështetje falas të huajve në Itali dhe punëdhënësve të tyre. Me telefon (803.001 o 06828881) ose në internet
Romë, 24 janar 2011 – Emigrantët janë ndër përdoruesit më “të lidhur” me administratën publike, kjo edhe për shkak të burokracisë që i detyron të hidhen nga një zyrë në tjetrën qysh nga dita kur vënë këmbët në Itali: për të kërkuar lejen e qëndrimit, për t’u regjistruar në zyrat e gjendjes civile, për t’u regjistruar në shërbimin shëndetësor, për të konvertuar patentën e për çdo hap tjetër që duhet të hedhin në këtë vend.
Nga një praktikë në tjetrën, kërkesat shtohen: “Ku ka përfunduar kërkesa ime për t’u legalizuar?”, “Si të përtërij/konvertoj lejen e qëndrimit?”, “Kur mund të kërkoj shtetësinë italiane?”, “Ku duhet komunikuar që kam ndërruar punë?”. Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve ka lindur “Linea Amica Immigrazione”, qendër kontakti e Administratës Publike dedikuar qytetarëve të huaj në Itali dhe italianëve që kanë të bëjnë me të huajt, si për shembull, duke qenë punëdhënësit e tyre.
Nga telefoni fiks mund të telefonohet falas në numrin 803.001, nga celulari në numrin 06.828.881, kundrejt kostos së parashikuar nga plani tarifor, ose mund të mbushet një formular në adresën internet www.lineaamica.gov.it/contattaci. Shërbimi është falas, Qendra e Kontaktit flet katër gjuhë (italisht, anglisht, frëngjisht dhe spanjisht) dhe përgjigjet nga e hëna në të premte nga ora 9.00 deri në 18.00. në orare të ndryshme nga të mësipërmit apo gjatë fundjavës mund të lihet një mesazh në sekretari në mënyrë që t’ju rimarrin në telefon.
Çdo operator ka një formim specifik mbi tema të imigracionit, por natyrisht ka pyetje e pyetje dhe përgjigjet mund të jenë herë të lehta e herë të ndërlikuara. Mjafton një minutë, për shembull, për të mësuar ku duhet kërkuar kodi fiskal, por për të zbuluar pse një praktikë është e bllokuar prej një viti, Linea Amica mund të detyrohet të kontaktojë zyrën kompetente e në këtë rast koha e përgjigjes zgjatet.
Shërbimi parashikon dy nivele: nëse mundet, dhe është rasti më i shpeshtë, përgjigjet menjëherë, përndryshe analizon problemin dhe i ritelefonon vetë të interesuarit, zakonisht brenda dy ditëve. Mund të provoni vetë nëse nuk e besoni.