Gjatë betimit të Qeverisë Letta tek Presidenti, një 49-vjeçar qëllon shtatë herë e plagos rëndë dy karabinierë. Plumbat zënë shkarazi edhe një grua shtatzënë
Romë, 28 prill 2013 – Ndërsa Italia mundohet të futet në ‘normalitet’ pas mëse dy muajsh pa qeveri, një ngjarje e rëndë trondit kryeqytetin. Rreth ores 11.40, kur qeveria e re e kryeministrit Letta bënte betimin e Pallatin presidencial Quirinale, në sheshin Colonna përpara Pallatit Chigi, seli e Qeverisë, një 49-vjeçar qëlloi disa herë me pistoletë duke plagosur dy karabinierë dhe një grua shtatzënë.
Atentatori, Luigi Preiti nga Rosarno e Reggio Calabrias, pa precedentë penalë, u kap menjëherë. “Doja t’u qëlloja politikanëve” ka deklaruar më pas në prokurori.
Dy karabinierët e plagosur janë brigadieri Giuseppe Giangrande, 50 vjeç, i qëlluar në fyt, ndërsa tjetri është 30-vjeçari Francesco Negri, të cilin plumbat e kanë kapur në të dyja këmbët. Ka mbetur e plagosur lehtë edhe një kalimtare, të cilën një cifël e ka prekur në krah. është shtatzënë e po shëtiste në qendër me të shoqin e djalin.