in

Qendra e Kulturës Shqiptare risjell Shqipërinë në Sallonin e Librit në Torino

Një stendë e vogël librash dhe një seri takimesh me në qendër shkrimtarët shqiptarë e Shqipërinë do të sjellin vendin tonë në Sallonin ndërkombëtar të Librit në Torino. Nga 14 deri më 18 maj 2015

Qendra e Kulturës Shqiptare (CCA) mundëson edhe këtë vit pjesëmarrjen e Shqipërisë në Sallonin Ndërkombëtar të Librit në Torino, panair ndër më të rëndësishmit e më të mëdhenjtë në Evropë, që do të mbahet nga 14 deri më 18 maj.

CCA, shoqatë kulturore e drejtuar nga gazetari Benko Gjata, pavarësisht vështirësive finnciare, arriti të mundësojë praninë e Shqipërisë me një stendë të posaçme, kushtuar paraqitjes së vlerave të veprave dhe autorëve të letërsisë shqiptare, që janë botuar në gjuhën italiane. Stenda ndodhet në koordinatat T83, në Pavijonin 3 të Panairit, jo larg hapësirës së Gjermanisë, që është shteti i ftuar nderi i këtij viti.

“Këtë vit kemi një stendë të vogël, por mjaft funksionale për nevojat e paraqitjes së letërsisë shqiptare” thotë Benko Gjata për Shqiptariiitalise.com, që shton se veç stendës janë organizuar edhe një seri takimesh, “ndër të cilat spikat ai me shkrimtarin e shquar Fatos Kongoli”. Shkrimtari vjen për herë të parë në një takim për publikun e Torinos (më 16 maj) me rastin e botimit së fundi në gjuhën italiane të librit të tij “La vita in una scatola di fiammiferi”. Kongoli është ndër autorët më të përkthyer në italisht pas viteve ’90. Veç librit që do të prezantojë në Torino, në italisht mund të lexohen edhe “Il sogno di Damocle”,  “Il drago d’avorio”, “Pelle di cane”, “L’ombra dell’altro” dhe “Un uomo da nulla”.  

Qendra e Kulturës Shqiptare organizon gjatë ditëve të panairit edhe një takim rreth figurës së intelektualit të shquar italian, me origjinë arbëreshe, Antonio Gramshit (më 15 maj), dhe një tjetër për promovimin e Shqipërisë si destinacion turistik, me rastin e ribotimit të përditësuar të guidës Tirana e Albania” (më 18 maj).

Për t’u përmendur janë edhe dy veprimtari të tjera, që nuk organizohen drejtpërdrejt nga CCA, por për të cilat Qendra ofron bashkëpunimin e saj, që do të mbahen gjatë ditëve të panairit: takimi me shkrimtaren Ornela Vorpsi për prezantimin e librit të saj “Viaggio intorno alla madre” (më 15 maj).

Ndërsa më 18 maj do të bëhet ndarja e çmimeve të konkursit letrar Lingua Madre. As këtë vit nuk kanë munguar fituesit shqiptarë. Këtë radhë është Amazona Hajdaraj Bashaj, 40vjeçare nga Shkodra, e martuar dhe nënë e dy vajzave, që jeton prej vitesh në Asti. Me tregimin e saj “Cara mamma”, shkrimtarja ka fituar Çmimin Special “Torino Film Festival”.

“Jemi të bindur se stenda në Panair dhe takimet letrare dhe kulturore do të ndihmojnë për promovimin e njohjes së vlerave të kulturës shqiptare dhe nxitjen e rritjes dhe të konsolidimit të marrdhënieve mes dy vendeve tona” pohon Gjata.

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Helidon Xhixha sjell ajsbergun në lagunën e Venecias

Amazona Hajdaraj: “Dhuna, braktisja, emigrimi e çmenduria nuk mund të na lënë indiferentë”