Në dy prej vendimet e marra më 7 gusht nga qeveria Berisha, që prej një muaji ka humbur zgjedhjet e mund të konsiderohet qeveri në ikje, thuhet se shoqëria “V.A.L.E. Recycling” mund të importojë deri në 2.000 tonelata mbetje në vit nga Italia në rrugë detare dhe tokësore, ndërsa “Plastica Albania” deri në 600 tonelata mbetje në vit me qëllim riciklimi nga Greqia. Të dyja këto vendime hyjnënë fuqi pas botimit në Fletoren zyrtare.
“V.A.L.E. Recycling” është autorizuar për mbetje dhe kthime të gizës, çeliqeve, aluminit, bakrit, zinkut, plumbit, qelqit por edhe të mbetjeve dhe kthimeve plastike të etilenit, stirenit, vinil-kloridit, letër apo karton i rikuperueshëm, tallash dhe kthime të drurit apo dhe veshje të përdorura.
Shoqëria ‘Plastika Albania” sh.p.k. është autorizuar për importin e mbetjeve të polietilenit në rrugë tokësore dhe detare nga Greqia.
Vendimi i plotë i Qeverisë për importimin e mbetjeve nga Italia:
V E N D I M PËR AUTORIZIMIN E SHOQËRISË “V.A.L.E. RECYCLING”, SH.P.K., PËR IMPORTIN E MBETJEVE PËR QËLLIME RICIKLIMI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 3, të nenit 22, të ligjit nr. 8934, datë 5.9.2002, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar, dhe të pikës 2, të nenit 49, të ligjit nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Autorizimin e shoqërisë “V.A.L.E. RECYCLING”, sh.p.k., për importin e mbetjeve për qëllime riciklimi, me kodet e mëposhtme tarifore:
• GA 040 72 04 10 00 Mbetje dhe kthime të gizës së derdhur;
• GA 050 72 04 21 Mbetje dhe kthime të çeliqeve të lidhura;
• GA 070 72.04 30 00 Mbetje dhe kthime të gizës dhe çelikut të kallajisur;
• GA 120 74 04 00 Mbetje dhe kthime të bakrit;
• GA 140 76 02.00 Mbetje dhe kthime të aluminit;
• GA 160 79 02 00 00 Mbetje dhe kthime zinku;
• GA 150 78 02 00 00 Mbetje dhe kthime të plumbit;
• GE 010 7001 00 Qelq i thyer dhe mbetje të tjera qelqi;
• GH 010 3915 Mbetjet, prerjet dhe kthimet prej plastike: etilenit, stirenit, vinil – kloridit;
• GI 010 4707 Letër apo karton i rikuperueshëm (mbetje dhe kthime);
• GL 010 44 0131 00 Tallash, mbetje dhe kthime të drurit, nëse janë apo jo të aglomeruara në kërcunj, briketa, sfera apo në forma të ngjashme: sfera prej druri;
• GJ 120 63090000 Veshje të përdorura dhe artikuj të tjerë veshjeje
dhe kodet e listës së Bazelit: B1010, B1020, B3010, B3020, B3030, B3040, bazuar në aneksin 1, “Mbetjet e listës së gjelbër”, referuar vendimit nr.825, datë 13.10.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listave të mbetjeve që lejohen të importohen për qëllime përdorimi, riciklimi dhe përpunimi”, të ndryshuar.
2. Sasia e mbetjeve që importohet, sipas kodeve të referuara në pikën 1, të këtij vendimi, është 2000 (dy mijë) tonë në vit.
3. Mbetjet importohen nga shteti i Italisë. Transporti bëhet në rrugë tokësore dhe detare, pasi të jetë plotësuar i gjithë dokumentacioni i nevojshëm ligjor për transportin ndërkombëtar të mbetjeve, si dhe kërkesat e kreut II, të vendimit nr.806, datë 4.12.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullave dhe procedurave për importimin e mbetjeve për qëllime përdorimi, përpunimi dhe riciklimi”.
4. Për çdo transfertë ndërkufitare të mbetjeve, shoqëria “V.A.L.E. RECYCLING”, sh.p.k., dorëzon të plotësuar në Ministrinë e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dokumentin e lëvizjes/transfertës ndërkufitare të mbetjeve, sipas formatit të dhënë në anekset III dhe IV, bashkëlidhur vendimit nr.825, datë 13.10.2010, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, dhe monitorimi i tyre të kryhet nga strukturat përkatëse të doganave. Çdo transfertë mbetjesh duhet të jetë e pajisur me raport – analizë, të kryer për aspektin e radioaktivitetit.
5. Periudha e lejimit të importit të mbetjeve nga shoqëria “V.A.L.E. RECYCLING”, sh.p.k., është njëvjeçare, nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
6. Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, në zbatim të kërkesave të mësipërme ligjore dhe për të siguruar mbrojtjen e mjedisit dhe të shëndetit publik, merr masat e nevojshme për kontrollin e procesit të riciklimit të mbetjeve nga shoqëria “V.A.L.E. RECYCLING”, sh.p.k., pas miratimit të këtij vendimi.
7. Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave komunikon me shkrim me shtetet eksportuese dhe ato ku do të bëhet kalimi transit i mbetjeve, për autorizimet përkatëse në bazë të të cilave lejohet kalimi i kësaj sasie të mbetjeve, në përmbushje të kërkesave të Konventës së Bazelit “Për kontrollin e lëvizjeve ndërkufitare të mbetjeve të rrezikshme dhe asgjësimin e tyre”, konventë në të cilën Republika e Shqipërisë është palë.
8. Ngarkohen Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
SALI BERISHA
07/08/2013