in

Rama: “Kosova e pavarur është realitet”. Vuçiç: “Nuk e prisja këtë provokim”

“Mbi Kosovën kemi qëndrime të ndryshme, por realiteti është një: Kosova është shtet i pavarur i njohur nga 108 vende të botës. Ajo duhet respektuar” është shprehur Rama në konferencën e përbashkët për shtyp të mbajtur në Pallatin Serbia në Beograd me kryeministrin serb Vuçiç.
Me të dëgjuar fjalën Kosovë, Vuçiç ka hequr në mënyrë demonstrative kufjen me të cilën dëgjonte përkthimin e fjalës së Ramës.
Në përgjigje të një pyetjeje të gazetarëve, kryeministri Vuçiç është shprehur se detyra e tij ishte të mos lejonte askënd të ulte Serbinë në Beograd dhe se ai nuk ishte marrë vesh me kryeministrin Rama për një deklaratë të tillë. Vuçiç u shpreh se ky ishte një prokimin e Ramës, dhe theksoi “Kosova është Serbi. Nuk lejoj asnjë të poshtërojë Serbinë në mes të Beogradit”. E megjithatë reagimin e vet të moderuar Vuçiç e quajti si shenjë të mikpritjes së Serbisë.

Rama replikoi duke thënë “Aleksandar, në Tiranë nuk do të provokohemi nëse ju do të shprehni atje të njëjtin mendim mbi Kosovën. Do të ndiejmë keqardhje për ju, pasi Kosovën e njohin shumica e vendeve të OKB-së”.
Ndërsa pyetjes nëse distancohet nga koret që u dëgjuan në stadium “vriti shqiptarët” Vuçiç iu shmang e këmbënguljes së gazetares iu përgjigj duke thënë “Dëgjojmë përditë nga Tirana e Prishtina “Vriti serbët”.
Më parë Rama kishte folur edhe për shqiptarët e Preshevës, duke kërkuar që ata të kenë të drejta të barabarta me serbët, njësoj si pakicat serbe gëzojnë në Kosovë: “Ne duam që shqiptarët e Luginës së Preshevës të gëzojnë të gjithë vëmendjen e Beogradit zyrtar, për përfaqësimin e tyre të merituar në strukturat vendore dhe qendrore, por edhe për zhvillimin ekonomik dhe social të vendbanimeve të tyre. Besoj se autoritetet serbe e dinë që shqiptarët e Luginës së Preshevës përfshihen dhe inkurajojnë proceset integruese të Serbisë në Bashkimin Europian, jo vetëm si një mundësi modernizimi dhe europianizimi i Serbisë, por edhe si një rrugë e sigurt për të qenë shoqërisht të barabartë, si dhe për të qenë pjesë vendimmarrjes qendrore, veçanërisht kur bëhet fjalë për fatet e tyre. Modeli që ne e çmojmë dhe sugjerojmë që të shqyrtohet në këtë drejtim, është ai që gëzojnë tashmë, pakicat serbe në Kosovë”.

ANSA: Përplasje Rama-Vuçiç mbi Kosovën

Rama: Shqipëria mbështet Serbinë në integrimin euro-atlantik